
Lexoni edhe:
Kur Kuvendi nuk funksionon, deputetët realisht nuk e përmbushin mandatin për të cilin janë zgjedhur
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Vërtet, skena politike e Kosovës sot është bollshëm e kontaminuar. Dhe, përzgjedhja ndër partitë aktuale të painkriminuara është e kufizuar. Megjithatë, krahasuar me kohën kur Presidenti Rugova kishte alternativë të vetme, ose të koalicionohej me partitë serbe, me armiqësi të hapur ndaj Kosovës, të dirigjuara nga Beogradi, ose të zgjidhte njërën nga partitë e kriminalizuara, PDK, AAK, të penalizuara me vrasje faktike të kundërshtarëve politikë shqiptarë, përkatësisht, ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe të kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së, si dhe të veprimtarëve të hershëm të LPK-së, për ta shmangur konkurrencën, për pushtetin e pritshëm në Kosovën e lirë!
-Presidenti Rugova vlerësoi arsyeshëm se, megjithatë, krijimi i qeverisë nuk ka alternativë. Dhe, përkundër disponimit të anëtarësisë masive të LDK-së, të popullit dhe të shqiptarëve të kudondodhur, vendosi ta bëjë koalicionin, duke e zgjedhur njërën nga dy partitë, atë më pak në numër. Arsyetimi ishte sa i sinqertë, aq edhe bindës për shqiptarët: "Zgjodha për koalicion partinë më të vogël në numër, por jo edhe më pak të inkriminuar". Madje, edhe pse minore në raport me fituesen plebishitare, LDK-në, ia besoi postin e kryeministrit të vendit Ramush Haradinajt!
Për ndryshim nga ajo kohë zezonë e pas luftës së përgjakshme, kur vrasjet politike cilësore të përjavshme ishin bërë, paradoksalisht, normalitet, sot Kosova është në rrethana e mundësi reale për të zgjedhur koalicionin e pranueshëm. Sepse, në mesin e 5 (pesë) partive parlamentare shqiptare, dy sosh, respektivisht, LDK dhe LVV, janë të painkriminuara. Dhe, këto mjaftojnë për ta nxjerrë nga "kriza" e stisur, e shpikur nga opozita e koalicionuar pa ceremoni, por faktike paszgjedhore, tërësisht e paligjshme, madje e dënueshme: PDK-LDK-AAK-LISTA SERBE, me akronimin – PLAS! E habitshme, madje edhe e pakuptueshme, pse LVV nuk e dërgon në Gjykatën Kushtetuese, bile edhe në Komisionin e Venecias, si shkelje flagrante kushtetuese, sepse të ligjshëm janë vetëm koalicionet parazgjedhore dhe assesi koalicionet paszgjedhore.
Është e marrëzishme kërkesa e opozitës, por edhe e ndocave jashtë militantizmit partiak, kur thonë se "LVV ka edhe 47 deputetë të tjerë, pse nuk propozon një kandidat tjetër për kryetar Kuvendi?!" Ky parlament ka votuar Kadri Veselin, edhe pse kishte pranuar se është kryetar i Organizatës ilegale kriminale SHIK, ndërkohë që refuzon Albulena Haxhiun, e cila është e lirë dhe e dlirë nga të "bëmat" e të cituarit më sipër. Prandaj, zëvendësimi i Albulenës nuk është as numër dhe as emër, por çështje, thellësisht, parimore, dhe lëshimet para krimit prodhojnë krime të radhës në vijimësi.
Koalicioni LVV-LDK do të ishte i natyrshëm, madje i vetmi i pranueshëm nga shumica absolute e shqiptarëve vendorë dhe botërorë. Sepse janë të vetmet subjekte politike parlamentare, të cilat, deri më tani, nuk janë kriminalizuar, siç ka ndodhur me tri partitë e tjera: PDK-AAK-NISMA, dikur dhe përsëri tani, pjesë e koalicionit kriminal PAN! Andaj, koalicioni LVV-LDK dhe pakicave jo serbe, nuk është kompromis për mbijetesë institucionale, por një zgjidhje reale për stabilitet politik.
Kjo do të ishte zgjidhje, jo vetëm për zhbllokimin e një ngërçi super artificial, të bërë nga Vuçiqi, në koordinim të faktuar me opozitën PAN-iste, me qëllim të pengimit të Kurtit ta lëndëzojë, respektivisht, të vazhdojë qeverisjen 4 (katër) vjeçare, frikë reale e shprehur nga tellalli i PDK-së, Abelard Tahiri: "Më e keqe se bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës është, nëse Albin Kurti do të arrinte ta formonte Qeverinë", qartëson synimet revanshiste të kthimit në pushtet të subjekteve të kriminalizuara, përkatësisht, të koalicionuara në PAN.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".