
Demokracia ndërtohet duke ngritur vetëdijen për krijimin e vlerave të mirëfillta


Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi
Ndryshimet sistemore që ndodhën në shekullin e kaluar, si dhe mendësia e ideologjisë komuniste totalitare, ndikuan negativisht në zhvillimin e sistemit shumëpartiak dhe sidomos në avancimin e pluralizmit demokratik në vendet e ndryshme të Ballkanit. Këto tendenca e fenomene të kohës prekën edhe shoqërinë kosovare, përkatësisht vetëdijen e klasës politike, intelektuale e shkencore për ta ndryshuar botëkuptimin në aspektin pozitiv e progresiv ndaj ndërtimit të shtetit. Sistemi demokratik nuk u kuptua sa duhet.
Demokracia ndërtohet duke ngritur vetëdijen për krijimin e vlerave të mirëfillta të edukimit, arsimimit dhe përkushtimit ndaj shoqërisë e shtetit. Kosovën e dëmtuan grupet e interesit, të cilat, duke u mbështjellë me petkun folklorik të pretendimeve “se prej nesh fillon historia, se ne sollëm lirinë, se ne duhet të përfitojmë dhe të vjelim pasuritë e këtij vendi”, zhvlerësuan vlerat tradicionale që Shqiptarët i kishin ruajtur me fanatizëm shekuj me radhë. Është shqetësuese se pasuria publike, përkatësisht programet zhvillimore, ekonomike e infrastrukturore, trajtohen si asete të dorës së dytë, ndërsa në plan të parë vihet interesi personal, familjar e klanor. Kjo u pa me kriminalizimin e privatizimit te prones shoqërore, e cila u keqpërdor në mënyrën më barbare nga individët, klanet dhe grupet e interesit. Këto dukuri i hasim pothuajse në të gjitha nivelet ku frymon qeverisja e shtetit. Koha po dëshmon se nuk jemi as seriozë e as përgjegjës për t’i kryer detyrat dhe obligimet që dalin nga projektet zhvillimore, të cilat janë bazamenti i së ardhmes së vendit. Mjafton të përmendim dinamikën e ndërtimit të rrugës magjistrale Podujevë–Prishtinë, e cila, ndonëse e gjatë vetëm 18 kilometra, tash e tri vite ende nuk ka përfunduar. Vonesa të stërzgjatura po ndodhin edhe në shumë projekte tjera gjithandej Kosovës, ku kompanitë fituese të tenderëve dështojnë rregullisht në respektimin e kontratave. Si pasojë, qytetarët janë lodhur, zhgënjyer e dëmtuar duke udhëtuar çdo ditë në kushte të rënda. Në anën tjetër, aty ku ka interes personal, privat apo familjar, bëhemi kampionë të përfitimeve materiale. Këtë e dëshmon “mafia e ndërtimit”, e cila me shkathtësi të jashtëzakonshme ndërton pallate, banesa, lokale biznesore e vila, shpeshherë edhe para afateve kontraktuale. Flitet se vetëm në Prishtinë ka rreth 30 mijë banesa të zbrazëta, të ndërtuara përmes pastrimit të parave dhe formave abuzive të mafisë ndërtimore e grupeve të interesit, të cilat e kanë vu pronën publike dhe shtetin në plan të dytë. Këta të mjerë, të komanduar nga paraja dhe interesi, nuk janë të vetëdijshëm se pasuria dhe ekzistenca e tyre varen drejtpërdrejt nga zhvillimi, integriteti dhe sovraniteti i shtetit në të cilin jetojnë.
Asnjë pasuri apo kapital nuk ka siguri pa u ndërtuar dhe funksionalizuar mekanizmat institucionalë që mbrojnë interesin e shtetit dhe të shoqërisë. Prandaj, kësaj plejade gjeneratash i nevojitet një ndryshim i thellë në vetëdije dhe qasje ndaj shtetit, për ta mbrojtur dhe për ta forcuar interesin kombëtar. Këtë më së miri e kuptuam dhe e mësuam në fund të shekullit të kaluar kur Serbia na e morri autonominë e Kosovës duke e pushtuar atdheun tone, dhe përsëri po na kërcënon për ta rikthyer policinë dhe ushtrinë Serbe si më parë, e këtë nuk po e kuptojnë politikanët që po sabotojn dhe bllokojn shtetin e këtij vendi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".