KU MBETI BETIMI I DEPUTETËVE TË PARLAMENTIT TË KOSOVËS?!

KU MBETI BETIMI I DEPUTETËVE TË PARLAMENTIT TË KOSOVËS?!
KU MBETI BETIMI I DEPUTETËVE TË PARLAMENTIT TË KOSOVËS?!

Ismail Muçiqi

  • 06 May 2025 - 12:04

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Për të dhjetën herë, deputetët e Parlamentit të Kosovës, të cilët u betuan se do të punojnë për shtetin e Kosovës dhe për të mirën e qytetarëve, ende pa e filluar mandatin e rregullt mashtruan popullin duke u barikaduar kundër themelimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Kjo mendësi e njerëzve që merren me politikë është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur popullit të Kosovës. Askush nuk do ta besonte se në vitin 2025, politikanët që thirren në emër të popullit do të vepronin në këtë mënyrë – duke u përçarë përmes inateve dhe rivalitetit ekstrem kundër Kosovës, e cila ende i ka plagët e pashëruara nga vuajtjet e shumë gjeneratave, burgjet, vrasjet dhe lufta me Serbinë. Nuk ka mbetur asnjë vlerë apo ndonjë shpresë se këta njerëz kanë për qëllim ta ndërtojnë të ardhmen e këtij vendi.

Dështim pas dështimi, seancë pas seance, irritim pas irritimi – gjithçka në dëm të popullit. Seancat e njëpasnjëshme të Parlamentit të Kosovës po zbulojnë fytyrën e vërtetë të liderëve partiakë dhe të deputetëve servilë pa dinjitet, të cilët fshihen pas “hileve” për të krijuar sa më shumë mjegull dhe kaos në këtë vend. Pas dështimit të seancës së sotme, Partia Demokratike, përmes zëvendësit të saj Memli Krasniqi – i cili thirret si kryetar – u prononcua me deklarata plot demagogji, duke tentuar ta bindë popullin për parimet e tij dhe të partisë. Edhe adoleshentët në politikë, e dinë se shefi i vërtetë i Partisë Demokratike është Sami Lushaku, e jo Memli Krasniqi. Është e dhimbshme dhe mjeruese për këtë vend që partitë politike Shqiptare po rreshtohen sipas konceptit të deputetëve të Listës Serbe. Kjo u dëshmua sot, kur kryesuesi i seancës propozoi një minutë heshtje për dëshmorët e Kosovës, ndërsa deputetët e Listës Serbe nuk e përfillën fare këtë propozim njerezor. Qytetarët e panë përmes ekranit televiziv, në seancën e kaluar, kur Ilmi Reçica u gjend në siklet – kur deputetët e Listës Serbe, një nga një, u ndalën te ulësja e tij për ta përshëndetur. Kjo tregon hilet dhe aleancat që bëhen për interesa personale. Raportet ndërmjet partive politike shqiptare në Kosovë nuk kanë qenë kurrë më destruktive se tani. Në këtë valle janë futur edhe Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të cilat po manipulojnë edhe me deputetët e minoriteteve, që kanë filluar ti testojn Institucionet e Kosovës. Se si do të rrjedhin ngjarjet, mbetet të shihet, por imazhi dhe kredibiliteti i kësaj klase politike ka rënë për tokë. Ka ardhur koha që gjenerata e re dhe shtresa intelektuale të vetëdijësohen sa më parë dhe të aktivizohen për t’i mbrojtur vlerat njerëzore të këtij populli, duke e ruajtuar dhe rendin Kushtetues. Kjo iniciativë duhet të dalë në sipërfaqe për t’i larguar këto struktura politike, të cilat po e mbajnë peng Shtetin e Kosovës për interesa personale, financiare e karrieriste. Andaj, në fund shtrohet pyetja: A u besohet ketyre deputetëve të cilet e dhanë betimin ne mbledhjen e Parlamentit pas qertifikimit të zgjedhjeve?!.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".