Deputet të Dardanisë, kujdes: Piloti i KFOR-it dhe përkthyesja serbe spiunë të Serbisë

Deputet të Dardanisë, kujdes: Piloti i KFOR-it dhe përkthyesja serbe spiunë të Serbisë
Deputet të Dardanisë, kujdes: Piloti i KFOR-it dhe përkthyesja serbe spiunë të Serbisë

Gani Qarri

  • 30 August 2025 - 10:39

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Deputet të Dardanisë: "Kujdes të mos shënoheni në murin e turpit të historisë së kombit shqiptar!" A.Aliçkaj.

Piloti kroat nga Spliti dhe shtetasja serbe nga Mitrovica e Kosovës, të akuzuar për katër vepra penale specifike në Kosovë.

Në fakt ata ishin arrestuar edhe më herët, megjithatë piloti kroat fillimisht ishte liruar, ndërsa spiunia serbe do të vendosej në Qendrën transitore të të huajve për dëbim në Trilj të Kroacisë, e cila pas një muaji pritej të dëbohej nga shteti kroat, pa të drejt kthimi në Kroaci për 10 vjet.

Por ndërkohë, me urdhër të gjykatës hetuesit e specializuar kontrolluan telefonat e tyre dhe në komunikimet e gjata, përmes WhatsApp-it u gjetën mesazhe komprometuese në bazë të të cilave ata u akuzuan për spiunazh ndërkombëtar.

Prandaj piloti kroat J.I. nga Spliti dhe spiunia serbe nga Mitrovica Ana Murganiq u arrestuan përsëri në fund të korrikut në një ishull në arkipelagun e Splitit me akuzën e spiunazhit për Serbinë dhe dyshja e spiunëve, sipas zëdhënësit të Gjykatës së Splitit, aktualisht akuzohen për katër vepra penale specifike.

Në fakt, megjithëse detyra e pilotit ishte të kontribuoj në ruajtjen e paqes, rendit dhe sigurisë në Kosovë nga mesazhet që ata shkëmbyen përmes WhatsApp-it, u zbulua se piloti kroat në tri vitet e fundit, i dërgoi spiunes serbe, jo vetëm informata konfidenciale mbi lëvizjet dhe planet e veprimit të forcave të KFOR-it, në Zubin Potok dhe veri të Kosovës, por edhe të dhëna tjera sekrete që mund ta rrezikojnë sigurinë kombëtare, të cilat spiunia serbe ua kalonte Vladimir Radivojeviqit dhe figurave të larta të të ashtuquajturës "listë serbe" të cilët pastaj i përcillnin në Serbi.

Bazuar në ligjet kroate, vepra penale e spiunazhit, për "mbledhjen në mënyrë të paautorizuar të informacioneve sekrete, me qëllim që t'ia ofrojë një shteti të huaj, organizate të huaj, personi juridik të huaj ose zyrtari që punon për ta", dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, por si piloti kroat edhe spiunia serbe akuzohen për disa vepra të rënda penale.

Ajo që dëshpëron me këtë rast, është fakti se derisa gazetaria e ç`akorduar kosovare dyshohet se detyrohet, frymëzohet apo edhe joshet financiarisht nga mafiooligarkët, për tu marrë me prodhimin e sensacioneve kundërqeveritare dhe mjerisht pothuajse në Kosovë, as që ekziston gazetari e njëmendtë hulumtuese, ishin mediat kroate, që njoftuan për rastin e spiunazhit nga Kosova në favor të Serbisë.

Madje ato publikuan edhe disa nga mesazhet e pilotit kroat dhe të spiunes serbe Ana Murganiq, nga Mitrovica e Kosovës, e cila informatat e marra, fillimisht ia përcillte kriminelit Vladimir Radivojeviqit, "mami", që ishte pjesëmarrës në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjë të Zveçanit ku u vra rreshteri i policisë së shtetit tonë, në detyrë Afrim Bunjaku, informata të cilat i shkonin të ashtuquajturës "listë serbe" dhe qendrave të spiunazhit në Serbi.

Presidenti kroat që ishte i njoftuar edhe më herët për këtë rast të rëndë spiunazhi në Kosovë, me të drejtë falënderoi Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake të Kroacisë (VSOA) për suksesin në zbulimin e këtij akti monstruoz të spiunimit në favor të dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "listë serbe", BIA-s së Serbisë dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

E duke qenë se spiunazhi i serbes së Mitrovicës Ana Murganiq, kishte të bënte edhe me të dhëna të ndjeshme të KFOR-it, përfshi lëvizjet ushtarake në veri të Kosovës, sipas mediave kroate, hetimet janë duke u zhvilluar nga policia civile dhe nga policia ushtarake kroate, si dhe EUROPOL-i, vetëm Prokuroria e Kosovës, nuk e di kush, se çfarë ka ndërmarrë lidhur me këtë rast, apo ndoshta është e zënë me parapërgatitjen për marrjen në pyetje të kryeministrit Albin Kurti. 

Spiunia serbe Ana Murangiq ishte e punësuar edhe si ndërmjetëse e caktuar në terren për ekipe të shumta të mediave, të cilën piloti kroat J.I. e takoi në vitin 2016, derisa qëndronte në Kosovë si pjesëtar i kontingjentit kroat të KFOR, ndërsa spiunia serbe A.M. punonte përkthyese në EULEX, e njëjta kishte përkthyer edhe për UNMIK-un e KFOR-in dhe dashuria e tyre u thellua deri në përmasa spiunazhi, por që nga vitit 2016, vetëm tani dhe gati fare rastësisht u bë rast trajtimi nga drejtësia.

