Për dy dekada nuk ka funksionuar shteti ligjor në Kosovë, edhe sot vijon e njëjta këngë!

Për dy dekada nuk ka funksionuar shteti ligjor në Kosovë, edhe sot vijon e njëjta këngë!
Për dy dekada nuk ka funksionuar shteti ligjor në Kosovë, edhe sot vijon e njëjta këngë!

Shefik Shkodra

  • 07 September 2022 - 07:25

Shkruan: ANALISTI- Shefik Shkodra

Sa kohë është bërë që, shumë afera të ndryshme, kanë kaluar nëpër duart e prokurorëve dhe gjykatësve, nuk është vepruar për asnjë rast në mënyrë të drejtë. Nuk kemi dëgjuar se, është dhënë ndonjë dënim i merituar, qoftë për vrasje, tentim vrasje, abuzime në ekonomi, dhunime seksuale në mënyrën më të vrazhdët, etj. Disa herë është shkruar prej ndonjërit, këtu e atje, se nuk po funksionon ligji e gjyqi. S’ka pasur rëndësi nëse dikush e ka përjetuar padrejtësinë, një pjesë e madhe e qytetarëve ka qenë problem të jetë i njoftuar saktësisht për mos funksionimin e kësaj veprimtarie, tepër të domosdoshme për mirëmbajtjen e shtetit. Pa drejtësi dhe sundim të ligjit nuk ka shtet, s’ka liri sepse s’ka siguri.

-Drejtësia është veprimtaria që siguron jetën, pasurinë dhe dinjitetin e qytetarëve të vendit. Njerëzit ankohen për ligj e drejtësi. Qytetari i vendit mund të bie pre e bandave të llojeve të veprimtarive të ndryshme, sipas vullnetit të bandave, si në kohë barbarie: ta marrin mallin pa të pyetur, ndoshta edhe jetën; ta marrin dinjitetin familjar dhunshëm; t’i marrin nënë e babë, t’i marrin fëmijët me kusht, etj. etj. Kur ia kam tërhequr vërejtjen një djalit të ri, mësimdhënës, për disa gjëra të pa hijshme në shkollë, ai m’u përgjigj: “Mua më ka çue dikush këtu...Nuk ndiej për askënd!” E mora vesh kush e ka dërguar. Madje prej asaj ane që shumë dalin me aktivitete të palavdishme. Kur ka ardhur njeriu, menjëherë pas lufte dhe më ka thënë, “duhet me ma dhënë shkollën e mesme menjëherë! se jam luftëtar” jam befasuar. E mora vesh edhe këtë çështje, por shumë vonë.

S’ke pasur kujt t’i drejtohesh fare. Kur janë dhunuar nxënëset, nuk e kam besuar se, këta mësimdhënës kthehen, së paku, në arsim më. E mora vesh edhe këtë. Kur më thotë gjykatësja, këtë punë veç formalisht po shqyrtojmë se, asgjë s’ka prej kësaj, u habita. Kur ma kthejnë nga Gjykata e Apelit vendimin negativ, të nënshkruar tre persona, me thirrje jurist, pa dhënë fare arsyetim e pa dhënë përgjigje në pyetjen time, edhe për këtë jam habitur. Dhe kështu, e pash personalisht, se, nuk ka drejtësi për qytetarët, veç për sundimtarët. Po, kur e pash incizimin e aferës PRONTO, atëherë, e dhimbshme ta pranosh këtë fakt, po kjo ishte pasqyra reale para opinionit të gjerë të qytetarëve. Pra, s’ka ligj dhe gjyq për qytetarët, veç për ata të rendit të parë dhe për sundimtarët. Sundimtarët i zgjidhnin kuadrot për vete. Për ta mbajtur pushtetin, forcën kundër të gjithë qytetarëve që nuk ishin në atë mendim të atyre bandave.

