Kurti po i sjell Kuvendit kandidatët më të diskutueshëm të qeverisjes

Kurti po i sjell Kuvendit kandidatët më të diskutueshëm të qeverisjes
Kurti po i sjell Kuvendit kandidatët më të diskutueshëm të qeverisjes

Zef Prenka

  • 20 August 2025 - 13:58

Nga: Zef Prenka

Albin Kurti sot nuk po tregohet i interesuar të zgjidhë nyjën politike që vet ia ka lidhur. Përkundrazi, ai po e ushqen atë, duke propozuar për kryeparlamentar kandidatë që e di paraprakisht se nuk kanë gjasa të kalojnë në Kuvend. Ky veprim nuk është rastësi, por pjesë e një kalkulimi të qartë: sa më shumë të dështojnë votimet, aq më shumë ai përpiqet ta luajë rolin e viktimës, me shpresën se “populli” do ta shpërblejë në zgjedhje.

Por elektorati nuk është më ai i vitit 2019. Sot qytetarët janë të ngopur me këtë teatrin e viktimizimit dhe e kuptojnë mirë logjikën prapa skenës. Albin Kurti po i sjell Kuvendit kandidatët më të diskutueshëm të qeverisjes së tij – si Albulena Haxhiun e Donika Gërvallën – figura që tashmë e kanë konsumuar kredibilitetin publik, për të luajtur pastaj kartën e dështimit të qëllimshëm.

Në vend që të kërkojë kompromis institucional dhe konsensus politik, Kurti po investon në krizë, duke llogaritur se çdo pengesë do t’i rrisë pikët si “i papërkuluri”. Por kjo taktikë nuk është asgjë tjetër veçse një vetë-bllokadë që dëmton shtetin dhe lodh qytetarët.

Në fund, roli i viktimës mund të funksionojë vetëm një herë; kur përdoret si strategji e përsëritur, ai shndërrohet në farsë politike. Dhe kjo është pikërisht ajo që shumica e elektoratit tashmë e ka kuptuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".