Kështu po bashkëjetojnë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar me nëntokën e krimit të organizuar

Kështu po bashkëjetojnë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar me nëntokën e krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 20 May 2022 - 07:45

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Prokurorët kalkulojnë për faktin se në këmbim të përfitimeve monetaro-materiale, qëllimisht ngritin kallëzime të dobëta penale, me skenar të para programuar për dështim, duke mos i mbledhur dhe administruar në mënyrë të mjaftueshme provat e nevojshme ekzistuese, që ta pamundësojnë dënimin e palës së inkriminuar, ndërsa gjyqtarët në kooketim apo edhe marrëveshje me prokurorët i zbutin dënimet duke e amnistuar kështu, krimin e organizuar.

-Sipas raporteve të publikuara në baza vjetore nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të analizuara nga monitoruesit e OJQ-ve, nxirret konstatimi se në këtë periudhë gati 13-vjeçare, që nga shpallja e pavarësisë e këtej, kemi pasur vetëm 298 aktakuza për korrupsion dhe krim të organizuar, ndaj pjesëtarëve të subjekteve politike, deputetë, apo ministra, por edhe këto raste, për habi, nuk kanë rezultuar, pothuajse me asnjë dënim të shqiptuar serioz. Për aq më tepër, përveç mungesës së dënimeve, aktakuzat mjerisht nuk kanë reflektuar as në rrafshin moral dhe jo vetëm që dorëheqjet në këto raste kanë qenë shumë të rralla, por të akuzuarit kanë vazhduar ti mbajnë postet të pa trazuar fare edhe me aktakuza të ngritura kundër tyre.

Ndaj kjo lë të kuptohet se njerëzit e tillë, përpos faktit që nuk trazohen nga ligji, atyre nuk u ka mbetur asnjë fije ndërgjegje personale dhe mbajtja pengë e të drejtës, nga nëntoka kriminale e jakave të bardha dhe figurat e profilit të lartë politikë që e kanë zaptuar gjithë sistemin e drejtësisë, shihet qartë se do të vazhdojë deri në realizimin e një VETTING-u të thellë e të gjithanshëm në gjithë vendin. Puna ka shkuar deri aty, sa për 13 vite me radhë, vëzhgim dhe monitorim të sistemit të drejtësisë, raportohet se kishte vetëm 298 të akuzuar, por edhe nga 298 të akuzuarit, vetëm tetë prej tyre, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat publike, ndërsa 290 as që janë kërleshur fare, se kundër tyre, qëndrojnë aktakuzat e ngritura.

Dhe sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo, sipas analizës së IKD-së, del se politikat ndëshkimore ndaj personave të akuzuar, kanë qenë vetëm improvizime të thjeshta, përkundër faktit se nga 298 të akuzuar, 55 prej tyre kanë qenë, figura të profilit të lartë! Kështu që , sipas dëshmive të ofruara nga monitoruesit e punës së Prokurorive dhe Gjykatave në vend, asnjëri prej këtyre profileve, nuk e kanë mbajtur asnjë ditë burg efektiv, madje edhe kur janë shqiptuar dënimet, ato kanë qenë thjeshtë dënime me kusht, apo vetëm gjoba materiale.

Edhe kur janë shqiptuar dënimet me burg efektiv në shkallën e parë, vetëm që vendimet të mos arrijnë të ekzekutohen, ato kanë kaluar në shkallën e dytë, e kur nuk ka funksionuar as kjo, janë transferuar në apel, ku edhe janë rrëzuar pothuajse të gjitha nga Apeli. Prandaj konstatimi i nxjerr nga monitorimi i pa varur i (mos)funksionimit të sistemit të drejtësisë, flet më së miri për nevojën e madhe, të ashpërsimit të masave disiplinore dhe llogaridhënies ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prokurorët kalkulojnë për faktin se në këmbim të përfitimeve monetaro-materiale, qëllimisht ngritin kallëzime të dobëta penale, me skenar të para programuar për dështim, duke mos i mbledhur dhe administruar në mënyrë të mjaftueshme provat e nevojshme ekzistuese, që ta pamundësojnë dënimin e palës së inkriminuar, ndërsa gjyqtarët në kooketim apo edhe marrëveshje me prokurorët i zbutin dënimet duke e amnistuar kështu, krimin e organizuar.Ndaj ky është edhe një fakt më tepër dhe argument plus, se pse nga qytetarët kërkohet me kaq mllef dhe këmbëngulje Vettingu në Kosovë për ta hetuar deri në detaje dhe sprovuar gjithë sistemin e drejtësisë së kalbur, të shkatërruar tërësisht në këto dy dekada, nga politika e inkriminuar, ani pse në të, është investuar shumë edhe nga faktorët ndërkombëtar të cilët kanë ndihmuar profesionalisht dhe materialisht, por që nën ndikimin e politikës së kriminalizuar edhe ndihma ndërkombëtare është keqpërdorur, shpërfillur dhe abuzuar në vazhdimësi prej tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".