Ligji Vetting të bëhet gjatë muajit maj, mjaft jemi vonuar

Ligji Vetting të bëhet gjatë muajit maj, mjaft jemi vonuar

Gani Qarri

  • 04 May 2022 - 07:33

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Muaji maj duhet të jetë muaji vendimtar për hedhjen e hapave konkret në procesin serioz të fillim-reformimit të sistemit të drejtësisë, dërgimin e pakos ligjore të Vettingut për miratim në Kuvendin e Kosovës dhe Konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme. Ky proces duhet të fillojë menjëherë me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dekretimi i të cilëve varet nga Presidentja e shtetit, duke nisur nga propozimi për kryeprokurorin e shtetit i cili ”po pushon” në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani për tu refuzuar pas vërejtjeve serioze nga ambasadorët e vendeve mike dhe ekspertët e pa varur mbikëqyrës të shoqërisë civile.

-Për vendosjen procesit të sistemit të drejtësisë në binar funksional, me personel të pastër, krebibil e profesional, është zotuar edhe Ministrja e drejtësisë. Madje në raportimin e fundit që ka zhvilluar para Komisionit për Integrime Evropian, ajo ku ka folur rreth zhvillimeve të fundit në adresimin e reformave të fushës së drejtësisë si dhe përmbushjen e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë bazuar në Agjendën për Reforma Evropiane (ERA), nga Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së. Zonja Haxhiu para anëtarëve të Komisionit tha se Ministria të cilën ajo e drejton, është duke punuar intensivisht me qëllim të avancimit të reformave në Sektorin e Drejtësisë me theks të veçantë në përmirësimin e legjislacionit penal, kundër korrupsionit dhe atë të reformave gjyqësore, në kuadër të sfidave të dala nga Agjenda Evropiane në Republikën e Kosovës.

Si hap të rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë, ministrja përmendi miratimin nga Qeveria të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, e cila tha ajo, synon të promovojë integritetin, llogaridhënien dhe besueshmërinë në sistemin e drejtësisë, sigurinë dhe rendin publik. Për aq më tepër, ajo ka bërë të ditur se sa ju përket zhvillimeve të fundit në sektorin e Drejtësisë, procesi i Vettingut dhe Koncept dokumenti për Vetingun, është miratuar në kohë reale, madje njëherit është përfunduar edhe drafti i amendamenteve kushtetuese për këtë çështje. Kështu që Projektligji për Vettingun në sistemin e drejtësisë, është në proces të finales, përfshi hartimin e Projektligjit i cili themelon Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të Pajustifikueshme. Ndryshe hap pozitiv për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit është cilësuar Miratimi dhe fillimi i zbatimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale,Gjykatë që ka filluar së funksionuari, ndërkohë që është proceduar edhe Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit,si dhe Projektligji për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publikë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".