Frika nga Vetting-u dhe reformat në drejtësi

Frika nga Vetting-u dhe reformat në drejtësi

Gani Qarri

  • 12 October 2022 - 07:32

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Ofrimi i momentit vendimtar për përfundimin e reformës në drejtësi, implementimit të Vetting-ut dhe miratimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, ka vënë në siklet aq të madh opozitarët e stërkequr, sa që duke mos ditur, si ti justifikojnë bëmat e tyre kundërligjore, për të cilat po vjen çasti për tu përgjigjur para shtetit të së drejtës, kritikojnë kot dhe pa asnjë arsye Qeverinë Kurti, për gjoja dështimet në ndryshim e zhvillim!

-Për aq më tepër, provojnë qëllimisht të harrojnë, se ishin vet këta politik bërës të inkriminuar, të cilët për plotë dy dekada të qëndrimit në pushtet dhe qeverisje të vendit, e kanë mbajtur peng jo vetëm ligjshmërinë, rendin dhe shtetin e së drejtës, por kanë shkaktuar kaos total në gjithë Republikën e Kosovës, duke vjedhur e plaçkitur, dhe shitur edhe tokat tona autoktone, derisa arritën ta izolonin Kosovën hermetikisht nga mbarë bota demokratike!

Ndaj dhe pas shpeshtimit të kërkesave nga subjektet politike opozitare për dorëheqjen, siç thonë ata, “urgjente dhe pa kushte” të Qeverisë Kurti, nuk fshihet asgjë tjetër përveç ankthit nga dështimi i tyre legjendar, frikës nga Vetting-u dhe reformat në drejtësi, pasi që, tanimë janë grumbulluar fakte më tepër se të nevojshme, që ligji i reformuar, ti detyrojë të inkriminuarit, ta kthejnë pasurinë e paligjshme, aty ku e kanë plaçkitur dhe të përgjigjen para drejtësisë së njëmendtë e të paanshme, për të gjitha dëmet politike, ekonomike dhe ligjore, që për mbi 20 vite me radhë, i kanë shkaktuar popullit dhe shtetit të Kosovës.

Krejt kjo dëshmon se edhe kërkesat e tyre komike, janë të ndërlidhura, pikërisht me ofrimin e kohës, për përfundimin e reformës në sistemin e drejtësisë, miratimin e Ligjit Vetting dhe atë për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme, ligje nga të cilat, të parët, që do të goditen, pa dyshim, janë ish pushtetarët e inkriminuar, nga pamundësia për arsyetimin e pasurive marramendëse kundërligjore, duke e ditur më mirë se kushdo tjetër, që me Ligjin Vetting do të goditet, pikësëpari vet drejtësia e kriminalizuar prej tyre dhe e lidhur, po nga ata, me nëntokën e krimit të organizuar, me të cilën, prej dekadash edhe kanë bashkëjetuar, vjedhur, plaçkitur e përvetësuar çdo gjë të vlershme, madje kanë shitur pa fije frike e ndërgjegje njerëzore edhe tokat e Kosovës shteteve fqinje, duke shkatërruar dhe bërë plotësisht të pasigurt edhe mbijetesën e shqiptarëve në Republikën e Kosovës.

Ata të cilët kanë zhvatur dhe degraduar çdo gjë, për t`ia lënë trashëgim të rëndë, Qeverisë Kurti-2, gjendjen e dalë, pothuajse tërësisht jashtë çdo kontrolli, si patate të nxehtë për ta menaxhuar, mu në kulmin e krizës me pandeminë dhe rrezikun global të sigurisë, sidomos pas invazionit ushtarak rus, për okupimin me forcë të Ukrainës. Prandaj pas zgjidhjes së problemit me grevat e sindikatës "së arsimit", duket se opozitës, përfundimisht nuk i ka ngelur asnjë shkas tjetër për tu acaruar dhe kritikuar Qeverinë Kurti, kështu që, të vetëdijshëm se nuk kanë vota të mjaftueshme për ta rrëzuar me mocion nga pushteti Qeverinë Kurti-2, kërkesa për dorëheqje, u mbeti mjet i fundit të cilin tash e kanë aktivizuar me shumë dëshpërim.

Por habit shumë fakti se si opozitarët e dështuar mitik, po e kritikojnë qeverinë Kurti-2, siç thonë ata me marramendje; "për dështime" në ndryshim e zhvillim, duke harruar se ishin vet këta, ish pushtetarë të inkriminuar që për plotë dy dekada, kidnapuan pushtetin dhe qeverisjen, përmbysën çdo gjë, duke qëndruar edhe mbi ligjin dhe mbajtur gjithë shtetin peng, zhvatur e grabitur, varfëruar e degraduar dhe krijuar kaos të tillë ligjor e juridik me prokurori dhe sistem tërësisht të kapur të drejtësisë, deri në ato përmasa, sa që guxuan t`ua falnin edhe tokat tona autoktone, vendeve hegjemoniste fqinje, pa u penalizuar nga askush, izoluan vendin hermetikisht nga gjithë bota demokratike dhe lanë vetëm Kosovën, pa liberalizim vizash as lëvizje të lirë, në gjithë rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".