Kosova mund të kërkojë përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë dhe të sigurojë përkrahjen globale

Kosova mund të kërkojë përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë dhe të sigurojë përkrahjen globale
Kosova mund të kërkojë përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë dhe të sigurojë përkrahjen globale

Qani Shabani

  • 27 September 2025 - 09:00

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Në Banjskë të Zveçanit ndodhi një prej akteve më brutale të terrorizmit kundër Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë. Një grup paramilitar serb, i mirëorganizuar dhe i armatosur, sulmoi Policinë e Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa pjesëtarë të tjerë. Kjo nuk ishte një përplasje rastësore — ishte një akt i strukturuar terrorizmi, me mbështetje të qartë shtetërore nga Serbia.

 

-Sulmi ndodhi më 24 shtator 2023. Sipas ish-inspektorit të AKI-së, Burim Ramadani, grupi ishte trajnuar dhe financuar nga Serbia, me urdhra që lidhen me figura kyçe si presidenti Aleksandar Vuçiq dhe ish-shefi i inteligjencës, Aleksandar Vulin — të dy pjesë e aparatit shtetëror të Serbisë

Por deklaratat nuk mjaftojnë, Kosova duhet të ndërmarrë hapa ligjorë dhe institucionalë. Është jetike të përgatitet një dosje e plotë, e besueshme dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare për hetimin e terrorizmit shtetëror. Vetëm një dosje e pakontestueshme mund të shërbejë si bazë ligjore për të kërkuar ndëshkimin përfundimtar të Serbisë dhe autorëve të këtij akti

Edhe pse Kosova ka përgatitur një dosje fillestare për ngjarjen në Banjskë, ajo mbetet e paplotë. Mungojnë disa elemente kyçe që e bëjnë të vlefshme ndërkombëtarisht: prova të detajuara balistike dhe forenzike që lidhin armët me burimin shtetëror; interceptime dhe dëshmi të sigurta për lidhjet mes paramilitarëve dhe strukturave shtetërore serbe; dokumentacion i plotë mbi transaksionet financiare për financimin e këtyre strukturave; dhe analiza të pavarura nga ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë dhe kundër-terrorizmit

Për këtë arsye, është e domosdoshme që të përgatitet një dokumentacion i konsoliduar, i cili verifikon të gjitha këto prova. Vetëm një dosje e tillë mund të dorëzohet në mënyrë të suksesshme para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bashkimit Evropian, Shërbimit të Jashtëm Evropian, Departamentit të Shtetit Amerikan, Kongresit të SHBA-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që merren me luftimin e terrorizmit

Vetëm në këtë mënyrë, Kosova mund të kërkojë seriozisht përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë dhe të sigurojë përkrahjen globale për të adresuar kërcënimet që vijnë nga politika e saj destabilizuese

Ndërkohë, në nivel të brendshëm, Prokuroria dhe Gjykata e Kosovës kanë përgatitur një aktakuzë ndaj individëve të dyshuar për përfshirje në sulm, duke e trajtuar atë si akt terrorizmi. Megjithatë, kjo procedurë e brendshme nuk mjafton për të adresuar përgjegjësinë shtetërore të Serbisë në instanca ndërkombëtare

Prandaj, është thelbësore që kjo dosje të plotësohet dhe të dorëzohet në kanalet e duhura ndërkombëtare, për të siguruar një përgjigje të koordinuar dhe të vendosur ndaj një rreziku që prek jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin

Nëse kjo nuk ndodh, rreziku është që rasti i Banjskës të relativizohet si një incident i izoluar — duke i lënë Serbisë hapësirë për të vazhduar me strategjitë e saj agresive dhe destabilizuese

Reagimet ndërkombëtare deri më tani kanë qenë të zbehta, të fokusuara më shumë te "ruajtja e stabilitetit" sesa te përgjegjësia dhe drejtësia. Por nëse kjo çështje nuk pasohet me veprim konkret, Beogradi do ta kuptojë se dhuna mund të përdoret si mjet politik, pa pasoja. Dhe kjo nuk është vetëm tolerim — është një ftesë për agresion të mëtejshëm

Rasti i Banjskës nuk është një "incident i izoluar". Është një akt i qartë i terrorizmit shtetëror, një sulm ndaj rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Prandaj, reagimi i institucioneve duhet të jetë i vendosur — me ligj, me diplomaci dhe me presion ndërkombëtar. Për Afrim Bunjakun. Për drejtësinë. Për Kosovën sovrane dhe të sigurt.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".