Është koha që Washingtoni t’ia bëjë haptazi me dije Serbisë se Kosova është shtet sovran

Është koha që Washingtoni t’ia bëjë haptazi me dije Serbisë se Kosova është shtet sovran
Është koha që Washingtoni t’ia bëjë haptazi me dije Serbisë se Kosova është shtet sovran

Isuf Bajraktari

  • 10 October 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari

Amendamenti i senatorëve amerikanë Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen, që kërkon njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe refuzon çdo ide për ndryshim kufijsh, është një sinjal i rëndësishëm për kthimin e vëmendjes amerikane te parimet mbi të cilat u ndërtua paqja në Ballkan. Por, përtej fjalëve, mbetet pyetja thelbësore: a do të ketë Amerika guximin ta zbatojë këtë parim me vendosmëri politike?



-Në dokument thuhet se dialogët strategjikë mes SHBA-së dhe dy vendeve do të zhvillohen vetëm pasi të vërehet “angazhim për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”. Kjo formulë e vendos Kosovën në pozitë të pabarabartë, sepse Beogradi as nuk e njeh marrëveshjen, ndërsa Prishtina ndodhet nën trysni për ta zbatuar. Barazia në letër shndërrohet në pabarazi në praktikë.

Në thelb, kjo pasqyron logjikën e sotme gjeopolitike të Washingtonit: stabilitet para drejtësisë. Serbia trajtohet si faktor që duhet të mbahet nën ndikim perëndimor, ndërsa Kosova shihet si partner i sigurt që mund të “menaxhohet” me kërkesa për fleksibilitet. Por kjo qasje ka një kufi moral e politik: nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm duke relativizuar të drejtën e një shteti të pavarur.

SHBA-ja duhet të jetë më e qartë dhe më e guximshme. Është koha që Washingtoni t’ia bëjë haptazi me dije Serbisë se Kosova është shtet sovran dhe i pakthyeshëm, dhe se çdo marrëveshje në Ballkan duhet të ndërtohet mbi këtë realitet, jo përreth tij. Çdo përpjekje për “ekuilibra artificiale” e dëmton vetë besueshmërinë e politikës amerikane në rajon.

Amendamenti Tillis–Shaheen është një hap në drejtimin e duhur, por ai duhet të shoqërohet me vendimmarrje politike të guximshme: me presion të barabartë mbi të dyja palët, me sanksione të qarta ndaj obstruksionit të Serbisë, dhe me përfshirje strategjike të Kosovës si partner i plotë, jo kushtëzor.

Nëse SHBA dëshiron ta ruajë rolin e saj si garant të paqes dhe drejtësisë në Ballkan, ajo duhet të rikthehet te parimi që e bëri aleate të popullit të Kosovës në vitin 1999: se liria nuk është kompromis dhe shtetësia nuk negociohet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".