
Letër Kryeministrit: A do ti gëzojë Kryeministri edhe mërgimtarët?


Gani Qarri
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Pas shtrirjes së sovranitetit të plotë shtetëror në veri, ndërtimit të suksesshëm të dy urave mbi lumin Ibër, të cilat zbatojnë edhe në praktikë, bashkimin e qytetit të minatorëve heroik-Mitrovicës, si dhe heqjes së taksës për mallrat e SHBA-ve, do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës, tu bëjë një "privilegj” të vogël edhe mërgimtarëve të lidhur kaq fort me atdheun, duke ua mundësuar që në një afat të shkurtër, dy-tre javor, apo maksimal 1 muaj, ata që duan, të mund ti përkthejnë dhe regjistrojnë në atdhe makinat e tyre robuste, nga Perëndimi, me tabela të Republikës së Kosovës, akt për të cilin përflitet sikur më herët, kishte edhe një premtim gojor nga Qeveria Kurti!
Ndërsa përveç gëzimit të pafund të shqiptarëve kudo, për rivendosjen e rendit e të ligjit në të gjitha hapësirat e Republikës së Kosovës, vendosjes së stabilitetit të qëndrueshëm në veri dhe përgatitjeve për përurimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër për njësimin edhe praktik të Qytetit të minatorëve heronj të Mitrovicës, gëzim i kompletuar, që veçanërisht dhe në mënyrën më të theksuar, kam bindjen se ndjehet nga mërgimtarët, do të ishte, nëse derisa janë të pranishëm edhe mërgimtarët në atdhe, të përurohet dhe lëshohet zyrtarisht në përdorim edhe “Ura e Re” për qarkullimin e automjeteve mbi lumin Ibër, akt madhështor, që nga mërgimtarët do të përjetohej vërtetë si festa më madhe dhe ngjarja më e veçantë e grandioze në jetën e tyre, e cila nuk do të harrohej kurrë!
Siç dihet mirëfilli nga shqiptarët, gjatë gjithë kohës kur vendi kishte nevojë, mërgimtarët kanë bërë dhe dhënë gjithçka nga vetja për internacionalizimin e çështjes së atdheut, depërtimit të problemit politik dhe kërkesave të drejta të shqiptarëve për çlirim të Kosovës në të gjitha kancelaritë shtetërore të vendeve vendimmarrëse në SHBA, Evropë dhe gjithandej, në botën mbarë, kudo që ata kanë jetuar dhe punuar duke ju përkushtuar me gjithë qenien e tyre, lirisë dhe çlirimit të Kosovës.
Po ashtu mërgimtarët atdhedashës, veçanërisht gjatë kohës së okupimit klasik të Kosovës nga okupatori serb, në vijimësi kanë kontribuuar dhe punuar e angazhuar pareshtur, për mbajtjen në këmbë të të gjitha institucioneve më jetike në vend, nga ato sociale, shëndetësore, arsimore dhe shoqëroro-ekonomike, e deri te ndihmesat për avancimin dhe ndërkombëtarizimin e veprimtarive më të fuqishme politike në botë, duke mbajtur me mundin e tyre-në këmbë edhe qëndrueshmërinë ekonomike dhe garantuar sigurinë humanitare të bashkëkombësve në atdhe, me ndihma e veprime konkrete dhe gjithçka të nevojshme për vendin e tyre.
Dhe përkundë kontributit të pazëvendësueshëm që ndër dekada ata kanë dhënë për vendin, në mënyrë që bashkëkombësit në atdhe, të mos vareshin për asgjë nga okupatori, kryesisht mërgimtarët kanë bërë me mundin dhe djersën e vet, që të funksiononte edhe shëndetësia e arsimi në mënyrë të pavarur nga Serbia dhe bashkëkombësit të mos ngeleshin as ekonomikisht në mëshirën e Serbisë, mërgatë e veçantë dhe gjithmonë modeste, e cila kurrë nuk ka kërkuar shumë as të pamundurën e edhe pas çlirimit nuk e ka ndalur kontributin dhe gjithmonë është treguar e kënaqur edhe me aq sa ka mundur të bëjë vendi i tyre për te.
Andaj duke qenë se pushimet e verës, janë ditët më të veçanta për mërgimtarët, të cilët pas punëve të mundimshme e me orare të gjata në vende të huaja, me shumë mallë ia mësyjnë Kosovës, për ti takuar më të afërmit dhe kënaqur e kaluar çastet më të bukura me ta, shumica prej tyre paguajnë edhe çmime jashtëzakonisht të larta, për biletat e udhëtimit me Aeroplan për ti kaluar vetëm disa ditë në vendlindje dhe atdhe.
Ndërsa një numër i konsideruar sosh, bëjnë rrugë të gjata me mijëra kilometra, duke përshkuar me makina shumë kufij shtetëror dhe përjetuar në lëkurën e vet edhe provokime e maltretime nga më të ndryshmet, sidomos ata që u bie hise të kalojnë nëpër Serbi, e cila vazhdon të mbajë qëndrime shumë armiqësore, ku jo vetëm politika shtetërore por edhe policia serbe, dallohet për agresivitetin e veçantë e shumë tendencioz ndaj shqiptarëve.