Njeriu habitej, ekzekutohet njeriu dhe dorasi dënohej me kusht. Ku ka më shumë se, t’ia marrësh jetën dikujt dhe ti të jesh në liri, pavarësisht si ka qenë rasti. Flitet për dikë se është dhunuar, ndalet i akuzuari dhe lirohet nga gjyqi. Ka raste, që mund të lirohet, por nuk mund të lirohen të gjithë ata që dëshirojnë ta dhunojnë femrën seksualisht dhe të mos guxojë të shkojë më tej. Edhe këtu u pa. Grabitësit e shtetit bënë para, edhe ligjin e gjyqin e bën për vete, kujt prej tyre ua ndiente për të tjerët. Ua lejuan edhe njerëzve në linjë, që të veprojnë në këtë drejtim. Të bëjnë tregti me femrat, që po duan të fitojnë me trupin e tyre. Sigurisht edhe janë shitur si robër mesjetarë. Në rregull ta quajmë edhe këtë, nëse femra është në moshë, e vetëdijshme dhe pranon të bëjë edhe ato gjëra.

Kjo është çdo kund, veç në mënyra shumë më të rregulluara. Po kur dëgjon se, është dhunuar femra e mitur, nëpër duart të njerëzve më të moshuar, atëherë është një pasqyrë që i tregon të gjitha fshehtësitë e bosëve të pushtetit. Kjo punë po vazhdon, si mbeturinë e shtetit, e cila pengon në çdo aspekt. Dhe për këtë ka nevojë Qeveria të ndërmarrë masa absolutisht me shumë rigorozitet. Të ndërmarrë masa pa u lodhur shumë kush janë dhe në cilën shkallë veprojnë. S’ka kursim për prokurorë dhe gjyqtarë devijues. Këta janë të kriminalizuar fund e krye. Këta janë paguar shtrenjtë nga qytetarët, pa dhënë llogari dhe e pa ditur se kujt i shërbejnë. Në realitet, prokuroria dhe gjyqësori i kanë shërbyer sundimtarëve dhe lidhjeve me ryshfet. A ka më të keqe se, vritet njeriu, familja nuk gjen kurrfarë mbështetje në “shtetin juridik”? Po kur kthehet një fëmijë i mitur në familje i dhunuar prej disa personave? Çfarë i thuhet kësaj drejtësie? Policia arresto e dërgo te prokurori e gjyqtari, kthe në shtëpi pa “therr në këmbë”. Policia sulmohet prej njerëzve që e kanë forcën, pavarësisht çfarë gabimi ka bërë iks ipsiloni në terren, në jetën e përditshme.

Rasti i të miturës (11 vjeçare) në Prishtinë, dy herë nga njerëz të moshave të ndryshme madhore. Një njëmbëdhjetë vjeçare e dhunuar, në rastin e parë nga gjashtë (6) persona, në distancë kohore një muaj, herën e dytë prej pesë (5) të tjerëve...dhe herën e parë as nuk janë deklaruar publikisht se lëre më të dënohen, sikur të ishte një vjedhje e një copë buke. Rreth 350/60 prokurorë e gjyqtarë që do duhej të merreshin me këto çështje dhe të ngjashme, asnjë vizë nuk është bërë publike. Këta tipat, në vend se të sugjerohen dhe të fillojnë punën seriozisht, KPGJK u jep notë pozitive. Është e natyrshme se, mund të vijojnë njerëzit të bëjnë krime të tilla, meqë nuk ka përgjegjësi. Sigurisht e kanë njeriun që do t’i mbrojë në gjykatë dhe pasi të japin ndonjë deklaratë të shkurtër lirohen me një porosi të butë: - mos bëni më kështu! Ose bëhen arsyetime pa kurrfarë baze në vendimet e tyre. Ani reagojnë këta tipat (gjyqësori dhe prokurorët) se, nuk duhet kush tjetër të përzihet në punët e tyre. Po pse pra e kemi qeverinë, përkatësisht MD? Pse nuk mund të përzihet Qeveria, nëse vërtet nuk shkon puna mirë në këtë sektor? Njeriu do të duhej të ndiejë veten e lirë me familje, kudo që shkel në vendin e vet: në rrugë, në shitore, në kafene, në shkollë, në administratë, kudo. E që të kemi liri në vendin tonë, kërkohet të kemi mbrojtje nga organet tona: policia dhe gjyqësia.

Pra, kërkohet nga Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, që sa më shpejtë të nisin shkarkimin e të gjithë atyre që nuk janë gjetur në punë seriozisht. Madje, ndonjë do të duhej të merret në përgjegjësi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".