Afera e zbuluar me dosjen e sek*erëve në prokurori e gjyqësi, edhe një argument tjetër për urgjencën e Vettingut

Afera e zbuluar me dosjen e sek*erëve në prokurori e gjyqësi, edhe një argument tjetër për urgjencën e Vettingut

Gani Qarri

  • 28 October 2022 - 07:48

Shkruan :ANALISTI -Gani Qarri

Pas zbardhjes të dosjes ekskluzive të sekserëve në prokurori dhe gjyqësi, drejtësia e inkriminuar, mori edhe një goditje tjetër të madhe me zbulimin e rrjetit të thellë të korrupsionit masiv dhe krimit të organizuar, që blinin ndikimin e Kryeprokurorit të Apelit me qindra mijëra euro ryshfet, për ta sjellë e rrotulluar drejtësinë, varësisht nga pazari me grupin e njerëzve që përfaqësojnë dhe përbëjnë lidhjen e ngushtë me mafien!

Një hulumtim plotë-dyvjeçar i medies, i shfaqur këto ditë, me mbi 2 orë audio dhe video-incizime nga takimet konspirative, tregojnë hapur se si njerëzit e inkriminuar të politikës dhe ata të drejtësisë, kur është në pyetja paraja, bëhen bashkë për të ndikuar në vendimet e gjyqtarëve, një aferë,ku dyshohet se u dhanë 150 mijë euro, për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e korruptuara të Kosovës. Gjatë kësaj dallavereje hetimore, krye personazh i manipulimit dhe tregtimit mafioz me drejtësinë është paraqitur, hiq më pak, se vet ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, duke premtuar se do t’i takojë e të flasë me gjyqtarët që vendimet e tyre të jenë në favor të një biznesmeni, si rasti Sali Dakajt, të cilit tanimë ia kishin rruar 150 mijë euro.

Vetë Haxhi Derguti ka pranuar se ka takuar një nga gjyqtarët e përmendur në materialin e incizimeve, sipas debatit të zhvilluar mes tij dhe biznesmenit Sali Dakaj, megjithëse gjyqtarët kanë mohuar të jenë takuar me Haxhi Dërgutin për të diskuar për lëndët e përmendura dhe kanë marrë vendime tjera, nga ato të premtuara prej Haxhi Dërgutit. Madje biznesmeni Dakaj si krye personazh dhe viktimë e kapur nga mafia e krimit të organizuar ka rrëfyer se i janë kërkuar 300 mijë euro, në mënyrë që lënda e një përmbarimi të një borxhi të kthehet në favorin e tij, i cili është detyruar ti marrë borxh 150 mijë euro, për t’ia ofruar si paradhënie biznesmenit Hasan Morina. Ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, sado që ka mohuar të ketë marrë para, nuk e ka mohuar se ka takuar gjyqtarin dhe i ka thënë që ta ketë parasysh për ta shpejtuar lëndën e Dakajt, i cili gjithashtu dëgjohet duke i thëna Sali Dakajt në video-incizimet; “Rrijë gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet”!. Kjo fjali dhe shumë premtime të tjera janë dëgjuar duke i thënë vet ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, biznesmenit Sali Dakaj.

Pas publikimit të këtij hulumtimi dhe zbulimit të mega skandalit në sistemin e drejtësisë, në të cilin dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila në një shkrim në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ish kryeprokuror i Apelit Haxhi Dërguti, të gjithë gjyqtarët që etiketohen në këtë rast dhe secili person i përfshirë në skandalin në fjalë, duhet të arrestohen menjëherë.

Ajo madje ka deklaruar se ky rast është vetëm një nga fenomenet e njohura prej kohësh, që është ditur se kanë qenë të pranishme në "drejtësinë" e Kosovës, të cilat sot, po i shohim e dëgjojmë të incizuara, të ndjekura dhe të argumentuara edhe nga mediet, në mënyrën më të pa kontestuar. Madje siç shprehet edhe vet ministrja, pos Dërgutit, brenda sistemit të Drejtësisë, ka shumë persona të cilët mbyllin lëndë me lidhje sekserësh duke marrë ryshfet, duke pohuar se vetë Haxhi Dërguti është i implikuar jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste tjera.

Prandaj “Pavarësisht që ai, tani është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende edhe sot, për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë të cilët hapin e mbyllin lëndë me para”, ka deklaruar Albulena Haxhiu. Kështu që ajo u ka bërë thirrje edhe një herë grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi dhe procesit Vetting i cili së shpejti pritet të procedohet, për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, e që edhe nga ekspertë e kësaj fushe po shihet si mjeti i vetëm ligjor për ta spastruar njëherë e mirë gjithë sistemin e kapur të drejtësisë dhe për ti shkëputur të gjitha lidhjet e vendosura ndër dekada me mafien dhe krimin e organizuar.

“Sidomos, në rrethanat kur sistemi në fjalë, nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet e gjyqtarëve e të prokurorëve, janë shpresa vendimtare, që e keqja mund të luftohet, prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër u bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi, reformë e cila me padurim po pritet nga të gjithë qytetarët”, ka shkruar Haxhiu. Dhe për fund, si ky rast i freskët i sapo zbuluar dhe qindra raste të tjera të pa zbuluara, të maskuara e të kamufluara për të cilat mundë të jenë dhëne qindra mijëra, apo edhe miliona euro, për të intervenuar dhe përfituar krimi i organizuar, flet më tepër se çdo gjë tjetër për nevojën e përshpejtimit të procedimit dhe miratimit në Kuvend të ligjit të Vettigut, si dhe të ligjit për konfiskimin e pasurisë së pa justifikuar, pasi që dihet mirëfilli edhe publikisht, se sa janë pasuruar, veçanërisht gjyqtar e prokurorë të korruptuar të lidhur me krimin e organizuar, pasuria e të cilëve kap milionat dhe nuk ka gjasa për tu arsyetuar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".