Dora e zgjatur e nëntokës në KPK me presion ndaj Presidentes Osmani dhe tifozllëk për ta dekretuar Prokuror Shteti, kryeprokurorin e PSRK-s Blerim Isufaj, që është avokat i krimit të organizuar!

Dora e zgjatur e nëntokës në KPK me presion ndaj Presidentes Osmani dhe tifozllëk për ta dekretuar Prokuror Shteti, kryeprokurorin e PSRK-s Blerim Isufaj, që është avokat i krimit të organizuar!
Dora e zgjatur e nëntokës në KPK me presion ndaj Presidentes Osmani dhe tifozllëk për ta dekretuar Prokuror Shteti, kryeprokurorin e PSRK-s Blerim Isufaj, që është avokat i krimit të organizuar!

Gani Qarri

  • 08 April 2023 - 09:01

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pikërisht më 6 Prill mbushet një viti i plotë që kur KPK-ja e ka votuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit me një odisejadë plotë e përlotë kundërshtime dhe reagime të pafund për parregullsi. Mjerisht kjo po e dëshmohet edhe nga mbështetja e njëanshme e me tifozllëk të pazakontë e kandidatit të kontestuar për kryeprokuror të shtetit Blerim Isufajt nga KPK-ja, që ka qenë dhe vazhdon të mbetet akoma një nga avokatët kryesor të krimit të organizuar në Kosovë, avokati të cilën e ka bërë na vazhdimësi si kryeprokuror i PSRK-së nga zyrat e prokurorisë se shtetit!

-Pas anulimit të Ligjit për KPK-në, Këshilli Prokurorial i Kosovës me ultimatum dhe tifozllëk të pa parë i është sulur Zyrës së Presidentes së Kosovës duke kërkuar që të dekretohet kandidatura e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit, sado që kundër këtij propozimi dhe votimi në KPK, kishin reaguar me kohë që para një viti, të gjithë përfaqësuesit e huaj diplomatik në Kosovë dhe vet shoqëria civile. Për aq më tepër, insistimi për përzgjedhjen dhe nominimin e tij për kryeprokuror të shtetit, është duke u vlerësuar si një proces, krejt i pa rregullt dhe tërësisht i skandalizuar, që nuk i përgjigjet drejtësisë së pa varur, por vetëm nëntokës së krimit të organizuar. Të gjitha këto, po dëshmojnë publikisht se mbështetja e njëanshme e me shume tifozllëk e Blerim Isufajt nga KPK-ja aktuale të cilën Isufaj për një mandat e kishte kryesuar, po vërteton se për shumë vite, kanë qenë dhe janë avokat të instaluar nga Ish-shefat e tyre në organin më të lartë të akuzës, në Prokurorinë e Shtetit, për t’ua bërë avokatinë për shumë vite krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale.

Siç dihet, Komisioni për Rishqyrtim i KPK më 1 prill 2022 kishte shqyrtuar, paraprakisht kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi, por për habi, që të gjitha ato ishin kundërshtuar dhe injoruar, sikur që kishte porositur nëntoka e krimit të organizuar, duke vendosur arbitrarisht që Blerim Isufaj të jetë kandidati i përzgjedhur, i propozuar për dekretim, tek presidentja e Republikës së Kosovës. Pas votimit të fshehtë, mbase të aranzhuar paraprakisht nga krimi i organizuar, rezultoi që personi i propozuar për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të merrte në mënyrë unanime 11 vota të anëtarëve të KPK-së?!

