Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit është një pazar politik mes VV-së dhe PDK-së

Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit është një pazar politik mes VV-së dhe PDK-së
Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit është një pazar politik mes VV-së dhe PDK-së

Florim Zeqa

  • 27 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Më në fund dolën me emër dhe mbiemër bllokuesit faktikë të Kuvendit! Pra, ishin dhe dolën të jenë opozitarët ata që e penguan konstituimin e Kuvendit për mbi pesë muaj rresht! Edhe përkundër stërzgjatjes së bllokadës në Kuvend, dita e sotme, në parim, mund të konsiderohet ditë kthese pozitive, por në fakt nuk është e tillë, pasi nuk erdhi si rezultat i dashurisë për shtetin dhe qytetarët, por si produkt i një pazari politik, efektet e të cilit do t’i shohim në ditët dhe javët në vazhdim!

 

-Mbetet të shihet nëse ka pasur marrëveshje politike mes LVV-së dhe PDK-së edhe për formimin e Qeverisë, apo marrëveshje për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Prandaj, është herët për ta uruar zgjedhjen e Dimal Bashës kryekuvendar!

Ogur i mbarë dhe i mirë për vendin do të ishte zgjedhja e Qeverisë me konsensus politik, e jo marrëveshjet në prapaskenë!

Prandaj, zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, për më tepër se rezultat i konsensusit për të mirën e vendit, është një pazar politik mes VV-së dhe PDK-së, e cila i nxori jashtë loje LDK-në e pabalancuar dhe AAK-në e fraksionuar!

Dimal Basha, jo vetëm që nuk do të arrijë të ruajë pavarësinë dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, por do të mbetet një ‘xhoker’ në dorën e Albin Kurtit deri në shpërbërjen e Kuvendit!

Dimal Basha nuk mund të përballet me sfidat reale të Kuvendit, duke përfshirë mungesën e konsensusit politik dhe tensionet ndërpartiake, pasi karriera e tij ka më shumë rol teknik sesa politik.

Ajo që është dashur të ndodhë më 15 prill 2025, ndodhi pesë muaj e gjysmë me vonesë, në të njëjtin vend dhe në të njëjtin ambient politik!

Qoftë për të mirë zgjedhja e Bashës kryekuvendar!

Pas përmbylljes së plotë të konstituimit të Kuvendit, edhe me nënkryetarin e pakicës serbe si kategori kushtetuese me vende të rezervuara në Kuvend, vetëm atëherë fillon loja e vërtetë dhe pazari i madh mes forcave politike në Kuvend!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".