Kështu është duke e mashtruar opinionin publik drejtësia e inkriminuar që është duke u bërë avokate besnike e krimit të organizuar

Kështu është duke e mashtruar opinionin publik drejtësia e inkriminuar që është duke u  bërë avokate besnike e krimit të organizuar
Kështu është duke e mashtruar opinionin publik drejtësia e inkriminuar që është duke u  bërë avokate besnike e krimit të organizuar

Dardan Grapci

  • 15 July 2023 - 17:17

Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci

Vazhdimi i mungesë së rezultateve të hetimit dhe finalizimit të gjykimit, ndëshkimit të formës së prerë për aferat e mëdha të krimit, ka ndikuar dhe po ndikon te qytetarët që vazhdimisht ta humbin shpresën në drejtësi , ta humbin besimin në gjyqësor për gjykim të drejtë dhe për hetim të pa varur e profesional nga ana e Prokurorisë.

-Tani më janë të kota dhe krejtësisht të pa besueshme për opinionin publik, madje edhe qesharake, raportet ditore të Prokurorisë së Shtetit e cila jep shifra marramendëse të rasteve të arrestimit apo ngritjes së aktakuzave, për persona të dyshuar, për vepra të ndrysmë penale e kriminale, por që në fakt në procedurë të rregullt të gjykimit të tyre, grumbullohen duke u vonuar, harruar e parashkruar, duke u seleksionuar e shoshitur nga rasti në rast, sipas direktivave që ju shkojnë prokurorëve nga nëntoka e krimit të organizuar, nga ndërhyrjet e politikës dhe mafio oligarkëve të ndonjë biznesi të lidhur me politikan të inkriminuar. Fitimi i besimit në këto institucione të drejtësisë nuk mundë të ndodhë, nga qytetarët, derisa edhe Prokuroria edhe Gjykatat nuk reformohen, nuk pastrohen dhe derisa nuk dekriminalizohen e nuk depolitizohen.

Bazuar në vlerësimin e performancës së zgjidhjes së lëndëve, atëherë me të drejtë mundë të konstatohet se këto raporte të fryra ditore të natyrës banale, raporte të cilat i japin shtetit të Kosovës epitet dhe njollë të zezë të një shoqërie kriminale, nuk e paraqesin fare gjendjen reale, sepse nuk është shaka që në raportin ditor, 24 orësh, prokuroria zyrtarisht e deklaron arrestimin e dhjetëra personale të dyshuar për vepra penale dhe ngritjen e dhjetëra aktakuzave që shkojnë në numrin dyshifror e nganjëherë edhe treshifror, mbi 50 aktakuza brenda ditës , e në ndonjë rast edhe kalohet shifra për 100 rastesh. Nëse ju referohemi shifrave zyrtare ditore, edhe pse jemi në atmosferë të pushimeve verore, prokuroria me makinerinë e saj propagandistike po vazhdon të na “bombardon” me informata befasuese, por mbetet pikëpyetje e madhe se sa ato janë të besueshme.

Vetëm raporti i fundit 24 orësh i Prokurorisë së shtetit i ditës së premte flet për 50 aktakuza të ngritura gjatë 24 orëve të fundit për vepra të ndryshme penale, duke veçuar dy prej tyre për dhunë në familje, kurse në total me këto aktakuza raportohet përfshira e së pakur 80 personave për vepra të ndryshme penale. Kjo gjendje e raportuar është alarmante dhe për tu shqetësuar, por si në praktikat tjera, pas dy tre dite, këto raporte shkojnë duke u harruar dhe devalvuar, sepse nuk publikohen rastet se si janë duke u trajtuar.

Ky lloj raportimi, mbi bazat të statistikomanisë, nuk është gjë tjetër veq se edhe një pasojë e mos përgatitjes adekuate e hetuesve që janë në kuadër të strukturës së policisë, dhe të cilët janë të parët zyrtar të cilët i kontaktojnë dhe intervistojnë të atakuari për dyshim të shkeljes së ligjit, për veprat e ndryshme penale, përveç atyre urdhër arresteve befasuese që vijnë si kërkesë të prokurorisë speciale, për hetimet afatgjatë të të dyshuarve të përfshirë në ndonjë mega krim, ndonëse edhe rastet e tillë zakonisht deri tash kanë dështuar, ngase prokuroria dhe gjyqësore nuk po arrijnë të shkëputen nga sundimi i nëntokës së krimit të organizuar.

Qeveria e Kosovës, Ministria e Drejtësisë, nuk duhet vonuar për ta proceduar ligjin e VETTING-ut që është mjeti i vetëm për ta pastruar sistemin e drejtësisë me imazh të humbur dhe besim të zbehur tek qytetarët për shkak të lidhjes së thellë me nëntokën e krimit të organizuar. Tani më jemi dëshmitar se si po e luan prokuroria dhe gjyqësori lojën e mashtrimit për mbulimin e dështimit apo amnestimit të qëllimshëm të krimit, duke raportuar kinse raste pune voluminoze që po e bëjnë në fushën e sundimit të ligjit, duke simuluar raporte blanko, jo të sakta dhe të pa besueshme të raportimit, sepse këmbë e krye janë të manipuluar duke ja bërë avokatinë nëntokës dhe krimit. Madje nuk janë të akëta rastet që me kundër padi nga personat e arrestuar e të mbajtur në arrest për një kohë të gjatë, nga loja kriminale e prokurorëve të speciales dhe të shtetit, i kanë kushtuar qindra mijëra euro kompensim dëmi buxhetit të shtetit. Ky është edhe një skandal tjetër tepër kriminal për të cilin askush akoma nuk është raportuar se ka dhënë përgjegjësi dhe është ndëshkuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".