
Lexoni edhe:
NATO-ja është fuqi e madhe ushtarake, dhe nuk mendojnë të gjithë njëzëri si në koret e këngëve
Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri
Konsideroj se prononcimet nga akterë të ndryshëm të Lëvizjes Vetëvendosje! mbi formimin e qeverisë në një kohë mjaft rekord nuk qëndrojnë krejt rastësisht, pra ka diçka të vërtetë aty. Zgjedhjet nacionale vërtet nuk prodhuan rezultat krejtësisht të qartë sa i përket shumicës për ta mundësuar kështu konstituimin e organeve shtetërore, por mendoj se partia fituese ose do të detyrohet të organizojë një koalicion qeverisës, ose do të peshkojë mandate nëpër parti të tjera politike për të mundësuar kështu formimin e ekzekutivit.
Kreu i partisë fituese mendoj se do të jetë sërish kryeministër, ani pse nuk gëzon mbështetje absolute, dhe kjo gjë do të ndodhë pasi në vjeshtën e këtij viti i kemi zgjedhjet lokale, dhe në asnjë mënyrë Vetëvendosja nuk do të tolerojë të hyjë në këtë proces me kryeministër nga partitë e tjera. Pra, është një formë obligative e drejtimit të organeve shtetërore, përfshirë këtu edhe pjesën e projekteve nacionale që kanë mbetur në gjysmë.
Ndërsa në lidhje me sistemin e drejtësisë, Kosova, mjerisht, gjendet në një sistem jo transparent të drejtësisë, dhe kjo mandej ka krijuar kushte valide në drejtim të mosbesimit. Natyrisht, një perspektivë e tillë nuk i shkon për shtati shoqërisë. Në këtë dimension, pretendoj se qëndron edhe versioni i kreut të qeverisë, i cili ka refuzuar disa herë kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Kosova çdo ditë ballafaqohet me probleme bazike që vijnë si rezultat i mungesës së transparencës dhe aktivitetit të sistemit penal, dhe nga një fenomen i tillë duket sikur siguria ka kaluar në rrafsh individual. Kjo është e dëmshme dhe pa perspektivë për të ardhmen tonë, duke mos krijuar kushte për jetë dinjitoze dhe mirëqenie. Dhe në mes të kësaj situate, mendoj se rruga drejt një hetimi dhe filtrimi adekuat do të ishte reforma në drejtësi, respektivisht Vettingu, për të mundësuar kështu një sistem më të pavarur dhe autonom.
Si përfundim, vlerësoj të dobishme formimin e organeve shtetërore, duke e çuar këtë qeveri në misione jetike, ndër të cilat reforma në drejtësi si një mundësi e veçantë për parandalimin e kriminalitetit dhe të gjitha dukurive negative, të cilat, dorën në zemër, çdo ditë e më shumë po e tronditin vendin tonë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".