Politika e inkriminuar e instaloi dhe e mbështeti për dy dekada drejtësinë e korruptuar në bashkëjetesë me krimin e organizuar

Politika e inkriminuar e instaloi dhe e mbështeti për dy dekada drejtësinë e korruptuar në bashkëjetesë me krimin e organizuar

Gani Qarri

  • 12 September 2022 - 07:41

Shkruan: ANALISTI – Gani Qarri

Fakti se drejtësia në Kosovë, ka çaluar në vazhdimësi, është i ditur qysh moti, megjithëse kamuflimet e tyre i mbulonte plafi i partive të inkriminuara në pushtet, por se ajo është komplet e dështuar dhe asgjë brenda saj nuk ka funksionuar as nuk funksionon si duhet, po kuptohet vetëm tani, pas ndryshimeve politike në vend.

Këtë paturpësi e pasqyruan më së miri, skandalet më të reja, që shpërthyen së fundi, ku tjetër përpos në prokurori dhe gjyqësorin e kapur të Kosovës, dy kupolat kryesore të (pa)drejtësisë kosovare, që tash e mbi një dekadë, po i fshehin me sukses dështimet e tyre publike. E duke qenë të mbyllura hermetikisht për opinionin dhe manipuluar në mënyrën më perfide të raportimit, pa detaje të sakta, pa raporte publike dhe pa informata të freskëta e periodike të (mos)punës së tyre, kanë shkaktuar kaos të vërtetë në gjithë sistemin gjyqësor anë e mbanë Kosovës, për çka të gjithë personat përgjegjës, përfundimisht duhet të vendosen në bankën e të akuzuarve!

Ndaj njerëzit sot me plot të drejtë parashtrojnë pyetjen e patejkalueshme se ku mbeti gjatë gjithë kohës, transparenca e munguar e këtij sistemi të lodhtë gjyqësor, edhe pse Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, thuhet se që nga viti 2015 janë në funksionalizim e sipër të sistemit elektronik për menaxhim të lëndëve, raportim dhe publikim ndër institucional, për komunikim me opinionin publik,sistem ky tërësisht i pa-qasshëm dhe aspak funksional.

Sikur njëmend të ishte një sistem funksional, do të kontribuonte në transparencë të plotë të veprimeve të gjyqtarit e prokurorit, që nga pranimi i lëndës deri në nxjerrjen e vendimit final, por kur shihet se gjyqësori nuk ka bërë asgjë deri më tani në këtë drejtim, jo vetëm që del rezultati zero, por shndërrohet edhe në skandal! Mospuna dhe neglizhenca e pashembullt në gjyqësor janë aq katastrofale, sa që edhe pse KGJK, formalisht ka vendosur lëndët fizike në sistem elektronik, gjyqtarët dhe prokurorët e tillë, ende refuzojnë kokë më vete, ta përdorin sistemin për të raportuar në mënyrë transparente se deri ku kanë arritur me shqyrtimin dhe përfundimin e lëndëve, gjë që është obligim ligjor i tyre. Vet ikja e tyre nga transparenca nuk është edhe aq befasi, pasi që për punën e tyre, deri më tani, askush nuk kërkon përcjellje të performancës e të mos flasim për pa-përgjegjësit e tyre galopante, pasi që vetëm kështu mos-puna e tyre mbetet në vijimësi e fshehur prej publikut i cili më pastaj mashtrohet me dezinformata e statistika të pa sakta formale që nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën dhe punën reale.

Përndryshe, po të kishte llogaridhënie dhe përgjegjësi të përcjell hap pas hapi, të gjitha statistikat do të gjeneroheshin e publikoheshin në kohë reale, ndaj fillimisht, kërkohet qasje nga Ministria e Drejtësisë e cila bënë politika për sektorin e drejtësisë, sepse vetëm kur kuptohen mangësitë e sistemit, përmirësohet puna dhe politikat e veprimit. Kurse me këtë mbyllje totale dhe mungesë transparence, krijohet mjegull dhe plasohen informata të pa vërteta, jo vetëm për qytetarët si opinion publik, por edhe për vet institucionet shtetërore jashtë KPK-së dhe KGJK-s që veprojnë të pa varura si qeveri më vete.

Prandaj, jo rastësisht edhe Ministria e Drejtësisë hendikepohet me qëllim nga ana e gjyqësorit për të mos arritur ta përcjellë punën dhe efikasitetin në zbatimin e politikave shtetërore nga i ashtuquajturi sistem i "drejtësisë". Pretendimet hipokrite të prokurorëve e gjyqtarëve, për pavarësi e cila evidentohet gjithkund përveç në vendimet e tyre, ia ka humbur çdo kuptim këtij sistemi, e për aq më shumë, ka humbur totalisht edhe besimin e opinionit, në sistemin gjyqësor, pasi që edhe sipas ligjeve dhe kushtetutës, pavarësia profesionale, nuk guxon të nënkuptojë fshehjen dhe kamuflimin, por llogaridhënien, transparencën dhe efikasitetin, të cilat, në asnjë vend tjetër, nuk guxojnë të kufizohen, kamuflohen e anashkalohen, si në Kosovë.

Megjithëse të dy Këshillat kanë marrë për obligim të sigurojnë qasjen e publikut dhe të të gjitha institucioneve të interesuara në sistemin elektronik të lëndëve, për implementimin transparent të Strategjisë së Sundimit të Ligjit, gjithçka ka mbetur ne letra të pa vlerë dhe në premtime boshe, pasi që vazhdon fshehja e statistikave mbi punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që de-facto është mungesë totale e llogaridhënies ndaj shtetit dhe qytetarëve. Moskoordinimi me pushtetet tjera, është edhe mungesë e përgjegjësisë ndaj ministrisë që i punëson dhe shtetit që financon për ta zbatuar ligjin e vendosur të drejtën pa dallim.

Kështu që statistikat të cilat provojnë t’i gjenerojnë e hulumtojnë organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile, jo rrallë herë ushqehen me dezinformata dhe të dhëna të gabuara të servuara qëllimisht nga prokuror dhe gjyqtar të tillë, prandaj bashkë me qytetarinë aktive, me të drejtë po i fishkëllejnë hapur gjyqësorit dhe kërkojnë në mënyrë publike, ndryshime, shkarkime, llogaridhënie dhe përgjegjësi, pasi që tanimë po dëshmohet katërçipërisht, se krimi i organizuar jo vetëm që me dekada ka bashkëjetuar por dhe është mbrojtur me avokatinë e këtyre njerëzve, brenda institucioneve të thirrura për të zbatuar ligjet dhe bërë drejtësi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".