Vuçiç e ka kërcënuar me luftë Kosovën, provoi me aktin terrorist në Banjskë por u thyen turpshëm

Vuçiç e ka kërcënuar me luftë Kosovën, provoi me aktin terrorist në Banjskë por u thyen turpshëm
Vuçiç e ka kërcënuar me luftë Kosovën, provoi me aktin terrorist në Banjskë por u thyen turpshëm

Skender Mulliqi

  • 11 October 2025 - 09:06

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Kosova, për fat të keq, nuk po kërcënohet vetëm nga jashtë, nga Serbia e Vuçiqit. Vuçiqi, që shumë herë pas luftës është duke e kërcënuar me luftë Kosovën, provoi me aktin terrorist në Banjskë me në krye terroristin Millan Radojqiq, por u thyen turpshëm nga forcat policore të Kosovës.

 

-Edhe kërcënimi më i ri, se do të ndodhë lufta sipas Vuçiqit, është një metaforë e dalë boje. Ky kriminel lufte është bërë si tigri prej letre. E kanë sunduar protestat shumë mujore studentore, duke ia luhatur seriozisht karrigen pushtetare. Pastaj, këtë shtet e ka goditur edhe gjendja e keqe ekonomike e sociale, dhe po mundohet presidenti serb të mbahet në pushtet me Kosovën, siç e kanë bërë këtë gjë edhe paraardhësit e tij.

Nuk do t’u ndihmojnë më rrenat dhe manipulimet, siç i kanë përdorur historikisht serbët. Nuk do të fitojnë më luftë, dhe as më paqe. Kanë përfunduar në bërllokun e historisë elaboratet famëkeqë serbe për shfarosjen e shqiptarëve në Ballkan. Ka ngordhur moti Vasa Çubrilloviqi dhe çubrilloviqët e tjerë të shovinizmit serbomadh dhe do të ngordhin me sy hapur për Kosovën edhe kriminelët e luftës, Aleksandër Vuçiqi e Voisllav Shesheli, me sheshlistat e tjerë në pushtet.

Kosova i ka të gjitha forcat e veta mbrojtëse, ka aleatët e saj, kurse Serbia ka një aleat – Rusinë, e cila nuk dihet se a do ta fitojë luftën në Ukrainë. Dhe Serbia do të mashtrohet keq, sikur në vitet '90 të shekullit të kaluar, me rastin e luftës në ish-Jugosllavi, ku Rusia e la në baltë popullin serb, atëherë kur forcat e NATO-s bombarduan caqet kriminale të Millosheviqit për të katër anët. Edhe tash, në rast të një lufte të re në rajon, do të ndodhë e njëjta gjë.

Mendoj se nuk do të pësonte vetëm Serbia, por do të pësonte keq edhe Rusia, nga shtetet e BE-së dhe Amerika, që do t’i rrënonin me themel ushtarakisht këto shtete.

Por, në gjithë këtë krizë globale dhe kërcënimet të cilat po na bëhen nga Rusia dhe Serbia, ku janë politikanët tanë? Unë, për veten time, nuk e di a janë këta vërtet aq sylesh, apo edhe janë çmendur pas pushtetit, sa kanë harruar krejt luftën, kanë harruar edhe krimet serbe në Kosovë. Janë zhytur në një mentalitet që ka treguar koha se ka qenë mizor. Mjaft kanë abuzuar me të mirat materiale dhe me shtetin deri në pikën e monstruozitetit!

Praktikisht përjashtuan nga loja shumicën, duke i ndaluar të gjitha privilegjet për veti. Shumë figura politike dhe publike po tallën me shtetin dhe me kombin, duke i bërë argatin më të mirë Serbisë. Të ndalet hovi i një lufte politike që po e dërgon shtetin kah shkatërrimi. Diskursi politik është larguar nga temat e vështira në zgjidhjen e problemeve jetike për qytetarët.

Ka kaluar koha e poshtrimit të shekullit të 20-të. Nuk duron më askush përsekutimin politik dhe intolerancën. Martirizimi i shqiptarëve ndodhi për një Kosovë të lirë dhe të pavarur nga Serbia, me të drejta të barabarta në vendimmarrje për të gjithë. Mos të bëhemi një popull me ndërgjegje të ngurtë. Vetëm njerëzit pa ndërgjegje mund ta bëjnë këtë.

Është fatale për një njeri të inkurajojë kufizimin e lirisë së tij, madje edhe me koston e shkatërrimit të tij. E vetmja gjë më e keqe se të bësh zgjedhjen e gabuar në liri, është të varrosësh lirinë e fituar me gjak.

Kujtohuni pak o burra e mbushuni mend! Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, le të jemi të lirë në zgjedhjet tona dhe le të zhduken ata që zgjedhin shkatërrimin. Nuk ka të mirë pa progresiven, nëse nuk bazohemi në shkencë, kulturë dhe art. Mos t’i helmojmë fëmijët tanë me ideologji të këqija të provuara, kur po jetojmë në demokraci.

Shteti duhet të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e shoqërisë nga e keqja dhe përçarjet e shkaktuara nga manipuluesit e së vërtetës në emër të ideologjisë…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".