
Rasti i Arsovskës me punim denigrues ndaj UÇK-së është dështim institucional dhe akademik i yni


Isuf Bajraktari
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Çështja e shpalljes “Persona Non Grata” është delikate, sepse në traditën ndërkombëtare ajo zakonisht lidhet me figura që përbëjnë rrezik real për sigurinë e shtetit. Në rastin e Jana Arsovskës kemi të bëjmë me një akademike e cila ka shkruar punime që për shumëkënd perceptohen si denigruese ndaj UÇK-së. Këtu lind pyetja thelbësore: A është fjala për propagandë politike kundër Kosovës apo për një qasje shkencore – sado e njëanshme të jetë ajo?
-Nëse është propagandë e qëllimshme, reagimi shtetëror është i kuptueshëm; por nëse është qasje akademike, atëherë përgjigjja më e drejtë nuk është ndëshkimi, por demantimi me fakte e studime të mirëfillta. Për fat të keq, për 13 vite kemi heshtur përballë librave e artikujve të tillë dhe nuk kemi nxjerrë një vepër të argumentuar seriozisht që ta demantojë. Ky është dështim institucional dhe akademik i yni, jo vetëm problem i një autoreje të huaj.
Mendoj se kjo është retorikë e tepruar dhe e rrezikshme për debatin publik. Largimi i përjetshëm nga skena publike është masë që i përket sistemeve totalitare, jo demokracive moderne. Po të zbatohej kjo logjikë, shumë akademikë shqiptarë që kanë punuar me kolegë të huaj – ndonjëherë edhe me qëndrime kritike ndaj nesh – do të duhej të përjashtoheshin. Nuk është kjo rruga. Por nga ana tjetër, çdo studiues duhet të ketë parasysh peshën morale dhe pasojat e bashkëpunimeve të tilla. Një punim akademik mbetet pjesë e historisë dhe mund të përdoret si referencë edhe pas shumë vitesh, prandaj është e domosdoshme maturia në zgjedhjen e bashkautorëve dhe në tematikën që trajtohet. Përgjegjësia individuale dhe integriteti moral janë më të fuqishme se çdo ndëshkim i imponuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".