Çdo etnitet i ri në Kosovë me petkun dhe ngjyrat nacionale do të këtë të ardhme fatale për shtetin

Çdo etnitet i ri në Kosovë me petkun dhe ngjyrat nacionale do të këtë të ardhme fatale për shtetin
Çdo etnitet i ri në Kosovë me petkun dhe ngjyrat nacionale do të këtë të ardhme fatale për shtetin

Gani Qarri

  • 15 July 2023 - 17:21

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Çfarëdo krijese zyrtare që mund të marrë formë entiteti dhe emërtohet si territor e hapësirë "serbe", nëse nuk ndodhë në mënyrë analoge dhe me reciprocitet edhe për shqiptarët nën Serbi, do të kthehet në arenë "lufte" për shtetin tonë të vogël e të pa përkrahje dhe ngelë gjithmonë një problem i papërfunduar kurrë e gangrenë e pa shërueshme asnjëherë. Përmes saj, Serbia në vijimësi do të insistoj me këmbëngulje të njëjtë si deri më tani, të ndërhyjë në punët tona të brendshme dhe çështjet e rregullimit tonë shtetërorë, për të krijuar destabilitet të vazhdueshëm dhe arritur, deri te ndarja apo shkëputja e territoreve të caktuara me pasuritë kryesore minerare e ujore të Republikës së Kosovës, veçanërisht në veri.

-Opozita, shumë më tepër, se vet pozita, do duhej të këmbëngulte në reciprocitet dhe të drejta analoge të shqiptarëve nën Serbi, me ato që po kërkohen, në vijimësi për pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë, dhe jo ti bëhet krah Vuçiqit, kur shihet hapur se ai ka aleat dhe mbështetës më tepër se mjaftueshëm, që nga Borell, Lajçak, Eskobar e deri te Edvin Kristaq Rama. Nisma e LDK-s dhe Lutfi Hazirit, bëhet vetëm për ta rehabilituar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, për nënshkrimin e marrëveshjeve kundër kushtetuese dhe miratimin e "zajednicës" bashkë me Listën serbe edhe në Kuvend.

Prandaj insistimi i LDK-së, për ta propozuar një draft dokument të asociacionit, eksplicit vetëm për pakicën serbe, në emër të daljes nga një krizë e vogël sot, për të krijuar një krizë shumë më të madhe dhe të përhershme nesër, pa kërkuar apo propozuar të paktën, edhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegj e Bujanoc, diçka të tillë dhe analoge, është shumë e dëmshme. Propozimi i LDK-së, jo vetëm që nuk mundë të jetë kontribut serioz, por do të bëhet edhe shkak për mbjelljen me duart tona, të një gangrene të pa shërueshme dhe kanceri shkatërrues për shtetin tonë të brishtë.

Nga vet përvoja e kaluar, populli i Kosovës e di mirë, se me çfarë vendimesh e marrëveshjesh të dëmshme e kundër kushtetuese Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, na kanë sjellë në këtë gjendje të rëndë, shkaku i të cilave sot vendi ynë, është duke e kaluar, gjithë këtë presion ndërkombëtar dhe masa shtrënguese e ndëshkuese ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës Njëjtë si Isa Mustafa e Hashim Thaçi që e quanin të domosdoshme “zajednicën”, të cilën edhe e nënshkruan dhe miratuan edhe në Kuvend, duke bashkuar votat me dorën e zgjatur të Vuçiqit në Kosovë, Listën serbe, edhe argati më besnik, i të dy atyre, aktualisht nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, sot e quan të domosdoshëm që përsëri LDK ta bëjë edhe hartimin e draft-statusit të “zajednicës”, kopilit të Thaçit e të Isa Mustafës, të cilin, ata me "largpamësinë" e tyre politike, ia lan në derë Kosovës.

Madje Haziri pa asnjë studim më të thellë e serioz, se çka sjell kjo nismë sot, dhe pasojat që mund të krijojë nesër, përpiqet të na bindë edhe me shprehje të "mëdha" të thëna shumë më herët, nga krejt tjetër kush, se "politikanët e përgjegjshëm në momente të vështira duhet të marrin edhe vendime të vështira" gjë që nga vdekja e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, realisht në LDK, janë grumbulluar të gjithë sharlatanët dhe i kanë munguar gjithmonë politikan me përgjegjësi.

Prandaj Luta dhe LDK, duhet të tregohen më të kujdesshëm dhe të paktën, në propozimet aktuale, të përpiqen për balancimin e të drejtave të pakicave kombëtare në të dy shtetet, para se të turren, të bëjnë draft statute vetëm për “zajednicë” të serbëve, kur dihet mirë, se ata e kanë dëmtuar rëndë Kosovën me nënshkrimin e një marrëveshje kundër kushtetuese, për çka, gjithmonë duhet të ndjehen fajtor dhe të penduar, para popullit dhe shtetit të Kosovës dhe jo serish të lajmërohen të parët, për të hartuar edhe draft-status, për gangrenën që vet e kanë pjellë, të cilën dashkan t`ia prezantojnë edhe kryeministrit Kurti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".