
Sondazhet si mjegull e qëllimshme në politikën (para)zgjedhore


Fadil Maloku
Shkruan: Prof.dr Fadil Maloku
1. Sondazhet e paverifikuara shkencërisht, që mund të përdoren nga cilido subjekt politik në prag të fushatave zgjedhore, janë vetëm një “arsenal bllofi”, që provohet të përdoret si mjet propagandistik dhe si formë presioni në adresa të gabuara. Themi kështu, sepse këto sondazhe parazgjedhore nuk japin aspak përshtypjen se bëhen për qëllime senzibilizimi apo mobilizimi. Përkundrazi, ato – çfarë është më interesant – nuk i drejtohen elektoratit të vet apo publikut të gjerë, por synojnë (gabimisht) subjektet tjera konkurruese. Përmes “alibisë” makiaveliste të sondazhomanisë, pretendojnë të demonstrojnë një “rritje” të stisur.
2. Në këtë mënyrë, ata harrojnë se i njëjti elektorat nuk ndikohet më aq shumë nga “kauza” si Asociacioni apo dialogu (lexo: negociatat) me Serbinë, por nga çështje shumë më jetike: mungesa e dinjitetit, papunësia, krimi, korrupsioni dhe sidomos varfëria e padukshme. Injorimi i këtyre realiteteve është një gabim i qëllimshëm dhe i përsëritur.
2.1. I qëllimshëm, sepse këto sondazhe të porositura nga partitë politike, të realizuara në mënyrë tërësisht joprofesionale (paramendo: një sondazh me 1500 euro, që as për letër s’mjafton!), dhe joshkencore (pa përfillur as kriteret minimale si mostra e metodologjia), nuk kanë si qëllim zbulimin e gjendjes reale të rejtingut, por mashtrimin me “rritje” të supozuar të përkrahjes elektorale.
2.2. I përsëritur, sepse këto sondazhe kanë për qëllim të “demoralizojnë” kundërshtarin politik, por në realitet prodhojnë efekte të kundërta. Dërgimi i mesazheve të rreme (bllof) tek kundërshtarët ideologjikë vetëm sa i rimobilizon ata. Kjo lojë naive e këtyre “matrapazëve të rritur”, që sondazhet ua shesin bosëve partiakë si të vërteta, e ata më pas i servirin kundërshtarëve të tyre, është thjesht fëmijërore!
3. Sondazhet serioze sociologjike, partitë e përgjegjshme nuk i reklamojnë kurrë publikisht. Ato nuk i ndajnë as me kundërshtarët e tyre ideologjikë, e as me publikun e gjerë, por i përdorin vetëm për konsum të brendshëm partiak. Pse veprojnë kështu?
3.1. Sepse nuk duan të zbulojnë as fuqinë reale të ndikimit të tyre në publik, e as potencialin elektoral që kanë, për të ruajtur mistifikimin dhe konservimin e tij.
3.2. Sepse synojnë që vetëm ata ta kenë “fotografinë” e gjendjes reale, në mënyrë që strategët partiakë të mund të ndërmarrin hapat e duhur taktikë dhe preventivë.
3.3. Sepse sondazhet, sado profesionale e shkencore të jenë, mbeten veçse një “selfie” momentale e disponimit publik ndaj një fenomeni social, politik apo ekonomik. Ato nuk janë kurrë një garanci për rezultatin përfundimtar, pasi disponimi publik mund të ndryshojë me shpejtësi drite, madje edhe në vigjilje të ditës së votimit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".