Dhe po ky vendim i Këshillit Prokurorial me propozimin e Isufajt në këtë pozitë iu dërgua për dekretim edhe Presidentes së Kosovës, veprim që Presidentja e vendit , ishte detyruar ta pezullonte tash e një vit më parë, për faktin se përzgjedhja e tij ishte skandaloze, dhe e kundërshtuar gjithanshëm, ndaj dhe ishte propozuar hapja e një konkurs të ri, në mënyrë që të anulohej e gjithë ecuria e manipuluar. Kundërshtimi i katër kandidatëve të lartpërmendur erdhi pasi Komisioni rekrutues për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, në krye me kryesuesin Jetish Maloku dhe anëtarët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla- Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq, kishte renditur në këtë garë, kandidatin Blerim Isufaj, si më të suksesshmin me 98 pikë. Sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve të tjerë sipas pikëve ishte: Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Bazuar në Rregulloren Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, Komisioni për rishqyrtim kur vlerëson se kundërshtimet e kandidatëve janë të bazuara, i dërgon KPK-së raport të arsyetuar dhe pastaj KPK voton propozimin e këtij Komisioni. Kurse KPK-ja, nëse aprovon të gjeturat e këtij Komisioni kërkon nga anëtarët e Panelit Vlerësues që të rishikojnë edhe njëherë procesin për të adresuar të gjeturat. Siç është konfirmuar procesi i përzgjedhjes ishte manipuluar, akt që edhe u bë arsyeja vendimtare se pse zyrat diplomatike, dhe OJQ-të e kishin kontestuar, kandidaturën e Blerim Isufajt, kurse Presidentja e shtetit, ishte detyruar të mos e dekretonte Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike e Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri. Kështu që kontestimi i tij nga kundër kandidatët dhe shoqëria civile ka barë që Presidentja të mos e dekretojë kandidaturën e tij, deri në shterje të të gjitha procedurave dhe rrugëve ligjore. Megjithatë Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka njoftuar, se më 5 prill iu ka drejtuar Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit për KPK-në.

Mirëpo ndaj kësaj kërkese ka reaguar zyra e Presidencës përmes Këshilltarit për media Bekim Kupina, reagim ky që nënkupton se Presidenca nuk është e gatshme që të ju nënshtrohet presioneve të grupeve të interesit për të nominuar kandidat pa kredibilitet dhe besueshmëri, dhe është në mandatin e KPK-së për të vepruar sipas ligjit dhe rishpallur një konkurs të ri. “Siç e ka sqaruar Presidentja, gjatë komunikimit me drejtues të KPK-së dhe të sistemit prokurorial, si dhe në prononcimet publike, secili veprim i Presidentes lidhur me këtë çështje mbështetet në mandatin e saj kushtetues të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve dhe ka qëllim të vetëm forcimin e integriteti të sistemit prokurorial dhe besueshmërisë së qytetarëve në këtë sistem. Duke konsideruar se edhe KPK-ja duhet ta ketë mision parësor të punës së vet, integritetin dhe besueshmërinë qytetare të sistemit prokurorial, shkresa e KPK-së nuk i kontribuon një synimi të tillë, i cili duhet të jetë objektiv, ka thënë Kupina në një reagim lidhur me presionin që po i bëhet presidentes për ta dekretuar Isufajn. Madje zyra e Presidentes ka sqaruar me detaje se Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore dhe këtu përfundon kompetenca kushtetues dhe ligjore e KPK-së.

Prandaj, konsiderojmë se shkresat dhe kërkesat e tilla, të cilat në formë ultimative paraqiten nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes, nuk kanë asnjë bazë normative ligjore. Së dyti, Presidentja e ka sqaruar publikisht se, duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundër kandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe rregullave ligjore që kanë në dispozicion kundër kandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Së treti, Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit”, ka sqaruar Kupina.

Për më tepër, konsiderojmë se Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative dhe me shkresën e saj dezinformon publikun se Gjykata Kushtetutese e ka shpallur lëndën “të pabazuar”, gjë që nuk është e vërtetë, sepse Kushtetuesja ka nxjerrë vetëm aktvendim për papranueshmëri për shkak të mos shterjes së mjeteve juridike. KPK-ja po dezinformon edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, sepse vendimi i Gjykatës Supreme thjeshtë ka vërtetuar vendimet e gjykatave më të ulëta për pa afatshmërinë e paraqitjes së padisë, por nuk i ka vlerësuar pretendimet për shkelje në procesin e emërimit të Kryeprokurorit.

Kërkesa si këto me përmbajtje të tillë skandaloze të bazuara në të pavërteta, janë në kundërshtim me parimin e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial, e për më tepër në kundërshtim me kushtetutën, sepse kanë keqinterpretuar vendimet e gjykatave të rregullta. Kjo cenon rëndë pavarësinë e këtyre gjykatave dhe vendos opinionin publik në lajthitje”, përfundon Zyra e Presidentes së Shtetit. Kështu që vet kjo sjellje ultimative e KPK-së drejtuar presidentes së shtetit, dëshmon edhe një herë, se kupola e organit të akuzës akoma vazhdon t`ia bëjë avokatinë nëntokës së krimit të organizuar pikërisht nga zyrat e Prokuroris, që është arsye e domosdoshme, se pse do të duhej gjetur rrugën më të shpejtë të miratimit dhe fillimit të zbatimit të Vettingut, për ti dhënë fund kapjes së sistemit të drejtësisë, nga krimi i organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".