Sistemi shkollor në Kosovë ka kohë që ka humbur rrugëtimin

Sistemi shkollor në Kosovë ka kohë që ka humbur rrugëtimin
Sistemi shkollor në Kosovë ka kohë që ka humbur rrugëtimin

Ismail Muçiqi

  • 02 September 2025 - 12:00

Shkruan: Ismail Muçiqi

Nëse teoritë shkencore të pedagogëve me përmasa botërore, si Komenski dhe Pestalozzi, konstatojnë se personaliteti i fëmijës ndërtohet dhe zhvillohet nga edukata familjare, nga rrethi shoqëror dhe nga Sistemi i Arsimit, atëherë mund të thuhet se sistemi shkollor në Republikën e Kosovës ka kohë që ka humbur rrugëtimin e mirëfilltë të zhvillimit. Edhe pse janë shpenzuar dhjetëra e qindra miliona euro për ndërtimin e shkollave të reja anembanë Kosovës, situata e nivelit të cilësisë në shkollat tona është larg kërkesave që i dikton koha.

Që nga paslufta, asnjë Ministri e Arsimit nuk ka arritur të reformojë Sistemin Arsimor për shkak të mungesës së vizionit strategjik, duke dështuar në shumë drejtime: nga organizimi sistemor dhe shkencor i programeve shkollore deri te përcaktimi i kurrikulave mësimore, të cilat nuk dhanë rezultat dhe mbetën barrë për gjeneratat e reja. Duhet theksuar se pati dështime dhe improvizime edhe nga disa institucione që u morën me botimin e teksteve shkollore, të cilat shpesh nuk kishin cilësi të mjaftueshme dhe as përmbajtje shkencore që i duhet një shkolle moderne të një shteti demokratik. Nuk ka dyshim se cilësia e procesit mësimor – si në mësimnxënie, ashtu edhe në mësimdhënie – në të gjitha nivelet shkollore në Kosovë ka qenë për t’u dëshiruar. Mënyra e organizimit të orës mësimore, pa aplikimin e mirëfilltë të metodave pedagogjike e didaktike, pothuajse nuk është zbatuar fare për shkak të mungesës së përgatitjes profesionale të mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve. Nuk mund të priten rezultate pozitive që i kërkon koha dhe trendet zhvillimore ekonomike me mënyrën e tanishme të zhvillimit të mësimit, apo me kurrikulat që matin njohuritë e nxënësve përmes anketave improvizuese, të cilat nuk garantojnë asgjë për nivelin e dijes apo përgatitjes mbi lëndën mësimore.

Këto improvizime, që janë aplikuar që nga paslufta – nga shkolla fillore deri te universiteti – kanë nxjerrë në pah një varg dobësish që pasqyrojnë nivelin e ulët të njohurive të nxënësve, të cilët shpesh kanë probleme që nga drejtshkrimi bazë, duke e deformuar edhe alfabetin e gjuhës shqipe. Fakti se Sistemi Arsimor në Kosovë nuk ka një strategji afatgjatë tregohet edhe nga ndërtimi i shumë godinave shkollore nëpër fshatra, të cilat sot kanë mbetur pa nxënës për shkak të migrimit dhe faktorëve të tjerë shoqërorë. Niveli i ulët i cilësisë ka depërtuar edhe në shkollat e mesme të larta dhe universitetet. Sidomos në varg dobësish subjektive u shfaqen në Universitetet e Kosovës ku diploma e Fakultetit ishte formale pa dije, pa njohuri dhe pa meritë vetëm për tu punësuar. Një numër i arsimtarëve dhe profesorëve nuk janë aq të përkushtuar sa duhet për thellimin e njohurive, në drejtim të përmbajtjes, kuptimit dhe logjikës së lëndëve që ligjërojnë. Sistemi i Arsimit në Kosovë që nga paslufta është politizuar rëndë, e këtë e ka diktuar politika primitive e partive dhe grupeve të interesit, të cilat përdorën punëtorët e arsimit më shumë për interesa politike, për vjeljen e votave. Kjo ndikoi që shpeshherë e ashtuquajtura sindikatë e arsimit, në vend që të merrej me krijimin e kushteve të punës nëpër shkolla me qëllim ngritjen e cilësisë, të merrej me greva, protesta e shumë avantura, të cilat i sollën dëme të pariparueshme sistemit shkollor. Përveç kësaj, institucionet përgjegjëse nuk arritën ta kuptojnë se prania e pedagogut dhe psikologut në shkolla është e domosdoshme. Po ashtu, Ministria e Arsimit duhet pa tjetër t’i kushtojë rëndësi permanente shtimit të numrit të inspektorëve, të cilët kanë për detyrë monitorimin e punës, cilësisë dhe aftësisë së nxënësve, si dhe vlerësimin e rezultateve të mësimdhënësve, numri i të cilëve ka ngecur pa trajnim dhe përgatitje profesionale për të punuar me gjeneratën e re. Këto janë vetëm disa elemente që kërkojnë hapa të qartë reformues në sistemin arsimor, pa të cilët shoqëria Kosovare nuk mund të ecë përpara me trendet që kërkon koha.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".