Nuk ka zgjidhje tjetër përveç Ligjit Vetting, për ta pastruar drejtësinë e kapur në bashkëjetesë me krimin e organizuar

Nuk ka zgjidhje tjetër përveç Ligjit Vetting, për ta pastruar drejtësinë e kapur në bashkëjetesë me krimin e organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 29 October 2022 - 09:08

Shkruan:ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Pa një luftim serioz te krimit ne institucionet e Kosovës, vështirë do të jetë të ecet para. E vetmja shpresë që institucionet e shtetit tonë të spastrohen nga njerëzit e kriminalizuar nëpër institucione, është ligji në ardhje i Vettingut si dhe ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, dhe me jetësimin e këtyre ligjeve në fjalë, edhe qytetarëve si dhe investitorëve vendor e të huaj, do të ju kthehet shpresa për të punuar, investuar e jetuar në këtë shtet të ri, dhe për tu zhvilluar ky vend ashtu si duhet.

-Situata e kriminalizuar në të cilën gjendet tani Kosova, nuk done koment, sepse të gjithë qytetarët e kanë kuptuar dhe janë dëshmitar të këtyre ndodhive kriminale, prandaj janë të demoralizuar nga këto të këqija që po ndodhin nëpër institucionet e Kosovës, për këto fakte është lehtë me u bind, sepse të mëdhenjtë e institucioneve dikur të varfër e tani janë multi-milionerë. Kjo na jep me kuptua situatën e tanishme në të cilën gjendet tani shteti i ynë. Sikur mos të kishin ndodhur këto krime, shteti i ynë moti kishte qenë në BE.

Tani po shtohen shpresat që të këqijat në këtë vend po mundohen me u luftua, prandaj drejtësia e inkriminuar morri edhe një goditje tjetër të madhe me zbulimin e rrjetit të thellë të krimit, pas zbulimit të dosjes së sekserëve që blinin ndikimin e Kryeprokurorit të Apelit me qindra mijëra euro ryshfet, për ta sjellë e rrotulluar drejtësinë, varësisht nga pazari që do të arrihet me grupin e njerëzve që përfaqësojnë dhe përbëjnë lidhjen e ngushtë me mafien. Një hulumtim plotë dyvjeçar i medies ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e korruptuara të Kosovës. Mbi 2 orë audio dhe video-incizime nga takimet tregojnë se si njerëzit e politikës dhe ata të drejtësisë bëhen bashkë për të ndikuar në vendimet e gjyqtarëve.

Gjatë kësaj ndjekje dhe hetimi, krye personazh i manipulimit dhe tregtimit me drejtësinë është paraqitur Haxhi Dërguti, ish-kryeprokurori i Apelit, i cili premton se do t’i takojë e të flasë me gjyqtarët që vendimet e tyre të jenë në favor të një biznesmeni, rasti Sali Dakajt. Vetë Haxhi Dërguti ka pranuar se ka takuar një nga gjyqtarët e përmendur në materialin e incizimeve ku ka pasur një muhabetet mes tij dhe biznesmenit Sali Dakaj, derisa gjyqtarët kanë mohuar të jenë takuar me Haxhi Dërgutin për të diskutuar për lëndët.

Mirëpo vetë Biznesmeni Dakaj si krye personazh viktimë i kapur nga krimi ka rrëfyer se i janë kërkuar 300 mijë euro që lënda e një përmbarimi të një borxhi të kthehet në favorin e tij. Ai ka treguar se i ka marrë 150 mijë euro borxh për t’ia dhënë biznesmenit Hasan Morina. Ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, ka mohuar të ketë marrë para por nuk e ka mohuar se ka takuar dhe i ka thënë që ta ketë parasysh për ta shpejtuar lëndën e Dakajt.

Dërguti gjithashtu ka mohuar edhe faktet që dëgjohen duke i thëna Sali Dakajt në video-incizimet. “Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet”. Kjo fjali dhe shumë premtime të tjera janë dëgjuar duke i thënë ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, biznesmenit Sali Dakajt. Pas publikimit të këtij hulumtimi dhe zbulimit të mega skandalit në sistemin e drejtësisë, në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në një shkrim në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, ka thënë se ish kryeprokuror i Apelit Haxhi Dërguti dhe gjyqtarët të gjithë gjyqtarët që po etiketohen në këtë rast, por edhe secili person tjetër i përfshirë në skandalin në fjalë duhet të arrestohen menjëherë. Ajo madje ka thënë se ky rast është vetëm një nga fenomenet që kanë qenë të njohura prej kohësh, kurse sot po i shohim e dëgjojmë të ndjekura edhe nga mediet, të incizuara, të argumentuara dhe të pa kontestuara.

Sipas ministres, pos Dërgutit, brenda sistemit të Drejtësisë, ka shumë persona të cilët mbyllin lëndë me lidhje sekserësh duke marrë ryshfet. Ajo madje ka pohuar se vetë Haxhi Dërguti është i implikuar jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste tjera. “Pavarësisht që sot është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para”, ka deklaruar Albulena Haxhiu. Për më tepër ajo e ka shfrytëzuar këtë skandal të publikuar për tu bërë thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi, procesit Vetting që pritet të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, e që edhe nga ekspertë e kësaj fushe po shihet si mjeti i vetëm ligjor për ta pastruar sistemin e drejtësisë dhe për ti shkëputur të gjitha lidhjet e vendosura ndër dekada me krimin e organizuar.

“Sidomos, në rrethanat kur sistemi nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet janë shpresa që e keqja mund të luftohet prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi e cila me padurim po pritet nga qytetarët”, ka shkruar Haxhiu.

Sa flet edhe ky rast i freskët i zbuluar, dhe me qindra raste të tjera të pa zbuluar e të maskuara për të cilat mundë të jenë dhenë qindra mijëra euro, apo miliona të tjera për të intervenuar dhe përfituar krimi i organizuar, për nevojën e mos zvarritjes, të përshpejtimit të procedimit dhe miratimit në Kuvend të ligjit të Vettigut, por edhe ligjit për konfiskimin e pasurisë së pa justifikuar, sepse dihet mirëfilli dhe publikisht, se sa janë pasuruara gjyqtar e prokurorë të korruptuar të lidhur me krimin e organizuar, pasuria e të cilëve kap milionat dhe nuk ka shans për tu arsyetuar.

Pa një luftim serioz te krimit ne institucionet e Kosovës, vështirë do të jetë të ecet para. E vetmja shpresë që institucionet e shtetit tonë të spastrohen nga njerëzit e kriminalizuar nëpër institucione, është ligji në ardhje i Vettingut si dhe ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, dhe me jetësimin e këtyre ligjeve në fjalë, edhe qytetarëve si dhe investitorëve vendor e të huaj, do të ju kthehet shpresa për të punuar, investuar e jetuar në këtë shtet të ri, dhe për tu zhvilluar ky vend ashtu si duhet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".