Mos votimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë – nën hije të kriminelëve

Mos votimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë – nën hije të kriminelëve
Mos votimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë – nën hije të kriminelëve

Shefik Shkodra

  • 17 May 2022 - 07:47

Shkruan: ANALISTI - Shefik Shkodra

Unanimisht është dashur të gjithë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë ta votonin Rezoluten për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjes. Të tregohen se janë kundër gjenocidit nga do që vjen. Jo për inate. Jo të nënvlerësohen çështjet që i përkasin një kombi. Kjo është humbje, jo veç politike, por edhe humanitare dhe solidare. Kundërshtimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë është në favor të Serbisë.

mos e refuzosh të keqën, do të thotë se jeton me të. Të mos shohësh pak më larg, do të thotë se je i veruar e i humbur. Të mos e gjykosh gjenocidin dhe kriminalitetin, do të thotë, të jesh si ata, i vetëdijshëm e qëllimisht. Të kënaqesh me fatkeqësinë e të tjerëve është dobësia e qenies njerëzore. Të sabotosh humanitetin dhe solidaritetin nuk je dhe nuk mund të jesh në anën pozitive. Në Srebrenicë të Bosnjës është bërë krimi më i madh pas LDB, para gjithë botës. Këtë e dinë të gjithë. Për këtë nuk ka kurrfarë shpjegimesh as nuk ka çka fshihet. Kjo është vulë e të keqes në fund të shek. XX.

Këtë e ka bërë një ushtri e organizuar prej kuadrove shtetërore ushtarake, me të gjitha mjetet që i ka pasur në dispozicion. Kjo është një llahtari, jo veç për individ, po për gjithë botën demokratike. Pa tjetër se është gjenocid, nëse në një lokalitet sikur ishte Srebrenica, ua kanë marrë jetën rreth 8000 personave, pa e llogaritur Sarajevën dhe vendet tjera në Bosnje, pastaj në Kroaci dhe së fundi edhe në Kosovë.Tash Parlamenti i Shqipërisë nuk e voton një rezolutë për gjenocidin e bërë nga armata serbe. Kujtoj se jo vetëm që meriton një kritikë, por edhe një vi e zezë e e pashlyeshme, si pellg mbeturinash është shënuar të shqiptarët dhe Republika e Shqipërisë. Qeveria me në krye Edi Ramen është parë se është vullnetarisht dhe kryekëput në aleancë me Aleksandër Vuçiqin e Serbisë. Ky Vuçiqi, gjatë luftërave me fqinjët, ishte “hyzmeqar” i S. Millosheviqit.

Kjo është parë herët, që me dhënien e “Çelësin e qytetit” atij këngëtarit serb, që kur Edi Rama ishte kryetar bashkie në Tiranë. Ky Edi, edhe si kryeministër, vijoi simpatinë dhe lidhjen e fortë me vuçiqët e Serbisë. Madje, ky formuloi bashkë me serbët Open Ballkani (Ballkani i hapur) vetëm pa Kosovën. Kjo do të ishte një “zavërzllamë” (valle serbe) që do t’i dilte tymi më vonë. Atëherë kur do t’i vijë Vuçiqit e vuçiqëve hapi i duhur. Pra, shkurt, ky Edi, vëllezër, si duket, nuk i ka shqiptarët para serbëve. Dhe politika e tij fundërrinë. Një njeriu egoist e inatçor. Ai s’ka të bëjë fare me pluralizmin demokratik.

Njëjtë si në kohën e monizmit edhe partia që e udhëheq është e mbyllur në kafaz. Po Edi nuk kërkoi të bëjë asnjë rezolutë edhe për Kosovën kundër Serbisë, as për gjenocidin e as për dëmshpërblimin. Duhet t’ia ketë hatrin “vëllait” nga Beogradi. E vëllai nga Beogradi e ka testamentin apo amanetin shekullor të shkruar: “ kundër të gjithëve, e më parë kundër shqiptarëve”. Dhe s’ka rëndësi kjo për politikanët shqiptarë. Kryeministri shqiptar s’mund ta gjykojë atë e ta dënojë. Do të thotë, kanë të njëjtat ide e parime, pavarësisht se çka ka vepruar në Ballkan Vuçja në fund të shek. XX. Krejt kjo e tregon kursin e tij politik para botës. Krejt kjo i shëmton shqiptarët, paraqiten pro sllav. Do të thotë, Nuk kanë ndjeshmëri për krimet që i bëhen njerëzimit kudo, madje as për “miqtë” e tij në Kosovë.

Propozimi i votimit të një Rezolute për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjes ka qenë veprim sa human aq i domosdoshëm. Aspak nuk ka rëndësi se kush e ka paraqitur. Nuk ka rëndësi, nëse personi apo personat janë në opozitë, apo nuk do të jenë gjatë në veprimtarinë politike. Nuk ka shumë rëndësi, nëse S. Berisha e ka për të bërë politikë sa për pak rehabilitim. Sali Berisha i ka punët e veta, ai përgjigjet për veprat e veta, jo të tjerëve. Me një fjalë s’ka rëndësi kush e ka propozuar rezolutën. Nga opozita apo pozita. Kundërshtimi i këtij propozimi nuk jep shenjë të një vizioni politik pak më larg se përtej brigjeve shqiptare e më gjatë se mandati i Edi Rames.

Partia e këtij Edit, pesëdhjetë e një deputetë e kundërshtojnë këtë rezolutë. Këta i japin shqelm viktimave që i bëri ushtria e Serbisë. Edhe për vendet tjera sigurisht ky veprim i Parlamentit të Shqipërisë është një befasi. Unanimisht është dashur të gjithë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë ta votonin Rezoluten për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjes. Të tregohen se janë kundër gjenocidit nga do që vjen. Jo për inate. Jo të nënvlerësohen çështjet që i përkasin një kombi. Kjo është humbje, jo veç politike, por edhe humanitare dhe solidare. Kundërshtimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë është në favor të Serbisë. Siç ishte Open Ballkani i Edi Rames dhe Aleksandër Vuçiqit. Pjesa më e madhe e vendeve demokratike e kanë pranuar si veprim gjenocidi në Srebrenicë, vetëm fajtorët dhe aleatët e fajtorëve nuk e pranojnë këtë krim të tmerrshëm. Dëshirojnë të mrizojnë nën hijen e kriminelëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".