Dosja e kriminelëve të luftës të nxirret nga pluhuri, fletë arreste në bashkëpunim me të gjitha shtetet për ekstradim në vendin e krimit

Dosja e kriminelëve të luftës të nxirret nga pluhuri, fletë arreste në bashkëpunim me të gjitha shtetet për ekstradim në vendin e krimit

Hajrullah Tërnava

  • 21 October 2022 - 07:35

Shkruan:ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Sikur tu merreshin institucionet juridike të Kosovës me kohë, qysh nga çlirimi e deri më tani me kërkesat e arrestimeve-fletarrestimeve ndërkombëtare për të gjithë ata që në Kosovë kanë krye krime të renda, si vrasje ndaj civilëve dhe gjenocide në Kosove në vitin 1998-99, do ta kishim të shëruar në masë të madhe pjesën e konsiderueshme të plagëve të luftës.

- Dihet mirëfilli që ndërkombëtarët ishin pengesë administrative në një proces të tillë sepse Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur ndërkombëtarisht dhe i anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare, si në INTERPOl etj, e që edhe sot ka pengesa për një përndjekje të drejtpërdrejtë nga institucionet tona të shtetit. Megjithatë është dashur në çdo mënyrë të gjenden rrugët dhe të përndiqen të gjithë ata që kanë krye krimet e tmerrshme gjatë luftës, prandaj tani kur kanë ndodhur këto ditë kapja e serbit të akuzuar për krime luftë në Hungari, për neglizhimin që e kanë bërë institucionet e shtetit të Kosovës, sidomos në këtë periudhë të pas shpalljes së pavarësisë, është një lëshim dhe gabim i pa falshëm.

Kapja e këtij krimineli në Hungari duhet të shërben për vetëdijesim në angazhimin serioz për hetimin e të gjithë të dyshuarve dhe lëshimin e fletë arresteve, që në bashkëpunim dhe bashkërendim të pa ndashëm më ndërkombëtarët, të emërtohen, ndiqen dhe arrestohen kudo që lëvizin ish pjesëmarrësit në krime lufte, për të cilët ka pasur dëshmi dhe dosje të pjesëmarrjes në krim e në gjenocid. Është lajm i mirë që një gjykatë në Budapest të Hungarisë ka arrestuar një serb të akuzuar për vrasjen e 33 shqiptarëve në Pejë, dhe i njëjti është njoftuar se pritet ekstradohet dhe të ju dorëzohet autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Ky zbulim dhe arrestim i kriminelit që dyshohet për një masakër të përmasave aq të mëdha, për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, për vrasjen e 33 shqiptarëve të 23 vite më parë në lagjen “Kristal” në Pejë nuk duhet të shërben për vetë kënaqësi të institucioneve të drejtësisë. Përveç tij, edhe dy serbë të tjerë dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast. Mirëpo arresti nuk ka ndodhur për meritë të angazhimit të drejtësisë Kosovare, Prokurorisë Speciale për Krime lufte, por është meritë e Prokurorisë së Përgjithshme të Budapestit e cila njofton se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga administrate e UNMIK-ut, nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Tutje theksohet se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Ndryshe, në shkurt të 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor të akuzuarin për krime lufte në lagjen “Kristal” të Pejës Zoran Gjokiq. Ai u dënua me 12 vite burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Gjithsesi se ky është një mesazh për institucionet e shtetit të Kosovës që të mos heshtin por që ti shpërndajnë fletë arrestet e të dyshuarve që janë jashtë Kosovës gjithandej nëpër botë, për ti ndjekur dhe zbuluar, të gjithë ata kriminel të cilët dihen me emër e mbiemër e të cilët gjen mënyra të ndryshme për tu fshehur nga drejtësia dhe strehuar, në pritje të humbjes dhe zhdukjes së dëshmive dhe provave nga kalimi i kohës.

Edhe pse këto vepra kriminale nuk vjetërsohen, megjithatë fletë ndjekjet ndërkombëtare për të gjithë ata që i kanë krye krimet e ngjashme- vrasje të civilëve dhe gjenocid etj, duhet të ushtrohen ashtu si i parashohin ligjet ndërkombëtare, dhe të gjithë duhet të përgjigjen për ato vepra kriminale të cilat ata vetë i kanë kryer, dhe këto përvoja duhet ti vetëdijsojnë ata të cilët ishin të pamëshirshëm gjatë luftës dhe me ato veprime kryen krime ndërkombëtare të ndaluara me ligje. Me dënimin e kriminelëve që janë kapur deri më tani do të vetëdijesohen edhe të tjerët që nëse iu epet rasti të marrin pjesë prapë në ndonjë luftë, që mos të kryejnë krime të tilla që edhe ligjet ndërkombëtare i ndalojnë dhe i kualifikojnë si krime ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".