Presidentja, Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi ndodhen në spiralë të pasivitetit

Presidentja, Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi ndodhen në spiralë të pasivitetit
Presidentja, Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi ndodhen në spiralë të pasivitetit

Arsim Aziri

  • 07 May 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Nëse kriza e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve vazhdon pa ndërhyrje aktive nga presidentja, atëherë mund të flitet për një mungesë përdorimi të autoritetit, ndonëse jo domosdoshmërisht shkelje. Kushtetuta i jep presidentes kompetenca të kufizuara në këtë fazë, por jo edhe pa ndikim. Ajo ka mandatin moral dhe politik për të thirrur liderët e partive, për të ndërmjetësuar dhe për të përcjellë sinjale të qarta për nevojën e respektimit të afateve dhe ligjshmërisë. Mungesa e një qëndrimi të prerë, ose pritja pasive e zhvillimeve, mund të perceptohet si dështim në përmbushjen e rolit shtetformues që presidentja vetë ka artikuluar shpesh në të kaluarën.

 

-Gjykata Kushtetuese në Kosovë është shpesh vendosur në qendër të krizave politike, por roli i saj mbetet interpretativ, jo ekzekutiv. Ajo mund të përcaktojë se çfarë është kushtetuese apo jo, por nuk ka fuqi ta zbatojë vendimin me forcë, përveç nëse ekziston vullnet politik për t’i respektuar vendimet e saj.

Në këtë kuptim, kur palët politike janë në krizë legjitimiteti ose konflikt interesi, Gjykata rrezikon të mbetet një autoritet i abstraguar, më afër një “filozofe” të të drejtës sesa një mekanizëm aktiv zgjidhjeje. Megjithatë, ajo mbetet e vetmja instancë që mund të vendosë përfundimisht mbi interpretimin e Kushtetutës — dhe kjo nuk është pak.

Ndërsa është shumë e mundshme që boshllëqet ligjore, së bashku me mungesën e saktë të definimit të afateve dhe të detyrimeve konkrete për konstituim të organeve, po përdoren si mjet për të fituar kohë, për kalkulime politike, apo edhe për zbehjen e presionit të opinionit publik. Mungesa e grupeve parlamentare si strukturë funksionale vetëm e përforcon këtë situatë të paqartë. Kjo tregon për një mungesë serioze të vullnetit politik dhe një kulturë të zvarritjes institucionale, që nuk është e rrallë në sistemet politike të brishta.

Presidentja, Gjykata Kushtetuese dhe struktura parlamentare ndodhen në një spiralë të ndërsjellë të pasivitetit, ku asnjëra nuk merr apo posedon guximin për të vepruar me forcën e autoritetit moral e ligjor, në mënyrë që vendi të mos mbetet në një krizë të rëndë institucionale. Dhe për sa kohë kjo vazhdon, mungesa e institucioneve të plota jo vetëm që e zbeh rendin kushtetues, por e shtyn vendin drejt një normalizimi të krizës, duke çuar kështu sinjale jo të mira edhe për aleatët tanë, të cilët janë vula kryesore për shtetformimin tonë.

Vendi ynë, qysh moti, specifikisht gjatë regjimit të kaluar, ka ditur në mënyrë të përkryer të rrënojë dinjitetin kombëtar, për t’i ndihmuar kështu normalizimit të dukurive negative.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".