
Lexoni edhe:
Qarri: Grenell duke manipuluar me fjalët e presidentes po e mbron publikisht Vuçiqin dhe Serbinë
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Sa i përket imazhit të Donald Trumpit që po përdoret nga Presidentja Vjosa Osmani, unë mendoj se është edhe njëra, edhe tjetra. Përdorimi i imazhit të Trumpit për qëllime të brendshme politike është realitet. Ajo po mundohet që përmes imazhit pozitiv që ka ndërtuar në raport me politikën amerikane, të fitojë pikë politike për të siguruar një mandat të ri, pasi edhe mandatit të saj të parë po i afrohet fundi.
-Nga ana tjetër, edhe reflektimi diplomatik është prezent. Ajo dëshiron të paraqitet si politikanja më e afërt me politikën amerikane, dhe realiteti tregon se aktualisht Vjosa Osmani është ndër politikanet më të pranuara në SHBA dhe në Evropë, duke realizuar shumë takime me përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë. Nganjëherë, ajo vepron mirë kur takon komunitetin shqiptar në SHBA dhe ndan mirënjohje, por shpesh herë harrohet të përmenden emrat e atdhetarëve të vërtetë që kanë dhënë kontribut gjatë gjithë jetës për çështjen kombëtare.
Presidentja duhet ta dijë se nuk është e drejtë të bëhen ndarje rajonale apo fetare në dekorime. Është mirë që dekoron Muratin, Mehmetin, Pajazidin, Hasanin, Hysenin, Osmanin, Ahmetin, Mahmutin, por krahas tyre, duhet të dekorohen edhe Gjergji, Kastrioti, Leka, Dukagjini, Antoni, Toma, Marjani dhe shumë të tjerë. Ndoshta mungesa e informacionit mund të jetë shkak, por duhet pyetur nëse ajo ka ndonjë këshilltar shqiptar të besimit katolik në kabinetin e saj. Presidentja është presidente e të gjithëve dhe nuk guxon të bëjë ndarje rajonale apo fetare gjatë dekorimeve për veprimtari atdhetare e sidomos në SHBA, shtetin më mik të shqiptarëve, ku komuniteti shqiptar ka kontribuar së bashku, pa dallim feje apo krahine, për lirinë e Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".