
Lexoni edhe:
Nuk mund të zëvëndësojmë marrëdhëniet që kemi me Amerikën e Gjermaninë me marrëdhëniet me Koret apo Greqinë
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themele të forta kushtetuese, me synimin që të jetë një shtet demokratik, funksional dhe përfaqësues për të gjithë qytetarët e saj. Përballë këtij momenti të rëndësishëm institucional, kemi një mundësi të tregojmë pjekuri politike, përgjegjësi shtetërore dhe përkushtim ndaj rendit kushtetues.
-Sipas Nenit 67.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe pesë Nënkryetarët, përfshirë përfaqësuesin e komunitetit serb. Ky nuk është një detaj teknik, por një dispozitë themelore që siguron funksionimin e rregullt dhe përfaqësimin gjithëpërfshirës në institucionin më të lartë përfaqësues të vendit.
Në aktgjykimin e saj të datës 30 shtator 2025, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar dhe vulosur fuqinë detyruese të këtij neni, duke përcaktuar një afat 12-ditor për zbatimin e tij. Ky nuk është vetëm një interpretim ligjor – është një urdhër përfundimtar që nuk lejon kompromis, manipulim apo interpretim të ndryshëm politik.
Çdo përpjekje për të interpretuar ndryshe paragrafin 1 dhe 4 të Nenin 67 dhe për ta anashkaluar këtë detyrim kushtetues përbën sfidë të hapur dhe arrogante ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj të gjitha institucioneve ndërkombëtare relevante që mbështesin Kosovën në ndërtimin e rendit kushtetues dhe shtetit ligjor.
Institucione ndërkombëtare të njohura për ekspertizën e tyre juridike dhe demokratike, si Komisioni i Venecias, Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, ODIHR-i dhe OSBE, nuk mundet që ndryshe ta interpretojnë Kushtetutën e Kosovës, veçanërisht Paragrafin 1dhe 4 të nenit 67 Ato janë të angazhuara që ky nen dhe aktgjykim të respektohen dhe zbatohen pa asnjë përjashtim.
Të sfidosh këtë realitet kushtetues është jo vetëm një veprim jopatriotik dhe antikushtetues, por edhe një akt i rrezikshëm politik që cenon seriozisht integritetin e shtetit dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Në këtë situatë, ku integriteti institucional është në provë, çdo vonesë apo tentativë për të relativizuar këtë detyrim nuk i shërben askujt dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e vendit. Kosova ka çdo mjet që i duhet për ta kaluar këtë moment me dinjitet dhe vendosmëri, por duhet të veprojë me mençuri dhe përgjegjësi, duke respektuar Kushtetutën dhe aktgjykimet e saj.
Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit do të jetë dëshmi se Kosova ecën përpara me ligjshmëri dhe seriozitet. Është mesazhi më i fortë për qytetarët dhe aleatët ndërkombëtarë se ky shtet është i pro Evropian dhe pro American për të udhëhequr veten me përgjegjësi dhe përfaqësim të drejtë.
Nëse ky detyrim kushtetues nuk respektohet, ekziston rreziku real që përveç krizës së thellë politike dhe institucionale, të fuqizohet edhe presioni ndërkombëtar nga aktorë që synojnë dobësimin e shtetit dhe themeleve të tij kushtetuese – duke përfshirë edhe insistimin e palëve serbe për të komprometuar sovranitetin e Kosovës.
E ardhmja e Kosovës nuk ndërtohet mbi kalkulime politike afatshkurtra apo improvizime, por mbi respekt të saktë të ligjit dhe besim të qytetarëve në institucionet e tyre. Ky është momenti i fundit ku mund të dalim faqebardhë dhe të normalizohemi si shtet demokratik dhe funksional.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".