
Lexoni edhe:
Kosova ka pasur ambasadorë të kotë që nuk dihet se çfarë bëjnë përveç peshkimit në sezonin e verës
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Fillimisht, duhet potencuar fakti se vizitat ndaras të dy liderëve shtetëror në SHBA dhe aktivitetet diplomatike, po ashtu ndaras, janë pasqyrë e moskoordinimit të tyre. Vjosa në Shtëpinë e Bardhë, kurse Albini në “Vatra” me bashkatdhetarët paraqesin kontrastin më të keq të diplomacisë shtetërore të Kosovës!
-Mungesa e vizionit strategjik në diplomacinë kosovare është arsyeja pse Kosova mund të mbetet pa përkrahje ndërkombëtare në momentet kyçe për të ardhmen e vendit tonë!
Edhe përkundër faktit se presidentja Vjosa Osmani po mban takime të nivelit më të lartë, lënia në margjinat e kryeministrit Albin Kurti nuk është ogur i mirë për Kosovën!
Paraqitja e fragmentizuar e Kosovës në SHBA i kënaq orekset e armiqve tanë!
Sado që kryeministri po mundohet ta arsyetojë anashkalimin nga autoritetet e larta amerikane, ajo është evidente në çdo takim të tij!
Arsyetimet e Albin Kurtit se: “Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA-të është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe”, nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar mungesën e mbështetjes amerikane.
Në anën tjetër, Ambasada e SHBA-së ka thënë qartë se “Veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite në Kosovë”.
Mbase do të ishte normale mospërshtatja e një kryeministri me një administratë të SHBA-ve, por problemi është se e njëjta qasje destruktive dhe jo bashkëpunuese e kryeministrit tonë kishte filluar me administratën e Bidenit dhe po vazhdon edhe me administratën Trump!
Ky inercion i Albin Kurtit në raport me SHBA-të mund të ndikojë në humbjen e mbështetjes diplomatike dhe ushtarake amerikane për shkak të keqmenaxhimit të marrëdhënieve dypalëshe!
Mungesa e vizionit strategjik dhe e pragmatizmit të diplomacisë kosovare mund të bëhet shkas që Kosova të anashkalohet dhe të mbetet pa përkrahje ndërkombëtare në këto momente delikate, kur sferat e interesit të fuqive të mëdha po lëvizin në kahje të kundërt me interesat tona!
Edhe përkundër faktit se SHBA po e zhvendos fokusin nga Ballkani në Lindjen e Mesme, megjithatë lidhja e Kosovës me aleatë të rinj, si: Japonia, Koreja e Jugut apo Greqia mund të jetë me rreziqe të mëdha për Kosovën!
Fati i Kosovës është i lidhur ngushtë me interesat amerikane në Ballkan, andaj çdo lidhje e aleancave të reja të Kosovës duhet të jetë në koordinim të ngushtë me SHBA-të!
Ashtu siç e nisa, po e përfundoj këtë prononcim timin për sot. Presidentja e shtetit duhej të ishte më këmbëngulëse që takimet zyrtare në SHBA t’i mbajë së bashku me kryeministrin Albin Kurti, për të demonstruar unitet shtetëror dhe jo ndarje në raport me aleatin strategjik dhe ekzistencial të shtetit tonë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".