Nuk mund të barazohet viktima me agresorin, paralajmërimi dhe veprimi me sanksione vetëm në adresë të Serbisë

Nuk mund të barazohet viktima me agresorin, paralajmërimi dhe veprimi me sanksione vetëm në adresë të Serbisë
Nuk mund të barazohet viktima me agresorin, paralajmërimi dhe veprimi me sanksione vetëm në adresë të Serbisë

Gani Qarri

  • 19 June 2023 - 08:01

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Paralajmërimi që erdhi së fundi nga Miroslav Lajçak, për sanksione të ashtuquajtura të "barasvlershme" për të dyja palët, nëse nuk e respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjen e Ohrit, nuk është serioz as i drejtë dhe as i drejtuar kundër atij që do duhej, ngase nga Demokracia Evropiane dhe ajo e SHBA-ve, nuk guxon të barazohet viktima me agresorin, që në këtë rast viktimë është Kosova, kurse agresori Serbia fashiste!

Të gjithë e dinë mirë, si në SHBA ashtu edhe në BE, se nuk është Kosova, ajo që e ka tensionuar gjendjen, por janë bandat kriminale serbe, të dirigjuara nga Vuçiqi dhe të dërguara nga Serbia fashiste, për pengimin e vendosjes së rendit e të ligjit në veri dhe shtrirjen e shtetësisë së Kosovës, në gjithë territorin e saj legjitim.

Ndaj ky jo vetëm që nuk është mjeti i duhur as i vetëm që ti detyrojë "palët", por paralajmërimi në vete, do të duhej të shoqërohej me kërkesën urgjente të BE-së dhe SHBA-së, drejtuar Serbisë fashiste, që urgjentisht ti tërheq bandat kriminale dhe grupet paramilitare të Serbisë nga territori i Kosovës, për shtensionimin e njëmendtë dhe afatgjatë të situatës në veri.

Kosova, ashtu siç e dinë SHBA dhe BE, është në të drejtën dhe territorin e vet, prej të cilit nuk mund të largohet, sepse as nuk ka se ku të shkojë dhe pa tërheqjen e kriminelëve dhe paramilitarëve të Serbisë nga territori ynë shtetëror e mbajtjen e zgjedhjeve të lira me pjesëmarrjen e pakicës serbe në veri, nuk ka, se me kënd ta nisë draft statutin, as me cilin subjekt të pakicës serbe, ta formojë asociacionin, ngase komunat veriore janë shkaku, që këmbëngulet kaq fort në formimin e asociacionit, ato duhet të jenë pjesë e të ashtuquajturit asociacion.

Për aq më tepër, asociacioni, edhe nëse formohet duhet të jetë vetëm brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës, gjë që është e pa mundur të realizohet, qoftë edhe vetëm si formësim duke pasur për bazë kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës, barazinë politike, etnike dhe ekonomike, që koordinon dhe lehtëson aktivitetin e komunave me qeverinë, përderisa bandat kriminale dhe paramilitare serbe, janë në këmbë dhe zhvillojnë aktivitet kriminal gjithandej veriut!

Kjo nuk është mënyra as gjendja në të cilën mund të formohej asociacioni, kështu që megjithëse i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën e Serbinë, përshkallëzimin, ai e di mirë se nuk janë duke e shkaktuar shqiptarët, por ata dihen dhe shihen publikisht çdo ditë, duke atakuar jo vetëm policinë dhe qytetarët e thjeshtë shqiptar, përfshi edhe mediet dhe gazetarët e televizioneve tona.

Edhe sa u takon objekteve të komunave në veri, ato janë pasuri e Republikës së Kosovës, të cilat dëshmojnë sovranitetin e vendit tonë dhe shteti nuk mund t`i dorëzojë ato në duar të kriminelëve të ardhur nga Serbia, sa herë që Eskobar, Borell e Lajçak, pendohen për ato që vetë kanë thënë!

