
Lexoni edhe:
Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës do të dihet më 9 nëntor 2025
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Me votimet e të dielës së 12 tetorit, për të zgjedhur kryetarët dhe përbërjen e kuvendeve komunale në krejt vendin, të zhvilluara në një atmosferë shembullore, të qetë dhe pa incidente të theksuara që do ta prishnin hijeshinë e votimeve demokratike, qytetarët e Kosovës, me shtrirjen simetrike të votave për kandidatë pluralistë dhe partitë politike anë e mbanë vendit tonë, u pasqyrua një fenomen që dëshmon demokracinë më të avancuar në rajon, votimin e lirë e të pandikuar dhe procesin më demokratik të zgjedhjeve në mbarë Evropën Jugperëndimore.
-Por mosbashkëpunimi i vazhdueshëm i partive politike shqiptare dëshmoi se ka frustruar aq shumë qytetarët, sa që edhe në zgjedhjet lokale, të merrnin pjesë vetëm një numër simbolik i votuesve, ku përveç pjesëmarrjes prej vetëm rreth 39.5 për qind, që në fakt konsiderohet më e ulët sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2021, sovrani votoi në atë mënyrë, që në shumicën e komunave të vendit, fituesi të vendoset në balotazh, prandaj fushata e partive politike në rundin e dytë të votimit besohet se do t'i ndikojë drejtpërdrejt edhe negociatat për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës, të dalë nga votimet e zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Kështu që, duke pasur parasysh se në pyetje është përzgjedhja e kryetarëve të 17 komunave në krejt vendin, votimet e 12 tetorit e kanë ndryshuar tërësisht hartën e zgjedhjeve efektive politike dhe e kanë riformatuar atë në atë mënyrë që, gati në gjysmën e komunave të Kosovës, fituesi të vendoset në raundin e dytë të votimeve, prandaj balotazhi nuk ka gjasa të zhvillohet vetëm si betejë e ngushtë lokale, por do të shndërrohet në luftë të vërtetë zgjedhore, me sinkron të gjerë dhe peshë kryesore, jo vetëm si betejë për dominimin e komunave, por edhe si avangarda vendimtare, e cila do të ketë ndikim parësor edhe në negociatat për koalicionet e segmenteve politike në vetë nivelin qendror.
Prandaj, derisa edhe përqindja e daljes në votime ka rënë shumë, gjë që tregon edhe mungesë besimi ndaj partive politike: VV, PDK, LDK dhe AAK, në këtë fazë nuk mund të thuhet se cila nga partitë i fitoi zgjedhjet lokale, për faktin se në rreth 20 komuna të mbarë vendit, përfshi kryeqytetin dhe qytetet më të mëdha të Kosovës, fituesit pritet të vendosen në fund të votimeve për balotazh, të cilat ende nuk e kanë përzgjedhur definitivisht emrin e kryetarit për 4 vitet e ardhshme.
Shto kësaj argumentin domethënës se, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, përqindja e daljes së qytetarëve në votime ka rënë në 39.5 %, derisa në zgjedhjet e kaluara lokale dalja në votime ishte 43 për qind. Sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, ku nuk janë evidentuar incidente që do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të votimeve, procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje të plotë me kërkesat ligjore.
Prandaj, megjithëse në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues të regjistruar, dalja kishte qenë 43 për qind, edhe pse pjesëmarrja e qytetarëve në votimet e fundit është më e ulët, duke qenë se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të qetë e dinjitoze, me probleme fare të vogla teknike të cilat janë adresuar shpejt dhe trajtuar relativisht me efikasitet, duke mundësuar vijimin e votimit pa ndërprerje në funksionimin e qendrave të votimit, rezultati zgjedhor konsiderohet legjitim dhe i pranueshëm për qytetarët dhe të gjitha partitë politike në vend.
Kështu që, në koordinim të drejtpërdrejtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të publikojë rezultatet e zgjedhjeve komunale të mbajtura më 12 tetor dhe, për dallim shumë të madh me sondazhet e shpifura të shpërndara veresie të të ashtuquajturave “Exit-poll”, gara në Mitrovicë është shumë e ngushtë ndërmjet dy kandidatëve, ku sipas KQZ-së, të dy kandidatët ai i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri në raundin e parë të votimit kanë marrë përafërsisht numër gati të njëjtë votash, ndaj edhe në Mitrovicë pritet të vendosë balotazhi për kryetarin e ardhshëm të qytetit të minatorëve.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".