E megjithatë pasi arrijnë shëndosh e mirë në atdhe, përveçse i qesin prapa shpine, përkohësisht të gjitha vuajtjet, një numër i kufizuar i mërgimtarëve makinat e tyre më të mira, të cilat qëllon të jenë më të vjetra se 10 vite, por që janë shumë të ruajtura e vitale dhe të dëshmuara për funksionalitetin e përsosur e qëndrueshmërinë e lartë, shprehin dëshirën t`ua dhurojnë familjarëve të vet dhe regjistrojnë me tabela të Republikës së Kosovës, që ata ti përdorin për nevojat e tyre, e ndonjëherë, pse jo, ti përdorin edhe vet mërgimtarët gjatë qëndrimit të përkohshëm në atdhe.
Madje me aq sa na ka rënë të dëgjojmë, e që sidomos kur afrohen pushimet e verës edhe diskutohet shpesh nga mërgimtarët, shumë prej të cilëve pretendojnë, sikur kishte edhe një premtim gojor nga Qeveria, se për kohë të caktuar, do të hiqeshin përkufizimet aktuale, për mërgimtarët që dëshirojnë, ti përkthejnë në atdhe, automjetet e veta robuste, nga Perëndimi.
Ndaj duke pasur parasysh faktin se zemra e mërgimtarëve, në të mirë dhe në kohë të vështira, ka rrahur gjithmonë për dhe me- atdheun, dashuri tradicionale të cilën ata e kanë shprehur e dëshmuar edhe në vepër, dikur duke ndarë edhe kafshatën e fëmijëve me bashkëkombësit në atdhe, ndërsa sot kontribuojnë me remitencat e larta që në vijimësi, i sjellin në shtetin e tyre të lirë, të ëndërruar për kohë aq të gjatë nga shqiptarët, sezoni i pushimeve verore, është periudha më e mirë, kur edhe Qeveria e Kosovës, e cila është edhe Qeveri e mërgimtarëve, do të mund ti gëzonte mërgimtarët, me ndonjë veprim sado simbolik.
Kështu që përveç pritjes së ngrohtë e me dashamirësi, tu bëjë edhe një "privilegj" të përkohshëm e minimal, duke ua mundësuar që për kohë të shkurtër dhe afat të kufizuar, dy-tre javor, apo maksimal një muaj, ata që duan, të mund ti përkthejnë dhe regjistrojnë në atdhe makinat e tyre, me tabela të Republikës së Kosovës!
Edhe ashtu, kjo do të ishte vetëm një masë e përkohshme dhe me afat të kufizuar vetëm dy-tre javor, brenda një viti, gjë që nuk do të përbënte shqetësim, as për pronarët e salloneve të automobilave në vend, ngase përveç kufizimit kohor edhe numri i mërgimtarëve që mund ti përkthenin automjetet e veta, në atdhe, nuk do ishte aq i madh, sepse shumica prej tyre, janë familjar që udhëtojnë bashkë me gra e fëmijë në atdhe, dhe e kanë të domosdoshme të kthehen përsëri në vendet ku punojnë me automjetet me të cilat kanë ardhur në Kosovë.
Njëkohësisht urojmë nga zemra dhe shpresojmë fort e realisht, se ndërtimi i shpejtë i dy urave mbi lumin Ibër, do të bëjë të mundur, që të paktën Ura e Re për qarkullimin e automjeteve dhe njësimin e Qytetit të minatorëve heronj të Mitrovicës, të përurohet zyrtarisht dhe lëshohet në përdorim sa janë të pranishëm në atdhe edhe mërgimtarët, akt i cili do ta bënte gëzimin e tyre më të plotë dhe të kompletuar gjithanshëm për të gjithë, i cili në mënyrën më të veçantë, do të ndjehej nga mërgimtarët dhe përjetohej si akt më simpatik, që do të memorizohej nga ata, si festa më madhështore, ngjarja më e veçantë e grandioze dhe zhvillimi më fantastik në Kosovën e lirë, për të mbetur i pa harruar përjetësisht dhe i pa shuar kurrë nga kujtimet e tyre më të mira në jetë!
Me shpresën se ky rreshtim fjalësh dëshirore, do të arrijë deri në veshët e Kryeministrit e të Qeverisë së Kosovës dhe kjo kërkesë modeste e mërgimtarëve do të marrë përgjigje simbolike-pozitive, për afat sado të shkurtër kohor, falënderojmë paraprakisht Kryeministrin dhe Qeverinë, si dhe përshëndesim përzemërsisht atdheun tonë të dashur, qytetarët në mbarë vendin dhe shtetin tonë të lirë e sovran-Republikën e pavarur të Kosovës!
Ne që gjithmonë-tani dhe në të ardhmen, edhe nga vendet e huaja, kudo jemi, mbetemi përherë krenar dhe me dashuri e respekt të pafund për atdheun tonë të shtrenjtë e sovran dhe vendin tonë të lirë, e më të shenjtin në botë, Kosovën e pavarur!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".