'Kryetarët e të ashtuquajturave parti politike u shndërruan në shërbëtorë'

'Kryetarët e të ashtuquajturave parti politike u shndërruan në shërbëtorë'
'Kryetarët e të ashtuquajturave parti politike u shndërruan në shërbëtorë'

Ismail Muçiqi

  • 04 August 2025 - 11:49

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Po jetojmë në një kohë shumë dramatike, kur globalizmi po i shkel vlerat humane e njerëzore, duke e vënë në plan të parë interesin materialo-financiar. Kjo po ndodh edhe tek Shqiptarët, të cilët dikur me fanatizëm mbronin vlerat tradicionale e kombëtare, duke ruajtur fjalën e dhënë, besën Shqiptare, mikpritjen, bujarinë dhe sidomos virtytet e moralit familjar. Sot, për fat të keq, ligjet dhe normat e sistemit kapitalist kanë dalë në plan të parë, duke e bërë prioritet paranë dhe kapitalin. Kështu, në shoqërinë Kosovare dhe më gjerë – e sidomos në sferën e politikës – këto dukuri negative kanë marrë përmasa shqetësuese, të cilat po e rrënojnë traditën kombëtare të shumë gjeneratave që e mbajtën gjallë shpirtin e popullit.

Politika është kthyer në mollë sherri mes njerëzve që prej kohësh e kanë humbur rrugën, duke luftuar me të gjitha mjetet joracionale për të arritur qëllimet e tyre personale. Kjo u pa qartë pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, përmes të cilave u votuan deputetët e rinj të Parlamentit të Kosovës. Për javë e muaj të tërë, pamë skena të ndryshme që i dhanë imazh të keq jo vetëm institucioneve shtetërore, por degraduan edhe kulturën historike të popullit Shqiptar. Lufta për pushtet është bërë kauza kryesore e politikëbërjes, duke shkelur parimet intelektuale, profesionale e njerëzore që për shekuj ishin kultivuar si vlera kombëtare. Pamë këto ditë prapaskena në Parlamentin e Kosovës, ku kryetarët e të ashtuquajturave parti politike u shndërruan në shërbëtorë të grupeve të interesit, të deputetëve dhe të minoriteteve, të cilët treguan fytyrën e tyre të vërtetë duke kalkuluar me fatin e Kosovës. Është turp për Kosovën – dhe për partitë politike në veçanti – që liderët e konsumuar e kalkulojnë fatin e Parlamentit me emra si Dude Bala, Veton Berisha apo Rexhep Hoxha. Këtë e bënë në vazhdimësi tre kryetarët e opozitës, të cilët punuan në prapaskenë për të dështuar zgjedhja e kryetarit të parlamentit dhe institucioneve të tjera të shtetit. Këto sjellje e veprime janë produkt i pavetëdijes politike të kësaj klase, e cila është bërë e neveritshme dhe pa asnjë vlerë ndaj qytetarëve dhe komunitetit ku jeton e vepron. Se jemi vërtet në lajthitje për ta ndërtuar shtetin me këto struktura pa integritet, po e vërteton koha gjithnjë e më shumë. Më thotë mendja se kjo kategori politike e ka kauzë të vetme paranë dhe interesin materialo-financiar, e jo interesin e shtetit apo të popullit. Nuk ka dyshim se kësaj gjendjeje kaotike po i shërbejnë edhe disa mjete të informimit, disa gazetarë joprofesionistë dhe disa analistë që janë shndërruar në mercenarë kundër interesave të Shtetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".