Siguria e shtetit të Kosovës nën ombrellën e fuqishme të partneritetit me Amerikën

Siguria e shtetit të Kosovës nën ombrellën e fuqishme të partneritetit me Amerikën
Siguria e shtetit të Kosovës nën ombrellën e fuqishme të partneritetit me Amerikën

Hajrullah Ternava

  • 05 September 2023 - 07:47

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Në rrethanat globale të zhvillimeve të konflikteve të ndryshme në botë, e sidomos luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, nënshkrimi i Marrëveshjes së fundit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, për Masat e Sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, flet mjaftueshëm për përkushtimin e zhvillimeve dhe mbështetjes së shtetit të Kosovës, nga ana e SHBA-së.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së fundit, marrëveshje kjo e dakorduar dhe nënshkruar 24 gusht nga Kryeministri Kurti dhe ambasadori amerikan Hovenier e ka një vlerë te posaçme për perspektivën e Kosovës drejtë integrimit në NATO. Kjo marrëveshje si akt veprimi për sigurinë e shtetit të Kosoves, flet mjaftueshëm, pavarësisht ekzistimit të organeve vendore të sigurisë, sepse ato janë në dorë të aleatëve, sikur që janë SHBA-të dhe shtetet tjera mike mbështetëse të sponsorizimit dhe realizimit të pavarësisë së Kosovës, procesit të ndërtimit dhe fuqizimit të shtetit në aspektin jo vetëm politik, por mbi të gjitha atë të sigurisë dhe strategjik.

Në fjalën e tij të rastit, ambasadori Hovenier ka deklaruar se kjo marrëveshje vendos themelet për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar. “Në botën e lidhur mes vete të shekullit XXI, aftësia që partnerët të shkëmbejnë informacione shpejt dhe pa pengesa është jetike për vendimmarrje me kohë dhe të informuar. Kjo është veçanërisht e vërtetë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmbyllja e kësaj marrëveshjeje nuk është e rëndësishme vetëm sepse shënon kulmin e më shumë se dy viteve të bashkërenditjes dhe negociatave, por përfaqëson edhe zotimin e fuqishëm të ShBA-së për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë, ka deklaruar Hovenier. Sipas ambasadorit amerikan, me këtë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova marrin detyrime për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të njëra-tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informacioneve. Marrëveshja çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj përmes shkëmbimit te informacioneve.

Gjithashtu, ai ka thënë se kjo marrëveshje avancon dhe është e përbashkët për zhvillim të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë për mbrojtje territoriale, profesionale, të ndërveprueshme me NATO-n e shumetnike. “Kjo marrëveshje është posaçërisht e përshtatshme në kontekstin më të gjerë të luftës brutale pushtuese të Putinit kundër Ukrainës. Shkurtimisht, kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë ndaj qëllimeve e vlerave të përbashkëta dhe të ardhmes më të sigurt për vendet tona, si dhe hap rrugën për marrëveshjet e ardhshme të shkëmbimit të informacionit dhe komunikimit, ka deklaruar ambasadori Hovenier. Ky zhvillim i fundit, është vlerësuar me interes kapital edhe nga kryeministri Kurti. Ai ka deklaruar se Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjegjshme.

“Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë bëhet përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, ushtarake e diplomatike. Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e Qeverisë të merr vendime me të cilat garantohet pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti, detyra shtetëror këto të cilat jo rrallë kërkojnë edhe ruajtjen e informacionit si konfidencial. Mbrojtja e atillë e informacionit parashihet me ligj dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar e dikton një gjë të tillë” ka deklaruar Kryeministri Kurti. Mbrojtja e sekretit shtetëror, sipas Kurtit, do të jetë nën masa të fuqishme të zbatimit të ligjit. “Çdo Qeveri e matur dhe e përgjegjshme, kupton që çdo veprim i kundërt rezulton me ndëshkueshmëri, sepse bëhet fjalë për shkelje të ligjit.

Zbulimi i informacionit jetik për një shtet, qoftë ai i fushës së sigurisë, mbrojtjes, tregtisë, industrisë, teknologjisë apo punëve të jashtme, ruhet dhe mbrohet përderisa një gjë të tillë përcaktohet nga ligji, mjeti që mbron interesat shtetërorë e jo interesat individual apo preferencat personale, ka deklaruar Kurti. Kjo marrëveshje i demanton akuzat e ulëta opozitare ndaj qeverisë aktuale për antiamerikanizëm, anti evropianizim dhe qasje agresive e të pa koordinuar me aleatët, kritika këto banale të cilat po tentohet të përdoren si monedha elektorale” edhe ne te ardhmen qeveritaret e Kosovës duhen të krijojnë politika të përpikta dhe reale bashkëpunuese me Amerikën sepse mu ky shtet ishte ai që na ka krijua si shtet duke na çliruar nga një shtet armik shekullor.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".