Përfaqësuesit evropianë duhet të kërkojnë njohjen e Kosovës dhe të vendosin sanksione ndaj Serbisë

Përfaqësuesit evropianë duhet të kërkojnë njohjen e Kosovës dhe të vendosin sanksione ndaj Serbisë
Përfaqësuesit evropianë duhet të kërkojnë njohjen e Kosovës dhe të vendosin sanksione ndaj Serbisë

Qani Shabani

  • 27 June 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Ballkani Perëndimor është shndërruar në skenën e një teatri diplomatik të çoroditur, ku vlerat e shpallura të Bashkimit Evropian bien në kundërshtim flagrant me praktikat e tij në terren. Nën petkun e integrimit dhe paqes, fshihen toleranca e rrezikshme ndaj autokratëve rajonalë dhe indiferenca e qëllimshme ndaj shteteve të reja që kërkojnë drejtësi dhe barazi në arenën ndërkombëtare.

 

-Në qendër të kësaj kontradikte qëndron qasja e BE-së ndaj dialogut Kosovë–Serbi. Serbia, një shtet me histori të dokumentuar të agresionit dhe mohimit të të drejtave të popujve të tjerë, po përkëdhelet nga burokratë evropianë që e konsiderojnë “stabilitetin” më të rëndësishëm se drejtësia.

Në vend që të flasin me gjuhën e drejtësisë dhe parimeve, shumë përfaqësues të lartë të diplomacisë evropiane kanë zgjedhur të fshehen pas një neutraliteti të rremë, duke e kthyer procesin e dialogut në një spektakël hipokrizie.

Ata që në kontekste të tjera tregohen të zëshëm për të drejtat e njeriut dhe integritetin territorial, në Ballkan zgjedhin heshtjen, ambiguitetin dhe barazimin moral midis viktimës dhe agresorit. Kjo qasje nuk është vetëm e gabuar – është politikisht kriminale.

Aleksandar Vuçiq ka përfituar mjeshtërisht nga pafuqia politike dhe frika burokratike e BE-së. Në vend të ndëshkimit për mungesë bashkëpunimi dhe veprime destabilizuese, ai është shpërblyer me platforma ndërkombëtare dhe tolerancë për axhendën e tij hegjemoniste.

Politika e BE-së ndaj Vuçiqit i ngjan një “appeasement-i modern”, që në vend që të frenojë agresorin, e inkurajon atë të shkojë më tej, duke sfiduar rendin ndërkombëtar dhe duke përçmuar çdo përpjekje për ndërtimin e paqes së Ballkanit.

Ky dialog nuk është një instrument i rëndomtë diplomatik. Ai është një gur prove për vetë besueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe për aftësinë e tij për të vepruar mbi bazën e vlerave dhe jo interesave afatshkurtra.

Nëse BE-ja dështon të vendosë linja të kuqe dhe të kërkojë njohje të qartë e pa kushte të Kosovës nga Serbia, atëherë jo vetëm që dështon në misionin e saj në Ballkan, por minon besueshmërinë e saj në skenën globale.

Bashkimi Evropian duhet të zgjohet nga gjumi i diplomacisë së butë dhe të kuptojë se çdo ditë vonesë në imponimin e të vërtetës është një hap më afër destabilitetit të përhershëm.

Përfaqësuesit evropianë duhet të përballen me përgjegjësinë e tyre historike: të kërkojnë njohjen e menjëhershme të Kosovës, të vendosin sanksione ndaj Serbisë nëse refuzon të respektojë marrëveshjet, dhe të mbështesin pa ekuivoke anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".