
Kriza institucionale s’mund të zgjidhet me lexime të ngurta të Kushtetutës


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Më 28 qershor, liderët politikë të Kosovës u mblodhën në një takim konsultativ në Kuvendin e Kosovës, nën simbolikën e tryezës së rrumbullakët formë që në diplomaci nënkupton barazi dhe dialog të hapur. Por në realitet, ky takim u shndërrua në një arenë mosdakordësie të thellë, ku dominuan deklaratat e ashpra, akuzat reciproke dhe interpretimet e ndara të Kushtetutës.
Në vend që të sjellë zgjidhje, kjo tryezë i vuri në pah tensionet ekzistuese dhe mungesën e vullnetit politik për t’i kapërcyer ato.
LDK: Takimi ishte farsë publike
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk e kurseu aspak tonin: takimin e quajti “farsë publike”, duke akuzuar Kurtin se nuk e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se mbetet i ngurtë në pozicionet e tij të vjetra. Në thelb, LDK nuk sheh më asnjë sinjal nga Kurti për të ndërtuar një shumicë parlamentare të bazuar në rregulla dhe konsensus.
PDK: Qëndrimet e Kurtit s’ndryshojnë, bllokada vazhdon
Edhe PDK, përmes kryetarit Memli Krasniqi, e pa takimin si një formalitet pa përmbajtje. Sipas tij, Albin Kurti po mban peng procesin me një mentalitet imponues, duke mos reflektuar as pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në thelb, PDK e sheh kryeministrin në detyrë si burimin kryesor të bllokadës institucionale.
GUXO dhe NISMA: Të ndalet keqpërdorimi i Kushtetutës
Faton Peci (GUXO) dhe Fatmir Limaj (NISMA) ofruan një ton më realist. Të dy theksuan se leximi selektiv i aktgjykimit nuk e ndihmon procesin dhe se zgjidhja kërkon marrëveshje politike. Peci foli për nevojën e një pakete të përbashkët për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Limaj e bëri të qartë: “Kushtetuta nuk e zgjidh vetë krizën. Vetëm marrëveshja politike e zgjidh.”
Kurti: Unë jam ai që e kam lexuar drejt Kushtetutën
Në anën tjetër, Albin Kurti vazhdon të mbrojë pozicionin e tij duke akuzuar PDK-në dhe LDK-në për keqinterpretim të qëllimshëm të aktgjykimit. Në vend të reflektimit, kemi një përpjekje për të justifikuar mosndryshimin me argumente juridike – çka për opozitën është vetëm një mënyrë për të zgjatur qëndrimin në pushtet pa shumicë reale.
Një krizë që kërkon më shumë se letra ligjore
Problemi real është ky: Kosova nuk ka krizë të aktgjykimeve, ka krizë politike të mungesës së përgjegjësisë. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e zgjidh dot një bllokadë që është produkt i polarizimit politik dhe mungesës së kulturës kompromisuese.
Kushtetuta nuk është zëvendësues për dialogun. Ajo është kornizë, jo zgjidhje në vetvete.
Çfarë duhet të ndodhë tani?
Tryeza e rrumbullakët, me gjithë simbolikën e saj të bukur, nuk do të funksionojë nëse pjesëmarrësit nuk hyjnë me vullnet për zgjidhje reale. Për ta thënë troç:
- Duhet një pakt politik i përkohshëm për konstituimin e Kuvendit, pa shantazhe e kushte njëanshme.
- Duhet një facilitim i jashtëm, nëse liderët nuk arrijnë të lëvizin vetë.
- Duhet një kulturë e re politike, ku interpretimi i Kushtetutës nuk shërben si armë taktike, por si bazë për bashkëpunim.
A do ta shfrytëzojnë liderët këtë moment?
Nëse jo, atëherë çdo tryezë tjetër do të jetë një ritual bosh, dhe qytetarët do të shohin vetëm një kastë politike që i përdor institucionet si dekor për pazaret e saj.
Por nëse liderët kanë vizionin e duhur, atëherë 28 qershori mund të shënojë fillimin e kthesës, jo për retorikë, por për shtetndërtim të vërtetë.
Edhe pse Faton Peci dhe Fatmir Limaj u paraqitën si zëra të arsyes, që bënin thirrje për marrëveshje politike dhe qasje gjithëpërfshirëse, nuk mund të anashkalohet fakti se të dy kanë pasur afërsi politike i pari pozita bashkëpunuese me Lëvizjen Vetëvendosje.
Peci është përfaqësues i subjektit GUXO, i dalë nga krahu i Vjosa Osmanit, e cila për shumë kohë ka bashkëqeverisur me VV-në.
Limaj, nga ana tjetër, ka mbajtur pozicione të kujdesshme, por në momente kyçe ka qenë i moderuar ndaj qëndrimeve të Kurtit.
Kjo tregon se edhe thirrjet për kompromis nuk janë krejt të paanshme, dhe se në thelb, kriza po zgjatet sepse partia fituese, LVV dhe kryetari i saj Albin Kurti, po refuzojnë çdo lëvizje që nuk përputhet me vizionin dhe interesin e tyre të drejtpërdrejtë për mbajtjen e pushtetit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".