Populli i Kosovës dhe mbarë opinioni e di mirë, se ishin BE dhe SHBA-të, të cilat dhanë miratimin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira duke premtuar, se në zgjedhje do të marr pjesë edhe pakica serbe, pranuan rezultatin e votimeve të lira e demokratike dhe tani, nuk është normale të luhet me kryetarët e rinj, dhe tu thuhet atyre, ta ushtrojnë mandatin në lokale alternative.

Kryetarët e Komunave, janë kryetar komunash, e lokalet alternative nuk janë lokale të komunës, ndaj kjo nuk është aspak serioze e bile mund të quhet lirisht edhe qesharake, të vije një kërkesë e tillë kaq non-sens nga një shtet shembull i demokracisë dhe rendit e ligjit si SHBA, që të largohen kryetarët legjitim nga objektet e Komunave të Kosovës, për ti zënë ato, bandat kriminale të Radojçiqit dhe strukturat paralele të Serbisë?!

Vet SHBA-të do duhej të insistonin që kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, tu mundësohet të punojnë në zyrat e veta institucionale deri në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, që do të ishte mënyra më e drejtë e veprimit parimor politik, pasi që Kosova, ka pranuar kërkesën e SHBA-së dhe të BE-së, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të cilat mund të mbahen vetëm brenda pak muajve!

Këtë pikësëpari do duhej ta deklaronte vet Eskobar, ndërsa kërkesa për tërheqjen e Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale bashkë me tërheqjen e kryetarëve legjitim nga zyrat e tyre institucionale, as që do duhej të lejohej, të paktën nga SHBA, si kampione e demokracisë në botë!

SHBA dhe BE, në qoftë se vërtetë dëshirojnë krijimin e kushteve për tërheqjen e Policisë Speciale, së pari duhet të garantojnë tërheqjen e bandave kriminale dhe grupeve terroriste të ardhura nga Serbia fashiste, të cilat zhvillojnë hapur aktivitete terroriste dhe kryejnë veprime të kundërligjshme në Kosovë

Kjo do ta bënte të panevojshme qëndrimin e policisë speciale atje, por jo kriminelët që vijnë nga Serbia, të lihen ti zhvillojnë lirshëm aktivitetet e tyre kriminale, kurse kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të punojnë në lokacione alternative, në mënyrë që bandat e Radojçiqit dhe kriminelët e Aleksandër Vuçiqit, të zotërojnë edhe me objektet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndërsa sa i takon arrestimit të përgjegjësve të dhunës së 29 majit, Polica e Kosovës ka dëshmuar me fakte, se është në gjendje ti gjejë dhe kap shumë shpejtë kriminelët, nëse ajo nuk pengohet nga vet ndërmjetësit ndërkombëtar, të cilët në njërën anë thonë se Policia e Kosovës është përgjegjëse dhe duhet të merret me kriminelët, kurse në anën tjetër, sapo kapet një kriminel serb nga policia, në SHBA dhe BE, ngritën peshë dhe kërkojnë menjëherë ndalimin e çdo aksioni të Policisë së Kosovës.

Në njërën anë, vet thonë se Kosova do të ballafaqohet me sanksione dhe masa ndëshkuese, në anën tjetër po i njëjti Escobar deklaron se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur "kurrë" fjalën sanksion, por pasoja.

Eskobar deklaron po ashtu se ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar, sepse një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit, gjë që pajtohemi të gjithë!

Dhe e vërteta dëshmon se nuk është Kryeministri Kurti, ai i cili përditë përpiqet ta destabilizojë gjithë rajonin, për llogari të Rusisë dhe të Vladimir Putinit, por është Vuçiqi ai që nuk ka hequr dorë dje as sot, prandaj, në qoftë se është dikush që e refuzon partneritetin me BE-në dhe SHBA-të, është Vuçiqi dhe është Serbia, e cila duhet ti bartë edhe pasojat, e jo Kosova që është viktimë dhe nuk i ka borxh as faj, askujt!.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".