Rasti Dehari i pa zbuluar dhe pa gjykuar, kulmi i turpit për drejtësinë e korruptuar

Rasti Dehari i pa zbuluar dhe pa gjykuar, kulmi i turpit për drejtësinë e korruptuar
Rasti Dehari i pa zbuluar dhe pa gjykuar, kulmi i turpit për drejtësinë e korruptuar

Gani Qarri

  • 11 November 2023 - 09:01

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pra për habi të mbarë opinionit publik jo vetëm në Kosovën me gjyqësi të kapur nga mafia e krimit të organizuar, “Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga Ministrja që ti tregojë atij, se kush janë vrasësit e Astrit Deharit dhe krejt kjo lojë, u bazuaka në një status të ministres në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit”, siç ka shkruar edhe vetë ministrja në Facebook.

-Fatkeqësisht, rasti tragjik i Astrit Deharit, dëshmon se sa e ulët e skandaloze por edhe e dhimbshme e tragjike, jo morale dhe aspak profesionale, është loja e Prokurorisë Speciale me rastin trishtues të vrasjes së tij, vdekja e të cilit në burg akoma nuk është ndriçuar, kurse Prokuroria Speciale dështimet e veta po provon ti mbulojë duke thirrur në intervistim edhe Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu. Dhe krejt kjo, vetëm, për shkak të shfaqjes së vazhdueshme të shqetësimeve lidhur me mos përmbylljen e rastit Dehari i cili është kthyer në turp për "drejtësinë" dhe dhembje të rëndë për gjithë qytetarët e Kosovës, që tani e 7 vite me radhë, mbetet i pazbardhur, përkundër kritikave që deri tani janë adresuar, dyshimeve të shprehura për proces të manipuluar të hetimit dhe konstatimit të vdekjes së dyshimtë, e cila akoma mbetet një mister që mundë të jetë akt monstruoz i likuidimit fizik nga nëntoka e krimit të organizuar! Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Astrit Dehari vdiq në rrethana misterioze Brenda qendrës së paraburgimit në Prizren, kurse trupi i tij është gjetur në qelinë e burgut me 5 nëntor të vitit 2016.

Pra kjo duket të jetë një lojë e trishtë, e cila është duke vazhduar me një mister ende të pa zbuluar dhe akt të pa gjykuar tash e 7 vite të plota. Kurse në vend të publikimit të verdiktit gjyqësor, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të enjten se ajo është ftuar nga Prokuroria Speciale që ti tregoj prokurorit vrasësit dhe dëshmojë lidhur me rastin e Astrit Deharit, e gjithë kjo, bazuar vetëm në një status të saj të bërë në rrjetet sociale me rastin e 7 vjetorit të ndarjes nga jeta të Astrit Deharit. Pra për habi të mbarë opinionit publik jo vetëm në Kosovën me gjyqësi të kapur nga mafia e krimit të organizuar, “Prokurori Special, Afrim Shefkiu, paska kërkuar nga Ministrja që ti tregojë atij, se kush janë vrasësit e Astrit Deharit dhe krejt kjo lojë, u bazuaka në një status të ministres në rrjetet sociale, në përvjetorin e Astrit Deharit”, siç ka shkruar edhe vet ministrja në Facebook. Ndaj ministrja ka thënë me plot të drejtë, se një prokuror duhet ta dijë se Ministri i Drejtësisë nuk mund të jetë prokuror e as gjyqtar dhe nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e prokurorit, i cili duket se ka ngatërruar profesionin dhe është në vend të gabuar.

Lëndën e Astrit Deharit, prokurori Afrim Shefkiu e ka që nga viti 2019 dhe ende nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e rastit të tij, ndaj edhe duhet ta dijë, se ai është përgjegjës për t’i treguar familjes dhe qytetarëve se kush janë vrasësit e Astrit Deharit, ose duhet ta dorëzoj lëndën te një prokuror tjetër që di dhe guxon ta zgjidh rastin! Prokurori Shefiku dhe eprori i tij, duhet ta kuptojnë, se nuk mund të na heshtin në kërkesën tonë për drejtësi,” ka deklaruar Ministrja Albulena Haxhiu, e cila në statusin e saj në rrjetin social facebook më 5 nëntor, kishte shkruar se krimi ndaj Astrit Deharit, përfshinë një sërë veprimesh për të cilat ende askush nuk dha përgjegjësi. I paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, për 68 ditë me radhë në burg, Astrit Dehari nuk u mor asnjëherë në pyetje, megjithatë më 5 nëntor 2016, në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por mbetet apo mbahet ndoshta qëllimisht, i pa sqaruar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë.

Madje siç dihet tanimë publikisht, një sërë anomalish institucionale, janë vërejtur menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha etj. Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, përderisa tjetri e cilësonte si vetëvrasje ende pa nisur, asnjë hetim, në përpjekje për ta fshehur këtë krim. Por tani, provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vetëm vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast, ndërsa Ministria e Drejtësisë nga ana e saj, ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat, për të mbështet institucionet e drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi të rëndë, ende të errësuar. Drejtësia për Astritin duhet të ndodhë! Ajo nuk mund të vonohet më gjatë, kishte deklaruar në postimin e saj Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, dhe pikërisht për këtë shkak, ajo është ftuar për tu intervistuar në Prokurorinë Speciale nga prokurori famoz Afrim Shefkiu.

Një sjellje e tillë e institucioneve të dështuara të drejtësisë, flet hapur, për ndikimin dhe nënshtrimin e tyre të skajshëm nga grupet e nëntokës kriminale dhe atë mafies, të cilat nuk lejojnë zbardhjen e krimit, e për më tepër, nëse dikush provon për të kërkuar përgjegjësi, mundë të ballafaqohet edhe vet, akoma më keq dhe të trajtohet madje edhe si faktor përgjegjës apo burim provash për ta mbuluar veprimin e tyre të dështuar, mbase është dështim me qëllim i individëve të caktuar, të lidhur thellësisht me krimin, që edhe vetë janë përgjegjës për mos zbulimin e këtij rasti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".