Problemet me Serbinë nuk përfundojnë vetëm me njohjen e Pavarësisë

Problemet me Serbinë nuk përfundojnë vetëm me njohjen e Pavarësisë
Problemet me Serbinë nuk përfundojnë vetëm me njohjen e Pavarësisë

Nue Oroshi

  • 25 February 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

BE në këto bisedime ka ndjekur politikën "ngre e mos këput". Me këtë politikë mund të bisedohet edhe për 20 vjet të tjera dhe të mos ketë fare rezultat. BE, para se të fillonte me tema të reja, ka qenë e nevojshme të shqyrtonte se sa janë respektuar marrëveshjet e bëra më herët. Por, derisa Serbisë i lejohet një fushëveprim politik, ajo është e gatshme në çdo moment të shkelë çdo marrëveshje të nënshkruar.

-Në këtë aspekt, BE duhet t’i vendosë vetëm një kusht Serbisë: njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës në kufijtë që ka sot Republika e Kosovës. Pas njohjes, mund të zhvillohen bisedimet teknike për tema të caktuara. Serbia duhet të kthejë edhe mijëra kufoma që i ka hedhur në varreza masive në Serbi. Gjithmonë, ndërmjetësuesi i cili ka mundësuar pajtimin e palëve, ka qenë i nevojshëm të vendosë një afat kohor për përmbylljen e bisedimeve. Bisedimet nuk mund të zgjasin deri në pafundësi. Unë mendoj se është e nevojshme që Evropa ta përmbyllë këtë proces politik të bisedimeve ose të deklarohet hapur se këtë çështje ia kalon Amerikës.

Unë mendoj se Amerika do ta rregullojë këtë çështje. Por, problemet historike dhe politike me Serbinë nuk përfundojnë vetëm me njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Ajo duhet t’i kthejë shqiptarëve edhe shumë territore të tjera që na i ka marrë me dhunë dhe terror që nga viti 1876 e deri në vitin 1999. Gjithmonë, Serbia është zgjeruar në dëm të tokave shqiptare. Por, fatkeqësi është se politika jonë shqiptare në shumicën e rasteve ka qenë jo profesionale dhe nuk është angazhuar për të përgatitur një koncept kombëtar. Ajo nuk ka arritur të argumentojë faktet historike, politike, ekonomike, kulturore dhe arkeologjike për t’i thënë njëherë e përgjithmonë Serbisë se duhet t’i kthejë tokat shqiptare, dhe se në Dardani nuk ka pasur e as ka asnjë pronë të saj. Të gjitha i ka uzurpuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".