Dy vite test në krye të detyrës, është koha për vlerësimin e ministrave dhe riformatimin e Qeverisë Kurti

Dy vite test në krye të detyrës, është koha për vlerësimin e ministrave  dhe riformatimin e Qeverisë Kurti

Gani Qarri

  • 04 September 2022 - 09:41

Shkruan: ANALISTI –Gani Qarri

Zhvillimet aktuale, dëshmojnë se është shumë e domosdoshme që gjatë këtij viti në vazhdim, përfundimisht të matet performanca dikasteriale e ministrave të Qeverisë Kurti, për ta adresuar seriozisht përgjegjësinë individuale dhe profesionale, me qëllim të riformatimit më se të nevojshëm. Kjo edhe për dinamizmin më të madh të punës në realizimin e programit qeverisës, por edhe ta arsyetuar votën qytetare të besuar LVV-së, për përfaqësimin në parlament me shumicë absolute.

-Paralajmërimi për vlerësim të punës së kabinetit qeveritar dhe ndryshimi me riformatim, siguron mbrojtje efikase edhe nga mocioni i opozitës për ta rrezikuar, apo eventualisht edhe rrëzuar, në emër të asaj që e ka premtuar por nuk e ka realizuar Qeveria Kurti. Kështu që së fundi, kreu i qeverise së Kosovës Albin Kurti ka theksuar edhe para delegatëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, madje duke qenë shumë i ashpër dhe i drejtpërdrejtë dhe paralajmëruar, se në qeverinë e tij nuk do të ketë vend më, për ata që janë egoistë e mendjemëdhenj dhe tentojnë të përfitojnë nga stazhi karrieristë.

Egoizmat e karrierizmit edhe brenda lëvizjes, tash kur janë në zgjedhje të brendshme partiake,por edhe në raport me shtetin, me qeverinë dhe me kuvendin, nuk janë mënyra për të ecur përpara duke kërkuar punë kolektive dhe ekipore, ku personat që e marrin një detyrë dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. ka theksuar Kurti. Ministrat dhe zëvendësministrat në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet e Kosovës, ndaj kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar u shpreh ai. Modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize, e shoqëruar me vendosmërinë të cilën e kemi pasur përherë”, ka shtuar më tej, kreu I LVV-së dhe kryeministër i vendit Albin Kurti, duke sqaruar qartë, se askush në qeverinë e tij nuk e ka pozitën e garantuar, për të bërë karrierë dhe për të mos punuar, sepse secili do të vlerësohet dhe notohet, sipas efikasitetit.

E sidomos do të vlerësohen dhe notohen në angazhimin e tyre në betejë me të keqen, luftimin e krimit dhe korrupsionit. “Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që së shpejti do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës. Nuk mjafton që të thuhet se ministri apo zëvendësministri i VETËVENDOSJE!-s nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës. Nuk mjafton të themi që punojnë më shumë se qeveritë e kaluara, të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren, të takohen me sektorët dhe me qytetarët që i prek fushë veprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjidhin problemet konkrete që janë brenda mundësive të qeverisë, duhet të vijnë me projekte e ide të reja zhvillimore, gjithnjë brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre, deri në fund.

Nuk mund ta nisim një punë që nuk e përfundojmë dhe nuk mund t’i lëmë punët përgjysmë sepse sado të mira që janë ato moszbatimi i tyre i plotë i delegjitimon”, ka thënë kryeministri Kurti në Mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LVV-së Madje ai ka paralajmëruar edhe reformim të administratës, sepse nuk tolerohet një administratë e trashëguar ku ka plot elementë që nuk e bëjnë punën për të cilën paguhen. “Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe, sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush dhe asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”, ka theksuar kryeministri Kurti duke paralajmëruar para delegatëve partiak, nismën e vlerësimit të punës së secilit në qeveri dhe potencialisht edhe përgjegjësinë ndaj secilit me mundësi të ndryshimit dhe riformatimit të qeverisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".