Opozitarët e dënuar nga populli po e xhelozojnë Qeverinë pa fije turpi

Opozitarët e dënuar nga populli po e xhelozojnë Qeverinë pa fije turpi
Opozitarët e dënuar nga populli po e xhelozojnë Qeverinë pa fije turpi

Gani Qarri

  • 16 January 2024 - 07:57

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Gjithnjë e më e padurueshme, po bëhet mënyra inatçore e fyerjes së inteligjencës së qytetarëve dhe opinionit të vetëdijesuar të Kosovës, nga politikanët e dështuar opozitar, nga shitësit e tokave të Kosovës dhe uzurpatorët e pasurive të vendit, të cilët nënshkruan "Sajednicën dhe votuan atë edhe në Kuvend, në luftën me përralla, që nuk i besojnë më as ata vet, për grabitjen e meritave, të cilat mbarë populli i Kosovës e di, madje edhe dokumentet ndërkombëtare vërtetojnë, se nuk i takojnë asnjë udhëheqësi të inkriminuar të partive në opozitë, por vetëm Qeverisë aktuale në pushtet.

-Sjellja e politikanëve të dështuar, po bëhet shumë qesharake, deri në banalitet, menjëherë pas bërjes publik të lajmit, se Qeveria Kurti ka blerë armët më moderne raketore kundër tankiste "Javelin" nga shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën për grabitjen me çdo kusht të meritave. Udhëheqësit e opozitës, kanë futur në përdorim edhe gënjeshtra nga më të pabesueshmet që në vrap e sipër, kanë filluar ti shpikin partitë e tyre politike, për ti marrë secila për vete, meritat për armatimin e Ushtrisë, që së fundi e realizoi Qeveria Kurti, duke deklaruar se ishin ata, pra ish pushtetarët e korruptuar që qysh në mandatin e tyre e paskan pasur, "gati" ta "jetësonin" po këtë plan, por pa dhënë shpjegime se pse nuk e realizuan, ngas duket hapur që u mungojnë argumentet! Kështu që mjaftoi vetëm bërja publike e vendimit të Qeverisë së Kosovës për blerjen e raketave ‘Javelin’, që ta vej në siklet aq të pa përshkruar opozitën, aq sa ka shpërthyer një nga garat më të ashpra edhe ndërmjet politikanëve të opozitës, se kush do ti vjedhë më parë dhe në përmasa sa më të gjera, meritat e Qeverisë në pushtetit, për ti mbuluar pazaret që ata kanë bërë për dy dekada, në dëm të shtetit, duke shitur edhe dhjetëra mijëra hektar toka autoktone të Kosovës, shteteve hegjemoniste fqinje, të cilëve pasi vodhën e plaçkitën çdo gjë, tani u ka shpërthyer dëshira për të grabitur edhe meritat e Qeverisë Kurti.

Madje kreu i mini partisë të ashtuquajtur "Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës", Ramush Haradinaj, përveçse e quajti, kërkesën e Qeverisë Kurti për raketat "Javelin", të vonuar "me vite", tha se blerja e raketave, paska qenë në planin 10-vjeçar të zhvillimit të ushtrisë, qysh gjatë mandatit të tij qeverisës, por duket se paratë i kishte shpenzuar gabim, duke paguar firmat e huaja, si "Majorelle PR & Event`s" përmes ministres së Integrimeve Evropiane, në vitin 2019, me 168 mijë euro të taksapaguesve,jo për të blerë municion as armatim, por për të promovuar ndarjen e Kosovës, në kryeqytetet evropiane! Andaj krekosjeve opozitare u është dhënë përgjigja e duhur, nga përfaqësuesi i partisë në pushtet, deputeti Enver Dugolli, i cili ka publikuar edhe faktet grafike ku tregohet qartë, se sa i ulët ka qenë buxheti për armatim gjatë qeverisjes Haradinaj, dhe sa është rritur buxheti për armatimin e ushtrisë, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit. Dugolli ka deklaruar se është vërtetë, për tu habitur se si ata që në mandatet e tyre nuk kanë vepruar, tash për inate politike sillen në këtë mënyrë të paturpshme, duke marr lëvdata për vete, pa treguar, se fare nuk kanë qenë të interesuar ta pajisin ushtrinë e Kosovës me "Javelin" as lloje të armatimeve tjera.

Thënë të drejtën kam pritur që lajmit të Qeverisë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemeve raketore anti tank “Javelin”,do t’i gëzoheshin të gjithë, por ja që nuk po del ashtu”, madje kundër vëmendjes dhe angazhimit të Qeverisë Kurti për të investuar në Mbrojtje dhe Siguri, çuditërisht paska reaguar edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.... Dhe sikur mos të mjaftonin përrallat për fëmijë të Haradinajt, për blerjen e armatimit të shtetit të Kosovës nga SHBA, reagime erdhën edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, prej nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, shprehu variantin e përrallës së partisë së tij, se kinse blerja e armatimit, nuk paska qenë nga Haradinaj, as nga Qeveria e Kosovës, por nga ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli!? Madje ai është përpjekur që edhe donacionin e dhuruar amerikan me mjetet e blinduara “Humvee”, të cilat me 25.07.2020, ju dhanë falas FSK-s, ta "apostrofojë" si fillim të blerjes së armatimit, jo nga Haradinaj, por nga kryetari i tij, Kadri Veseli.

 Ndërsa për çështjen e blerjes së armatimit nga SHBA-të, edhe Haxhiu kërkon të jep llogari kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kurse për kontraktimin e blerjes së armatimit nga SHBA me qëllim të mbrojtjes së vendit, Haxhiu thotë se Kosova do të jetë e sigurt me anëtarësimin në NATO dhe aleancë të përhershme me SHBA dhe BE”. E një përgjigje rreth këtyre zhvillimeve e ka bërë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili e ka demantuar komplet opozitën, duke sqaruar për opinion, se ky investim për ushtrinë ka nisur gjatë Qeverisjes së kryeministrit Kurti në kohën sa ai ka qenë ministër i mbrojtjes, kur janë kontraktuar jo vetëm raketat “Javelin” dhe blerë Dronët Bajraktar, por edhe shumë sisteme e kontingjentet të tjera, që janë në proces, të cilat konsideron se duhet të mbesin pa u bërë publike, sepse ato janë vetëm në shërbim të interesit kombëtar dhe jo pjesë e garës për poenë politike.

Mehaj ka treguar se janë shpenzuar mbi 292 milion euro gjatë mandatit të tij për furnizimin e FSK-s me lloje të ndryshme armatimi, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë që, kësaj radhe të blejë 246 raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim dhe siguri, DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin që prodhohen nga SHBA-ja dhe pajisjeve të tjera, për Kosovën. Dhe Departamenti amerikan i Shtetit, ka vendosur të miratojë shitjen e pajisjeve të kërkuara ushtarake nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, për përdorimin nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e DASH-it. DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së për shitjen e këtyre armëve, për të përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon dhe pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".