
Lexoni edhe:
Amerika nuk do t’i plotësojë dëshirat Rusisë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Që nga çlirimi i Kosovës prej okupimit serb, Albin Kurti është politikani i parë vendor që e ka kuptuar në kohën e duhur rastin për shtrirjen e shtetësisë, konfirmimin në terren të sovranitetit dhe parandalimin e “Donbasëve” dhe skenarëve të tjerë të rrezikshëm serb në veri të vendit tonë, për shndërrimin e Kosovës në Ukrainën e Ballkanit Perëndimor, duke ndërmarrë edhe vendime të vendosura, vepruar shpejt dhe goditur mu në pikat e duhura në përputhshmëri me situatën, duke angazhuar tërë kapacitetet institucionale dhe koordinuar në mënyrë të shkëlqyeshme veprimet shtetërore, në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Amerika nuk do t’i plotësojë dëshirat RusisëLexoni edhe:
-Por përveç zënies në befasi të Serbisë, shtrirja e shtetësisë në veri ka të ngjarë ta ketë penguar fort edhe ndokënd tjetër, e ndoshta edhe deri te njerëz të caktuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kur të kihet parasysh fakti se personalisht vet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ishte ai që i ka hequr aktakuzën kryeterroristit serb, Milan Radojçiq dhe kurrë nuk ka bërë sqarime pse e si, as ka dhënë përgjegjësi ligjore për këtë akt makabër.
Andaj, shtrohet pyetja se pse mu kjo prokurori e famshme tani po e përndjekë me kaq kryeneçësi kryeministrin e Kosovës, akt i cili përveçse lë përshtypje të hidhur, krijon edhe dyshime të mëdha, se mos vallë, pas çlirimit të suksesshëm të veriut të Kosovës nga bandat kriminale e terroriste të Milan Radojçiqit, edhe vet kryeprokurori, apo dikush nga Prokuroria Speciale, kanë interesa të përbashkëta me Serbinë?!
Përndryshe, të kërkohet me gjithë këtë ngulmë pak para zgjedhjeve dhe të nxitohet kaq fort menjëherë pas zgjedhjeve që Kryeministri Albin Kurti, me patjetër dhe me detyrim të defilojë para prokurorëve, për të dhënë dëshminë për një rast që nuk kishte të bënte as atëherë, e aq më pak sot, me sigurinë e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës, këtu duket se është në pyetje një lojë shumë konfuze, e dyshimtë dhe tepër meskine.
Po të pyetesha unë, kjo lojë nuk do duhej lejuar të vazhdojë, as ti shqetësojë nervat e qytetarëve dhe njëri nga dy protagonistët kryesorë të kësaj afere politike, ose Albin Kurti për mosdhënien e dëshmisë, ose Blerim Isufaj për heqjen e aktakuzës kundër Milan Radojçiqit, do duhej të shkonte urgjentisht në burg.
Albin Kurti për faktin se për katër vjet në pushtet, nuk u tregua i zoti ta zëvendësojë Blerim Isufajn as ta spastrojë Prokurorinë Speciale nga njerëz si Blerim Isufaj & Co, dhe i ka fut frikën mbarë opinionit se nuk do mund ta spastrojë dhe të fusë Vetting-un, as në katër vitet e ardhshme për ta reformuar njëherë e mirë dhe si duhet drejtësinë e kalbur të Kosovës.
Kurse Blerim Isufaj për faktin se përveç lojërave të dyshimta që mund të ketë luajtur në të kaluarën, deri te heqja e akuzës kundër kryeterroristit Milan Radojçiq, ai mund të jetë duke përgatitur edhe afera tjera, bashkë me shokë nga politika, apo edhe në koketim me Serbinë, ndaj kjo gjendje është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe duhet përfunduar sa më shpejt, duke u dhënë sa më parë, zgjidhje gjërave.
Ftesa, ashtu siç ishte politike para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve, ka nuanca më tepër se politike dhe prapa saj duket se fshihen edhe inate tepër të thella personale të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili pasi i hoqi akuzën kryeterroristit serb dhe e liroi nga ndjekja penale Milan Radojçiqin, shpresonte se ndoshta si shpërblim të këtij akti makabër, ai do të emërohej edhe kryeprokuror i shtetit të Kosovës, sikur Kosova të mos ishte shtet i pavarur, por enklavë e Serbisë me guvernator vetë Aleksandër Vuçiqin.
Prandaj jam i bindur se çështja nuk ka të bëjë aq fort me rastin, sa me hijezimin me çdo kusht të personalitetit të vet kryeministrit Albin Kurti, veçanërisht pas marrjes së shumicës dërrmuese të votave nga LVV, me të cilat janë ndarë shumë të pakënaqur Aleksandër Vuçiqi e Ana Bërnabiq, por edhe Opozita, por mbi të gjitha, më e pakënaqura duket të jetë ndarë Prokuroria Speciale, nga frika e humbjes së postit nga kryeprokurori i saj, i "pazëvendësueshëm", andaj derisa qindra e ndoshta mijëra raste tjera më prioritare presin me dhjetëra vite në sirtar, nga Prokuroria Speciale kërkohet medoemos, patjetër dhe me nxitim të paparë, që kryeministri i vendit të defilojë medoemos para prokurorëve.
Për aq më tepër, kjo prokurori na mbanë vazhdimisht gati të përditshme, njëjtë si hoxhallarët, për iftaret në Ramazan, edhe përmes zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, duke u shprehur në "mënyrën dëshirore", se si Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, por që edhe pas konfirmimit të saj "dinjitoz", kjo nuk ndodhi.
Zyra e Kryeministrit, përmes zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, në përgjigjen e publikuar në Facebook javën e kaluar, deklaroi se “Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij”, por duke pasur parasysh se “agjenda e Kryeministrit është shumë e ngjeshur", ai ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit.
E nëse dëshmia nuk merret, ZKM mendon se ka dyshime të forta që kjo thirrje ka motiv politik, e jo ligjor, përndryshe një prokurori që dëshiron ti përshpejtojë gjërat dhe përfundojë hetimet, nuk do duhej të priste as të presë kaq gjatë që Kryeministri Kurti të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit.
Kryeministri Kurti edhe para zgjedhjeve ka kërkuar nga Prokuroria që ta intervistojë në zyrën e tij, dhe për këtë qëllim, ai kishte ofruar edhe dy data, kur do të mund të intervistohej, por ato nuk i kishte pranuar Prokuroria Speciale, ndoshta edhe për faktin se Prokuroria nuk kishte si ta propagandonte intervistimin e Kryeministrit, në media me pamje dhe fotografi, për të cilat duket se Prokuroria Speciale e ka pretendimin kryesor të padeklaruar dhe sikletin më të madh, që tanimë përfundimisht nxitë dyshimet se është shndërruar në sëmundje të rëndë, e cila përveç nevojës për trajtim urgjent, ndoshta kërkon edhe ndërhyrje me prerje cezariane, duke dërguar në burg ose Albin Kurtin, ose Blerim Isufajn, përndryshe avaria e inskenuar, nuk do të sanohet dhe tregimi i muskujve do të vazhdojë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".