Kuvendi pa Kuvendarë – Zgjidhje pa Zgjedhje

Kuvendi pa Kuvendarë – Zgjidhje pa Zgjedhje
Kuvendi pa Kuvendarë – Zgjidhje pa Zgjedhje

Isuf Bajraktari

  • 17 July 2025 - 14:51

Nga Isuf Bajraktari


Në Republikën e Kosovës sot nuk është mungesa e numrave ajo që po e pengon shtetin të ecë përpara, por mungesa e vullnetit politik për bashkëpunim dhe mungesa e vizionit të përbashkët. Kuvendi, institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve, për të 47-tën herë me radhë dështoi të funksionalizohet. Jo për shkak të ndonjë fatkeqësie natyrore, por si pasojë e një arrogance të vazhdueshme politike që ka mbërthyer shumicën parlamentare.

Dikur e pranishme vetëm në libra historikë, sot thënia e Lord Acton – “Pushteti absolut, korrupton absolutisht” është realiteti i përditshëm i jetës institucionale në Kosovë. Me 48 deputetë, partia në pushtet sillet si e vetmja forcë politike me të drejtë për të vendosur, përjashtuar dhe kontrolluar çdo segment institucional. Demokracia, në vend të zhvillohet, ka rrëshqitur drejt një forme moderne të monopolizimit politik, ku shumica e zgjedhur nuk e njeh më opozitën si partner në debat, por si pengesë në rrugën e vet drejt dominimit total.

Ky Kuvend, siç po shihet, është gjithçka përveçse një arenë dialogu demokratik. Ai është bërë vegël e njëanshme për të heshtur kundërshtarët, për të anashkaluar pluralizmin, dhe për të çuar vendin drejt një rrënimi institucional që nuk e kemi parë që nga ditët e para të pasluftës.

Një e majtë ekstreme me sjellje autoritare

Paradoksi më i madh është se pushteti aktual, që dikur u prezantua si alternativë e shpresës, sot është kthyer në shembullin më të qartë të pushtetit të mbyllur, të centralizuar dhe autoritar. Kjo e majtë e re politike, në formë, i përket progresit, por në përmbajtje sillet si një strukturë e djeshme totalitare. Nuk ka vend për ndjeshmëri politike, për bashkëpunim apo për ndërtimin e një fryme të përbashkët. Ka vetëm një drejtim: ai që përcakton lideri i partisë në pushtet.

Në këtë realitet të tensionuar politik, margjinalizimi i opozitës nuk është vetëm padrejtësi ndaj spektrit politik, por është padrejtësi ndaj vetë demokracisë dhe qytetarit që kërkon zgjidhje.

Pesha e heshtur e LDK-së, dhe nevoja për meritokraci

Përballë gjithë kësaj arrogante politike, është koha të vendoset vëmendja mbi subjektet që kanë trashëgimi politike dhe institucionale në këtë vend. LDK-ja, me gjithë sfidat e saj të brendshme, mbetet e vetmja forcë tradicionale që përfaqëson një ekuilibër të nevojshëm në skenën politike të Kosovës. Nuk ka qenë kurrë zë i përjashtimit, por gjithmonë pjesë e frymës së bashkëpunimit.

Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për rikthimin e meritokracisë në politikë. Për një qasje të re që nuk e sheh pushtetin si pronë të partisë, por si shërbim ndaj qytetarit. Nëse do të duhej të provohej një zgjidhje tjetër, atëherë ajo duhet të përfshijë forca si LDK-ja që i japin përparësi dialogut, bashkëjetesës politike dhe ndërtimit të institucioneve funksionale.

A ka zgjidhje pa zgjedhje?

Kosova nuk mund të ecë përpara duke rrotulluar krizën politike. Nëse sërish do të shkojmë në zgjedhje, pa reflektim të thellë dhe pa një ndryshim të modelit të sjelljes politike, atëherë zgjedhjet do të jenë vetëm një raund tjetër për të thelluar përçarjen. Nuk zgjidhet një krizë përfaqësimi me një tjetër teatër fushate. Zgjidhet vetëm me konsensus dhe udhëheqje të përgjegjshme.

Kosova nuk ka nevojë për liderë të fortë që imitojnë perandorët, por për drejtues që frymëzojnë, që bashkojnë, që dëgjojnë. Liderë me integritet, e jo me instinkt hakmarrës. Liderë që nuk kërkojnë nënshtrim, por ofrojnë bashkëpunim.

Në këtë udhëkryq politik dhe moral, na duhet të pyesim: A jemi gati të provojmë ndryshe?
- Të provojmë qeverisjen përmes bashkëpunimit, jo arrogancës.
- Të provojmë meritokracinë në vend të militantizmit.
- Të provojmë një Kuvend ku kuvendohet, jo ku bllokohet.

Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Rrëshqitja institucionale nuk ndalet me fjalë, por me veprime. Dhe nëse nuk e provojmë sot ndërtimin e një rendi të ri politik, nesër mund të jetë tepër vonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".