
Alarmon analisti: Prishja e marrëdhënieve me Amerikën është ashiqare prishje e shtetit të Kosovës


Nue Oroshi
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Ne shqiptarët, historikisht, kemi pasur vështirësi në sigurimin e përkrahjes së miqve që ta ndihmojnë çështjen shqiptare, sepse në shumë periudha historike orientimi politik ka qenë i gabuar dhe si pasojë e këtyre gabimeve e kemi pësuar në humbjen e territoreve. Përveç gabimeve, shumë politikanë tanë gjatë historisë i kanë ngrënë paratë e kralit dhe faqe të zezë i kanë lanë djalit. Prishja e marrëdhënieve me Amerikën është ashiqare më shumë dhe më pak se sa prishje e shtetit të Kosovës.
-Rrethanat politike që janë sot në botë janë të rregulluara në mënyrë që, nëse nuk mbahemi me miq të fortë, ekziston rreziku që jo vetëm t’i humbim ata, por edhe të humbim si shtet dhe si komb. Për këtë duhet jo vetëm të jemi shikues dhe të japim ndonjë kritikë aty-këtu për prishjen e këtyre marrëdhënieve, por politikanëve të tillë nuk duhet t’u ipet vota. Ata duhet të ikin nga politika dhe të shikojnë profesionet e tyre.
Qeveria në detyrë, të cilës moti i ka skaduar afati dhe nuk është legjitime për shumë çështje deri sa të zgjidhet një qeveri tjetër nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, duhet të jetë shumë e kujdesshme jo vetëm me miqtë amerikanë, por edhe me ata evropianë, ku dëshiroj të veçoj Gjermaninë, Anglinë, Austrinë, Italinë dhe ndonjë shtet tjetër mik i yni.
Në të kundërtën, do të kemi jo vetëm një krizë politike, por edhe një krizë ekzistenciale. Për këtë duhet të kujdesemi sot, sepse nesër është tepër vonë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".