SHBA-të, si një aleat tradicional, kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm

SHBA-të, si një aleat tradicional, kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm
SHBA-të, si një aleat tradicional, kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm

Gani Qarri

  • 25 June 2025 - 07:39

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në rastet kur e gjithë bota perëndimore rreshtohet përkrah SHBA-ve, të cilat ia sollën Kosovës çlirimin nga Serbia, pavarësinë, ngritjen e shtetit, ushtrinë, sigurinë e kufijve dhe garantimin e tërësisë territoriale, është mëse e natyrshme që kryeministri i vendit të dalë në mbështetje të SHBA-ve edhe lidhur me sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit, i cili edhe ashtu Kosovën nuk e njeh si shtet të pavarur, mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë, Kinën e Serbinë dhe gati 70–80% të botës arabe i ka kundër vetes.

 

 

-Politika, mençuria dhe kapja e momenteve vendimtare është dhe mbetet formula më e artë e mbijetesës shtetërore dhe kombëtare të vendeve dhe popujve të vegjël, si Kosova jonë, e cila përveçse është shtet i ri me më pak se 2 milionë banorë, akoma nuk është pranuar në shumicën e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, përfshi anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Andaj vetë kjo flet mjaft qartë se sa të pafuqishëm jemi ne si vend për të qëndruar anash apo edhe për të mbajtur qëndrim neutral, veçanërisht kur bëhet fjalë për ata që na çliruan dhe bënë Kosovën shtet të pavarur!

Presidenti amerikan Donald Trump, lidhur me sulmin kundër programit atomik të Iranit, i përshkroi goditjet ushtarake të SHBA-së ndaj tre objekteve bërthamore iraniane si “sukses spektakolar ushtarak”, të cilat po mbështeten nga pjesa më e madhe e vendeve gjithandej botës. Andaj derisa, siç u shpreh edhe kryeministri Kurti, SHBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Kosovës, si dhe superfuqia demokratike e botës, për Republikën e Kosovës është vërtet nder të rreshtohet pas SHBA-ve dhe të përcaktohet sa më fuqishëm për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe euro-atlantike kudo në botë.

Kosova si një vend i vogël, e varur nga mbështetja e SHBA-ve dhe vendeve të fuqishme perëndimore, përveç sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së kufijve shtetërorë, i duhet mbështetje edhe për njohjet e reja, të cilat i mungojnë vendit tonë dhe nuk mund të sillet ndryshe përveçse të pozicionohet hapur në përkrahje të veprimeve ushtarake të shumicës dhe një superfuqie globale si SHBA-të, që janë edhe ombrella më e fuqishme mbrojtëse e Kosovës.
Kosova nuk ka potencial politik as ushtarak të rrezikojë kurrfarë tensionesh rajonale as ndërkombëtare, se lëre më edhe tensione globale që mund të kishin pasoja për njerëzimin.
Prandaj, përveçse veprim i mençur dhe me vend, përkrahja ndaj SHBA-ve është edhe një akt i sinqertë dhe i domosdoshëm politik për të forcuar, jo pozitën e brendshme të Kurtit, por pozitën e shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, ku pa SHBA-të, me një vend si Kosova e cila as më tepër se 4 muaj pas zgjedhjeve parlamentare nuk është në gjendje të gjejë konsensus ndërpartiak për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të veta legjitime shtetërore, kam frikë se me politikanët që kemi, pa SHBA-të, do ta humbnim edhe shtetin.

SHBA-të, si një aleat tradicional i Kosovës, kanë luajtur në vijimësi rol të pazëvendësueshëm, qysh nga organizimi ndërkombëtar për bombardimet kundër Serbisë, çlirimin e Kosovës nga okupimi shekullor serb, arritjen e pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare, të cilat pa SHBA-të as nuk mund të paramendoheshin. Ndaj është shumë pozitiv portretizimi i Kosovës si shtojcë politike e kësaj fuqie të padiskutueshme globale si SHBA-të.

Ç’është e vërteta, unë në këtë kohë nuk shoh shumë vende që luajnë rol të pavarur as që kërkojnë neutralitet, por shtete që këmbëngulin në angazhim më të fuqishëm diplomatik për të shmangur përshkallëzimin e krizave ndërkombëtare. Ndaj kryeministri në detyrë vetëm sa po e vërteton edhe një herë më tepër miqësinë e përhershme me SHBA-të, edhe me rastin e zhvillimeve më të reja ndërkombëtare.

Kosova, si vend i vogël, së fundi po dëshmohet shumë qartë se ka nevojë tepër të madhe për ndihmë nga SHBA dhe Perëndimi edhe për çështje të brendshme, ndërsa sa u takon çështjeve të jashtme, veçanërisht çështjeve të ndjeshme ndërkombëtare, Kosova nuk ka fuqi të luajë asnjë rol, se lëre më të tentojë të luajë edhe rol të pavarur. Të pavarur nga kush? Nga ata që na çliruan dhe bënë shtet? Pa SHBA dhe shtetet perëndimore, Kosova mund të shndërrohej në Gaza, për të cilën vetë arabët i kanë paluar veshët dhe nuk po janë në gjendje të bëjnë fare asgjë?!

Fakt është se “Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më shumë paqe e zhvillim dhe më pak luftëra e armatim, veçanërisht armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik njerëzimin kudo, sidomos kur këto pretendime shfaqen nga shtete autoritare si Irani, i cili tenton të zhvillojë programe dhe krijojë elemente për armatim nuklear, në kundërshtim me vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare. Ndaj dhe kjo çështje është bërë shumë urgjente për të gjithë. Kështu që, siç shkroi edhe kryeministri në detyrë, Kosova në kontinuitet është dhe mbetet në “përkrahje” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si para ashtu edhe pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit, derisa edhe pjesa më e madhe e botës mbështet qëndrimin e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian kundër programit bërthamor të Iranit për t’u pajisur me armë bërthamore.

E duke qenë se SHBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Republikës së Kosovës, Kosova jo vetëm se është e përcaktuar, por edhe mbetet shumë fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe atyre euro-atlantike të SHBA-ve, një superfuqi demokratike që, siç shkroi kryeministri Kurti, duhet mbështetur në këto dhe rastet tjera.

Aktualisht, akti më i mençur dhe me vend do të ishte shtendosja e tensioneve, duke filluar me zbutjen e qëndrimeve nga vetë Irani, derisa gjendet kaq i vetmuar në ballafaqim me një superfuqi si SHBA, në mënyrë që mos të dëmtohet më tepër dhe, pasi t’i ketë humbur të gjitha, në fund sërish të dorëzohet, duke humbur potencialet ushtarake, ekonomike, shkatërruar resurset natyrore si dhe rrezikuar humbjen e gjithëmbarshme të mbështetjes politike. Pasi që, siç paralajmëroi presidenti Trump, nëse Irani nuk u kthehet bisedimeve dhe nuk përcaktohet për paqe, duke kërkuar zgjidhjen jo me kërcënime për hakmarrje, por me veprime në mënyrë diplomatike, do të dëmtohet edhe më shumë, deri te rrëzimi i qeverisë së mullahëve e ndoshta edhe ndarja e Iranit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".