Kosova dhe Shqipëria dy qendra të lulëzimit të biznesit të pistë përmes Call Center, mashtrimit dhe pastrimit të miliarda eurove nga politika që i shërben krimit

Kosova dhe Shqipëria dy qendra të lulëzimit të biznesit të pistë përmes Call Center, mashtrimit dhe pastrimit të miliarda eurove nga politika që i shërben krimit

Hajrullah Tërnava

  • 05 December 2022 - 07:35

Shkruan:ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Situata e kriminalizuar dhe e inkriminuar në përgjithësi në shumë shtete, e sidomos viteve të fundit në shtetet e Ballkanit, edhe më qartë në Shqipëri dhe në Kosovë, është një dëshmi se krimet e kryera në disa veprimtari që dikur janë krye si legale në shtete të BE-së, e tani që janë ndaluar të kryhen si veprimtari të rregullta, që ka të bëjë me Call Center- qendrat për thirrje në shtete të BE-së, tani ato veprimtari po barten në shtete ballkanike,duke përfshirë edhe Kosovën.

- Kjo veprimtari nuk ka qenë e njohur te ato shtete, dhe vepër kryesit e kriminalizuar i përcjellin situatat e shteteve, dhe i bartin ato veprimtari që kanë përfitime të mëdha, në ato shtete ku ato veprimtari nuk janë të njohura dhe qytetarët nuk kanë përvoja me ato biznese, pra sikur që janë këto qendrat e thirrjeve – Call Center. Bartja e atyre bizniseve bëhet kryesisht në ato vende ku është papunësia e madhe dhe pagat janë të përgjysmuara krahasuar me ato shtete të zhvilluara ku e kanë pasur selinë më parë, sepse te ato shtete nuk ka qenë e mundur punua në të zezë, kurse në shtetet që po barten tani, siq janë Shqipëria e Kosova, ato biznise, përdoren me mënyra të ndryshme të pagesave, dhe nëse i përmbahemi definicionit të kriminalistikës që thuhet se krimi ec një hap para zbulimit, atëherë e gjithë e thëna deri këtu e ka kuptimin e vetë.

Pra, nëntoka e krimit të organizuar i ka mënyrat dhe aftësitë e zhvillimit të krimit, prandaj nuk është për tu habitur se si e ka gjetur nëntoka e krimit të organizuar, metodën më të re të përfitimit për mes mashtrimit të qytetarëve gjithandej botës dhe Evropës, nëpërmes qendrave të thirrjeve të cilat po shfrytëzohen për plaçkitje dhe mashtrim pothuajse legal nga rrjete të organizuara mafiozësh që në bashkëpunim kanë edhe kupola të pushtetit kriminal. Një forme tillë e mashtrimit është duke u shtrirë gjithandej në Shqipëri dhe në Kosovë, por që nuk pengohen dhe nuk hetohen nga ana e institucioneve të sundimit të ligjit. Aferat e tilla kanë bërë të alarmohen dhe të fillojnë hetimet edhe nga shtet e ndryshme të Evropës, drejtë Shqipërisë dhe Kosovës, por përveç disa aksioneve ad hok të institucioneve të drejtësisë në bashkëpunim me policinë, kinse për hetim, mbyllje dhe konfiskim asgjë nuk ka ndryshuar, qendrat e tilla janë mbyllur për disa ditë dhe bërësit prapë janë funksionalizuar.

Një super aferë e kësaj natyrë këto tre ditët e fundit është duke u bërë top lajm në media, ku është raportuar se janë zbuluar detaje të reja krimit nga qendrat në Shqipëri, e ku pronari është me lidhje të nivelit të lartë me qeverinë", kurse fatura e mashtrimit raportohet të jetë hiq më pak se 2.4 mld euro nga Call Centrat në Shqipëri. Kjo lidhje krimi është zbuluar dhe raportuar edhe nga media spanjolle e cila po ashtu zbulon se lidhje e këtij krimi e ka zinxhirin funksional së bashku me pushtetin.

Media më e madhe spanjolle “El Pais” ka shkruar dje për operacionin ndërkombëtar të mashtrimit të 200 mijë evropianëve me kripto monedhat që çoi në një aksion gjithashtu në Shqipëri me arrestime. Sipas medies spanjolle, e cila sjell dhe rrëfime të viktimave, “autoritetet spanjolle morën pjesë në bastisjen shqiptare, burimi kryesor i thirrjeve të marketingut për viktimat në gadishullin Iberik. Një urdhër-arresti është lëshuar për Amant Josifin, një pronar call-center me lidhje të nivelit të lartë me qeverinë shqiptare, i cili është edhe këshilltar i Ministrisë së saj të Mbrojtjes”. Mashtrimet globale të kripto monedhave: Qendrat e thirrjeve, agjentët e rremë dhe mijëra viktima janë pjesë e kësaj dosje, kurse një rrjet i tillë i këtyre Call Center tashmë po funksionon edhe në Republikën e Kosovës.

Gjithsesi se kjo është një praktikë ndaj së cilës urgjentisht duhet vepruar dhe ndaluar, sepse tani më nisur nga përvoja e Shqipërisë, ashiqare del konstatimi se me këtë biznes të pistë janë duke operuar kokë të madha të politikës, që tradicionalisht e kanë një të kaluar të lidhur ngushtë nëntokën e krimit të organizuar, dhe milionat e përfituar përmes mashtrimit, shumica prej tyre po i investojnë dhe shpërlajnë edhe në fushën e ndërtimit. Edhe këtu duhet të jenë të kyçur organet e luftimit të krimit, sepse edhe kjo fushë veprimtari me operimet kriminale, duhet të jetë një nga pistat e hetimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit që janë pasuruar deri më tani gjatë ushtrimit në pushtetet, edhe në momentin e miratimit të ligjit për prejardhjen e pasurisë te pajustifikuar, ngase shumë prej tyre dyshohet se qëndrojnë parapa skemave të tilla të mashtrimit, sikur që qëndrojnë dhe menaxhojnë edhe shumë qendra të bixhozit ilegal dhe lojërave të fatit që po ashtu janë metodë perfide e mashtrimit tjetër kriminal.

Tani është koha që edhe në Kosovë të fillojnë hetimet ndërkombëtare që të zbulohen kryesisht kokat kryesore të krimit te lidhura me pushtetarët që kanë qenë në maje të shtetit për legalizimin dhe funksionalizimin e qendrave të tilla të plaçkitjes dhe të mashtrimit. Nëse fillon një hetim detal për krimet e kryera deri tani, dhe investigohen edhe disa politikan që nga skamnorët janë bërë multi milionerë, atëherë ky veprim do t’iu shërbej edhe gjeneratave në ardhje e sidomos atyre që do ta qeverisin vendin, që profesionin e tyre ta kryejnë në bazë të kompetencave ligjore në përputhshmëri me kushtetutën, për të cilat veprime do të jenë mirë të paguar dhe në bazë të atyre të ardhurave ta jetojnë një jetë dinjitoze dhe të shëndetshme, dhe këto kultura institucionale do të mbesin kultura ligjore për të gjitha gjeneratat e politikanëve që merren me politika dhe e udhëheqin shtetin e tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".