Të arrestohen kriminelët serb të luftës me ulëse deputeti në Kuvend

Të arrestohen kriminelët serb të luftës me ulëse deputeti në Kuvend
Të arrestohen kriminelët serb të luftës me ulëse deputeti në Kuvend

Dardan Grapci

  • 13 February 2024 - 07:48

Shkruan:ANALISTI - Dardan Grapci

Për të ja filluar me hetime dhe arrestimin e pa kompromis të kryesve të veprave penale, akte kriminale të luftës së fundit në Kosovë duhet të fillohet që nga deputetët serb, sepse disa nga ata që tani ashiqare na dalin të dyshuar dhe duhet hetuar për të kaluarën e tyre të inkriminuar, përfshirë edhe në krimet lufte. Pasi të pastrohet situata me të dyshuarit të zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës, duhet të hetohen për krime lufte dhe arrestohen pa vonesë edhe qytetarët Serb që janë sado pak të dyshuar për kohën e luftës kur kanë qenë të mobilizuar dhe bashkëvendësit e tyre shqiptar kanë informata për lëvizjet e tyre gjatë luftës, vendet ku ata kanë operuar, nëse janë duke jetuar momentalisht akoma në Kosovë.

-Për krimet e luftës gjithmonë duhet filluar hetimet nga njerëzit e politikës. Sa ju përket krimeve serbe në Kosovë, së pari duhet të merren në arrest Goran Rakiq, Sllavko Simiq dhe Petar Petkoviç për organizimin e sulmeve me 24 shtator të vitit të kaluar (2023) në Banjskë, dhe për lejimin e hyrjes në Veri të Mitrovicës të grupit kriminal serb së bashku me Radojçicin. Ky fakt duhet të jetë pistë hetimi për përfshirjen e tyre eventuale në krime lufte edhe gjatë viteve 1998-1999 e këtej.

Kur të përfundon ky aksion atëherë duhet ti bëhet presion Serbisë me ndihmën e SHBA-s që edhe paramilitarët tjerë serb të cilët kanë marrë pjesë në luftën e fundit kundër Kosovës, për të cilët ka dosje në institucionet e drejtësisë në Kosovë, të sillen-ekstradohen në Prishtinë për tu Gjykuar për krimet dhe vrasjet e mijëra qytetarëve të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk guxon në asnjë mënyre ti neglizhojë këto dosje kundër serbëve që janë të dyshuar se kanë kryer krime, por duhet menjëherë të veprojnë e mos të rrinë si kauboj me këmbë në tavolinë dhe kompjuter duke luajtur lojëra. Praktika e deritashme e neglizhimit të proceseve gjyqësore për krime lufte na e krijon bindjen se Prokuroria Speciale e Kosovës është duke i neglizhuar dhe zvarritur dosjet e dy dekadave të mbledhura e të argumentuara për kryesit e krimeve të luftës në Kosovë, e që ndërlidhen me shumë persona të njohur nga qytetarët, ish bashkëfshatar e bashkëqytetar serb të mobilizuar në formacionet paramilitare, ushtarake e policore serbe.

Për tri vitet e kaluara, periudha 2020-2023, raportohet se janë ngritur vetëm 23 aktakuza për krime lufte. Kjo shifër është bërë publike nga një raport i publikuar prej Fondi për të Drejtën Humanitare. Arsyetimi i zyrtarëve të Prokurorisë Speciale akoma është mungesa e kapaciteteve për tu marr me këtë fushë penale. Është raportuar se nga viti 2016 deri në vitin 2019 janë ngritur 12 aktakuza ndaj 13 personave. Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2023 janë ngritur 23 aktakuza ndaj 76 personave. Sidoqoftë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës kanë theksuar se janë 32 zyrtarë që merren me raste hetimore, por sfidat janë të kohës së kaluar, sepse ka kaluar kohë e gjatë prej luftës së fundit në Kosovë dhe shumë gjurmë kanë humbur. Ky është pra alarmi më serioz që bije mbi institucionet tona për të fuqizuar këtë sektor të drejtësisë me kapacitete të trefishuara për të mos lejuar devalvimin e rasteve, humbjen e provave, dhe të dëshmitarëve, nga të cilat pastaj përfitojnë kryesit e krimin nga parashkrimi i rasteve dhe përfitimi nga koha i vetë amnestimit.

Nuk duhet harruar se vite më parë, është raportuar për refuzimin nga ana e institucioneve të drejtësisë për trajtimin e rreth 25 mijë padive që kanë ushtruar qytetarët dhe bizneset për kompensimin e dëmeve të luftës nga ana e Serbisë. Për të mos na u përsëritur një situatë e tillë edhe tani, institucionet e drejtësisë duhet të kenë një mbikëqyrje më të fuqishme të trajtimit, madje me prioritet të dosjeve për krime luftë, duke vendosur në departamentin për krime lufte Prokuror e gjyqtar të dëshmuar që nuk i nënshtrohen stazhit dhe kërcënimit, por e bëjnë punën e tyre në mënyrë krejt profesionale. Departamenti për Krimet e luftës duhet të pastrohet nja individët me hipotekë të së kaluarës.

Është fjala për shumë individë që gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, periudhës së okupimit, apo edhe gjatë luftës u kanë shërbyer me devotshmëri të lartë kundërshtarëve e armiqve në realizimin e interesave të tyre, dhe në dëm të popullit shqiptar të Kosovës. Pra tash është koha kur në këtë vend do të sundoj ligji, të gjithë ata që i janë nënshtruar interesit të Serbisë dhe kanë shkelur interesat e popullit shqiptar, ligjin dhe sistemin kushtetues, do të mund të dënohen për tradhti kombëtare e shtetërore, e të mos flasim për përjashtim, pastrim nga institucionet e shtetin, duke filluar nga këto të drejtësisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".