Kuvendi në shkronjën ZH: A do t´i përserisim të gjithë vitin shkollor politik?

Kuvendi në shkronjën ZH: A do t´i përserisim të gjithë vitin shkollor politik?
Kuvendi në shkronjën ZH: A do t´i përserisim të gjithë vitin shkollor politik?

Isuf Bajraktari

  • 24 June 2025 - 15:05

Nga Isuf Bajraktari – analist

Pas 36 tentimeve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, jemi në pikën ku kriza institucionale e Kosovës është bërë simbolike dhe shqetësuese. Jemi te shkronja “ZH” e alfabetit, fundi i një cikli që nuk solli as mësim, as rezultat. Në vend të një përmbylljeje të vitit politik me notë kaluese, kemi një klasë të bllokuar ku të gjithë janë duke përsëritur vitin. E në këtë metaforë të zymtë, Kuvendi është bërë një shkollë pa orar, pa mësues dhe pa dëshirë për të mësuar.


Në një demokraci funksionale, mësimi institucional fillon me respektimin e rregullave, vullnetit qytetar dhe kompromisit si mjet bashkëjetese politike. Por në Kosovë, këto janë kthyer në nocione të huaja. Deputetët, që në këtë analogji janë nxënësit, duken sikur janë përfshirë në një lojë personale, e jo në një proces kolektiv ndërtimi shtetëror.
Ndërsa opozita, në vend që të jetë bashkëudhëtare në rrugën e dijes politike, mjaftohet me një pjesëmarrje të heshtur dhe refuzuese, pa shprehur gjithmonë vizion të qartë për dalje nga ngërçi. Megjithatë, një përjashtim i rëndësishëm është propozimi prej 15 pikash i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili synon ndërtimin e një qeverie uniteti kombëtar për tejkalimin e kësaj bllokade të hermetizuar dhe inatçore. Kjo qasje dëshmon se ekzistojnë përpjekje për dialog politik dhe zgjidhje të qëndrueshme, të cilat duhen marrë seriozisht nga të gjitha palët.
Në anën tjetër, partia më e madhe po e luan rolin e vet të shumicës me një lloj vetëbesimi të izoluar, pa ndërtuar platformë gjithëpërfshirëse dhe pa ushtruar diplomaci konstruktive që kërkon gjetjen e marrëveshjeve reale. E vetme, asnjëra palë nuk e çon procesin përpara.
Kryesuesi i seancave, që në këtë metaforë është mësuesi, i ngjan një pedagogu që ka humbur kontrollin e klasës. Ai thërret për rend e disiplinë, por askush nuk dëgjon. E kur as mësuesi nuk komandon dot, nxënësit bëjnë ç’të duan – dhe mësimi dështon.
Në këtë situatë, dilema është e qartë: A do të përsërisin të gjithë klasën apo do të njihet suksesi i atyre që kanë kaluar me notë kaluese? Apo do të vendosim ta fillojmë vitin nga e para, me një plan mësimor të ri dhe me kritere të qarta për notim politik?
36 shkronjat e alfabetit shqip përkojnë këtë vit edhe me 36-vjetorin e themelimit të LDK-së. Por, ndryshe nga alfabeti që përmbyllet, ky cikël politik nuk duhet të vazhdojë në pafundësi. Demokracia nuk është lojë pa fund. Është proces që ka rregulla, ka kohë, dhe ka përgjegjësi.
Zgjidhja nuk është në përsëritje, por në reflektim. Partitë që kanë guximin të dalin nga inatet, të pranojnë peshën e kompromisit dhe të shikojnë përtej interesave afatshkurtra, janë ato që do të meritojnë të udhëheqin. Të tjerët – le të mbeten në bankat e fundit të klasës, për të mësuar nga fillimi çfarë do të thotë të jesh deputet, përfaqësues dhe qytetar i denjë i Republikës.
Sepse në fund të ditës, nuk është vetëm një krizë kuvendi – është një provim i madh i pjekurisë politike të gjithë sistemit tonë demokratik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".