Lidhja e marrëveshjes për pranim nga ana prokurorisë, gjykatës dhe palës mbrojtëse me krimin po e qojnë rastin e vjedhjes së 3 milion € nga Thesari i Shtetit drejtë dështimit

Lidhja e marrëveshjes për pranim nga ana prokurorisë, gjykatës dhe palës mbrojtëse me krimin po e qojnë rastin e vjedhjes së 3 milion € nga Thesari i Shtetit drejtë dështimit

Gani Qarri

  • 15 June 2022 - 07:33

Shkruan:ANALISTI - Gani Qarri

Se tragjikomedia e të ashtuquajturës "drejtësi" në Kosovë po vazhdon, e vërteton edhe lajmi më i ri, i sapo bërë publik nga Gjykata Themelore e Prishtinës, i cili thotë se është anuluar për herë të tretë gjykimi për vjedhjen e mbi 2 milionë e 900 mijë eurove nga Thesari i Shtetit të Kosovës. Dhe krejt kjo, për shkak se mbrojtja dhe prokuroria kanë filluar dallaveret e negocimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve për hajni, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, të cilët akuzohen për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit.

-Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, përveçse ka njoftuar të hënën e 13 qershorit, se palët do të negociojnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ai ka «sqaruar» se seanca e radhës do të caktohet vetëm pas arritjes së marrëveshjes mes mbrojtjes dhe prokurorisë. Kështu që kjo lojë tanimë e njohur edhe për opinion e gjerë në mbarë vendi, mjerisht po shpërfaq katërçipërisht intrigat e gjyqësorit dhe organit të akuzës, që në lidhje kriminale me avokatët, ta devalëvojnë deri në fund dhe zhvlerësojnë totalisht, një nga gjykimet më kulminante të krimit të organizuar, duke bërë pazare për fushe, me hajnat e arkës së shtetit që u kapën në flagrancë të vjedhjes së buxhetit. Ndryshe, edhe seanca e kaluar e paraparë të mbahej më 30 maj, ishte shtyrë, por atëherë kinse për shkak të mungesës së gjyqtares Shadije Gërguri. Dhe megjithëse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, edhe ky gjykim duket se po shkon drejt dështimit. Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, si dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.

Ndërkaq, Shala, thuhet se akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”. Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm i rëndë, në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë. “Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë produkt i këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.

Labinot Gruda më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K. E për të arritur këtë, Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF”(Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori. Kurse, Kadri Shala akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.

Prokuroria, gjithashtu pretendon se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milionë e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë. Njëri prej të pandehurve në rastin e dyshuar të vjedhjes së 2,1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, në tetor të vitit 2020, Labinot Gruda, e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat për të cilat akuzohet, kurse tani janë në proces të negociatave për pranim të fajësisë edhe i akuzuari tjetër Kadri Shala.

Ndaj ky duket se edhe ky do të jetë, një proces më tepër se skandaloz gjyqësor, i pazareve të ndyta në mes të Prokurorisë, avokatëve të të akuzuarve dhe trupit gjykues, për të t`ua lehtësuar barrën e akuzës vjedhësve të arkës së shtetit, kurse procesi gjyqësor ndaj tyre të kryhet shpejt, formalisht dhe me dënime simbolike, në emër të efikasitetit, vetëm për faktin se prapa këtyre të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës, të cilët mundë të kenë abuzuar me buxhetin edhe ndonjë herë të kaluar, dhe të gjithë së bashku kanë përfituar kriminalisht, por që kësaj radhe, ka rastisur që hajnat të jenë zbuluar “aksidentalisht”!!!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".