Nga Gaza në Kosovë: A po përgatit Vuçiq skenarin Netanyahu?

Nga Gaza në Kosovë: A po përgatit Vuçiq skenarin Netanyahu?
Nga Gaza në Kosovë: A po përgatit Vuçiq skenarin Netanyahu?

Fadil Maloku

  • 24 June 2025 - 16:02

Shkruan: Prof.dr Fadil Maloku

1. Përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës iraniano-izraelite, pra mundësia e infiltrimit të aktorëve të tjerë globalë si Kina apo Rusia, sipas gjykimit tim sociologjik, do ta hapte në mënyrë të pakthyeshme “kutinë e Pandorës” për një kaos të paimagjinueshëm – jo vetëm për Lindjen e Mesme, por për mbarë botën. Një skenar i tillë, pa asnjë dyshim, do t’u shtonte ambiciet ekspansioniste shumë vendeve të brishta, veçanërisht fuqive rajonale si Rusia (në hapësirat post-sovjetike) dhe Serbia në Ballkan, duke u dhënë atyre alibi të reja për veprime destabilizuese nën petkun e “mbrojtjes kombëtare”. Në politikën moderne autoritare, është bërë tashmë e qartë se një nga taktikat më të preferuara të lidershipëve të pasigurt dhe të kërcënuar është inskenimi i konflikteve të kontrolluara. Këto konflikte u shërbejnë si valvul shkarkimi për tensionet e brendshme, por edhe si manual për “mirëmbajtjen” e pushtetit autokratik dhe populist.

2. Kjo përvojë po instalohet ngadalë, por me siguri, pa marrë parasysh asnjë marrëveshje ndërkombëtare (si ato të OKB-së), dhe është testuar e përdorur vazhdimisht nga liderë si: Vladimir Putin në Rusi, Bashar al-Assad në Siri, Rodrigo Duterte në Filipine, dhe në mënyrë të theksuar nga Benjamin Netanyahu në Izrael – sidomos gjatë gjenocidit të pashembullt ndaj popullsisë palestineze në Gaza, që tronditi tërë botën e civilizuar. Nëse bëjmë një paralele me ngjashmëri frikësuese midis justifikimeve të përdorura nga Netanyahu dhe atyre që mund t’i përdorë Aleksandar Vuçiq për Kosovën, vërejmë se të dy ndjekin të njëjtën logjikë të pushtetit të kërcënuar: krijimin e një “armik të jashtëm” për të forcuar kontrollin e brendshëm. Por cilat janë motivet që mund ta shtyjnë Vuçiqin drejt një mobilizimi identitar, të ngjashëm me atë të Netanyahut? 

3. Sikurse Netanyahu, ashtu edhe Vuçiq: a)përballet me humbjen graduale të kontrollit moral dhe politik mbi qytetarët e vet; b)është përballë një opozite të radikalizuar dhe protestash të mëdha qytetare (të nxitura nga manipulimet zgjedhore, dhuna ndaj opozitës dhe kriza e sistemit të drejtësisë); c) ndodhet nën një presion ndërkombëtar të moderuar për implementimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit – që ndonëse nuk kërkojnë njohjen formale të Kosovës, kërkojnë garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke u gjendur në një pozitë jashtëzakonisht të ndërlikuar si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht, ka shumë gjasa të inskenojë një konflikt të kontrolluar në Kosovë. Një konflikt i tillë, ashtu si tek Netanyahu, do t’i shërbente për të mobilizuar nacionalizmin serb, për të shmangur përgjegjësinë për krizat e brendshme dhe për të ruajtur pushtetin përmes mekanizmave të frikës dhe pasigurisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".