Kjo ndoshta edhe për faktin se Kosova dhe gazetaria e saj, nuk kishte kohë, afinitet as vullnet, të merrej me hulumtime dhe tema që e rrezikonin sigurinë e shtetit tonë, apo edhe pallavragjitë që sot bëjnë kaq shumë zhurmë për asgjë, kishin arritur marrëveshje me Thaçin, që veriun e Kosovës, ta konsideronin edhe ata si tokë të “rankoviqit”, apo tokë të askujt, siç shprehej sivëllai i Vuçiqit Edi Rama, i cili është i vetmi “shqiptar” në botë, që pa autorizim të askujt, e madje pa asnjë dakordim as informim të Qeverisë së Kosovës, përgatiti edhe projekt privat për “zajednicën” dhe ua dërgoi BE-së në Bruksel, që do të hyj në histori si akti më i paprecedent i të gjitha kohëve, Kosovë-Shqipëri.

Kështu që piloti i arrestuar kroat, duket se as nuk ishte brengosur fare, për ndonjë vëzhgim, apo Zot ruana edhe investigim, ndaj dhe i përcillte lirisht të dashurës së tij, spiunes serbe Ana Murganiq informacione konfidenciale, mbi zhvillimet në veri dhe lëvizjet e KFOR-it atje, të cilat ajo më pas ia dërgonte kriminelit serb Vladimir Radivojeviqit, të ashtuquajturës "listë serbe" dhe kontakteve të saj në Serbi.

Sipas ligjeve kroate, piloti kroat përballet me akuza të formës më të rëndë të krimit, si zbulimi i informacioneve sekrete për të cilat mund të dënohet deri në 10 vjet burg, derisa spiunia serbe nga Mitrovica me një akuzë më të lehtë dhe mund të dënohet deri në pesë vjet burg, ngase akti i saj konsiderohet si formë më e "butë" spiunazhi, që nuk ka të bëjë me zbulimin, por me mbledhjen e informacioneve sekrete dhe transmetimin e tyre, te pala serbe.

Andaj parë realisht piloti kroat nuk u arrestuar kot, por ne si qytetar dhe shoqëri e shtet duhet të ndjehemi të dëshpëruar, për të mos thënë edhe komplet të dështuar në këtë rast, sepse derisa hulumtuesit dhe vëzhguesit kosovar, merren me shpifje dhe shpikje të pallavrave politike, spiunët që vepronin lirshëm në vendin tonë, u zbuluan nga shteti kroat dhe u dëshmua se si piloti i tyre në Kosovë e furnizonte lirshëm spiunen serbe të Kosovës me informacione sekrete, të cilat ajo ia transmetonte me komoditet të ashtuquajturës "listë serbe", terroristit "mami" etj, ashtu që Presidenti kroat, me të drejtë falënderon agjencinë e inteligjencës ushtarake të Kroacisë-VSOA, për zbulimin me sukses të këtij rasti skandaloz spiunimi dhe duke qenë se piloti në fjalë është burgosur bashkë me spiunen serbe në Kroaci, besoj se të dy, edhe do të marrin dënim të merituar.

Por kjo histori e hidhur nuk përfundon me kaq, sepse në këtë aferë të rëndë spiunazhi duket të jetë thellë i involvuar edhe Sllavko Simiq, pjesëtar i të ashtuquajturës "listë serbe" i cili në vijimësi është akuzuar për afërsi të përhershme me kryeterroristin Millan Radojiçiq dhe grupet kriminale në veri edhe pas sulmit terrorist serb të 24-shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës në detyrë, Afrim Bunjaku

Sllavko Simiq, është i lidhur ngushtë me Vladimir Radivojeviq-in, që mori pjesë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit me 24 shtator të vitit 2023, i cili akuzohet edhe për shpërthimin që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e “Ibër-Lepenci-t”, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, dhe kundër tij është ngritur edhe aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Madje siç dëshmohet edhe me foto autentike të publikuara në media, Sllavko Simiq kishte dhe ka afërsi të madhe, jo vetëm me Vladimir Radivojeviqin, por edhe me policë të dorëhequr si Aleksandër Filipoviç ish-shefi i operatives në veri të Mitrovicës, kryeterroristin Millan Radojçiq, apo edhe Lazar Radenkovic (Proja) kundër të cilit është lëshuar urdhër-arrest për laborator droge, në vlerë mbi 8 milionë euro. 

Simiq deputet i të ashtuquajturës "listë serbe përveç akuzës për pjesëmarrje në ngritjen e barrikadave dhe akte tjera penale të kriminelëve serb në veri të Kosovës, tanimë është në fokus të dyshimeve edhe për spiunazh kundër vendit tonë, e megjithatë dhe përkundër të gjithave opozita e inkriminuar po lufton me mish e me shpirt dhe të gjitha mjetet e mundësitë, që pikërisht të akuzuarin për vepra penale, të lidhur me kriminel serb dhe të dyshuar edhe për spiunazh për Serbinë, Sllavko Simiq ta kurorëzojnë, hiq më pak se me postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

 O mores o tempora, çfarë po ndodhë kështu me Dardaninë tonë, mbi 26 vite pas çlirimit nga Serbia!?

Ndaj për fund nuk na mbetet tjetër përveçse të përsërisim porosinë shumë domethënëse të veprimtarit të mirënjohur dhe Drejtorit Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro-Amerikane z.Agim Aliçkaj, se: Ata deputetë që votojnë për kandidatët e LS-së, bashkëpunojnë ose krijojnë koalicion me ta, do ta shpallin veten tradhtarë dhe do të regjistrohen në murin e turpit të historisë së kombit shqiptar-(përjetësisht)!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".