Prenka: Albin Kurti dhe loja foshnjore me shtetin

Prenka: Albin Kurti dhe loja foshnjore me shtetin
  • 28 July 2025 - 14:08

Nga Zef Prenka

Albin Kurti, në vend që të sillet si një burrë shteti në një kohë kur Kosova ka nevojë për maturi dhe për strategji afatgjate, ka zgjedhur të luajë një lojë të përditshme politike që më shumë i ngjan një shahu komunist, ku çdo lëvizje bëhet për ta kontrolluar terrenin, për ta përjashtuar kundërshtarin dhe për ta kthyer popullin në spektator të heshtur.

Ai përdor metoda të qarta të mendësisë komuniste, të përfshira në një sistem të ngurtë të “gjithçka vjen nga njëri njeri”. Ashtu si në regjimet autoritare të së kaluarës, edhe ai ka ndërtuar një sistem rreth vetes ku fjala e tij është urdhër, çdo kritikë është tradhti, dhe çdo figurë e re që mendon ndryshe përjashtohet, etiketohet, e fshihet. Një lloj “monizmi modern” i paketuar si populizëm.

Kjo mendësi ka rikthyer në diskursin politik frikën, autokontrollin, servilizmin, dhe zhbërjen e çdo energjie të lirë qytetare që dikur i kishte premtuar shpresë këtij vendi. Ai s’bashkëpunon me askënd që ka mendim të lirë. I sheh partnerët politikë si rivalë për t’i eliminuar, jo si bashkëpunëtorë për të ndërtuar. E sheh shtetin si një tabelë loje, ku ai vendos “shahun politik” dhe bën lëvizje vetëm për të ruajtur fronin e tij, jo për të fituar për vendin.

Po ashtu, sjellja e tij shpesh i ngjan një loje të përçudnuar “cic-mic” foshnjor – herë largohet nga përgjegjësitë, herë kthehet me ndonjë zhurmë të madhe për t’u dukur si shpëtimtar. Nuk ka qëndrueshmëri, nuk ka drejtim, nuk ka vizion. Ka vetëm një rreth të ngushtë pushteti që i shërben me përulje, ndërsa shteti zbrazet nga serioziteti, qytetarët lodhen, dhe demokracia rrezikon të degradojë në një teatër populist pa fund.

Prandaj;

Kosova nuk ka kohë për t’u marrë me eksperimente të dështuara ideologjike. Kemi rënë ekstrem poshtë si shtet. Ngritjen e shoh vetëm përmes aktorëve të rinj politik, sepse kjo kastë politike nuk e kaloi provimin. Është koha për ndërrim kursi, për ndërrim brezi, dhe për ndërtim të një Republike të qytetarëve, jo të një njeriu të vetëm.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".